Mungesa e karburantit ka ngritur veçanërisht frikën se shteti mund të paralizohet. Edhe gjeneratorët privatë, të përdorur nga libanezët për dekada me radhë, duhet të fiken me orë të tëra për të ruajtur naftën
Ibrahim Arab pret në radhë me orë të tëra nën temperaturat përvëluese të verës për të blerë karburant për taksinë e tij.
Kur nuk është duke punuar, babai 37-vjeçar i dy fëmijëve endet poshtë e lartë Bejrutit nga një barnatore në tjetrën, në kërkim të qumështit – apo çfarëdo që mund të gjejë – për djalin shtatëmuajsh që vuan nga diarreja dhe të vjellat nga qumështi jo fort cilësor.
Shqetësohet se çfarë do të ndodhte nëse fëmijët do të sëmureshin më rëndë. Dikur ndër më të mirët në rajon, spitalet e Libanit po luftojnë mes krizës ekonomike dhe financiare të vendit që ka prodhuar ndërprerje ditore të energjisë që zgjasin me orë të tëra, me mungesë të naftës për gjeneratorët, mungesë të pajisjeve mjekësore dhe ilaçeve.
Pas 20 muaj vuajtjesh pa fund, një realitet i ri po krijohet për shumicën e 5 milionë banorëve të Libanit: Ditë të mbushura me mungesa të mëdha - nga pjesët e këmbimit për automjetet, tek ilaçet, karburantet dhe mallrat e tjera themelore në vendin që varet krejtësisht nga importi.
“Jeta ime edhe ashtu ishte e vështirë dhe tani pas krizës me karburant veçse është përkeqësuar”, thotë Arab. Për mbijetesë, mban një punë të dytë në një dyqan ushqimor në Bejrut, por të ardhurat e tij mujore kanë humbur 95 për qind të fuqisë së blerjes.
Jeta në ferr

Pritje të gjata jashtë një dyqani në Bejrut. Njerëzit po blejnë kafe me frikën se do të ngrihet çmimi i saj. Kriza e madhe është shkaktuar nga dekadat e korrupsionit dhe keqmenaxhimit nga klasa politike e dalë prej luftës civile
Kriza, e cila filloi në fund të vitit 2019, është e rrënjosur në dekadat e korrupsionit dhe keqmenaxhimit nga një klasë politike pas luftës civile që ka akumuluar borxhe dhe ka bërë pak për të rimëkëmbur industritë lokale, duke e detyruar vendin të mbështetet në importe për pothuajse gjithçka.
Funtit libanez i ka humbur vlera, bankat kanë ndaluar tërheqjet dhe transferimet e parave, ndërkaq hiperinflacioni është në majë.
Kriza e likuiditetit ka dëmtuar aftësinë e qeverisë për të siguruar karburant, energji elektrike dhe shërbime themelore. Mungesa e dollarit ka zhdukur furnizimet mjekësore dhe të energjisë.
Mungesa e karburantit ka ngritur veçanërisht frikën se shteti mund të paralizohet. Edhe gjeneratorët privatë, të përdorur nga libanezët për dekada me radhë, duhet të fiken me orë të tëra për të ruajtur naftën.
“Jemi në ferr”, shkroi Firas Abiad, drejtor i përgjithshëm i Spitalit Universitar Rafik Hariri. Ai udhëheq ekipin në betejën kundër koronavirusit. Pavarësisht valës së nxehtësisë, të hënën, spitali vendosi të ndalte kondicionerin e ajrit, përveç në departamentet mjekësore.
Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë goditur lidhjet e internetit në disa qytete, teksa furrat e bukës kanë tërhequr vërejtjen se mund të mbyllen për shkak të mungesë së karburantit.
Situata ka qenë kritike në javët e fundit. Përleshje dhe të shtëna ka pasur nëpër pikat e karburanteve. Një rast i rëndë ndodhi në Tripoli, kur u vra djali i pronarit të një pompe.
Shumë libanezë ua vënë fajin paaftësisë dhe mosgatishmërisë së liderëve politikë për t’u bërë bashkë kundër krizës që ka mbërthyer vendin.
Shtet pa qeveri

Një burrë duke biseduar me farmacisten nga dera e mbyllur. Barnatoret janë në grevë shkaku i mungesës së barnave esenciale. Kjo shpesh ka shkaktuar përplasje mes farmacistëve dhe myshterinjve të tyre që janë në hall për ilaçe
Shteti është pa qeveri që prej katër gushtit të vitit 2020, kur kryeministri Hassan Diab dha dorëheqje me gjithë qeverinë për shkak të shpërthimit të madh në portin e Bejrutit më 4 gusht, që la të vdekur 221 persona dhe të plagosur më shumë se 6 mijë. Shpërthimi i fuqishëm u shkaktua nga 3 mijë tonë nitrat amoni që për vite me radhë po ruhej në kushte jo të duhura.
Libanezët presin që ekonomia të përkeqësohet edhe më shumë. Për këtë, janë në kërkim të formave të tjera për t’u përshtatur dhe për të përballuar këtë krizë.
Për të shmangur pritjet me orë të tëra, disa paguajnë njerëz që të mbushin makinën e tyre për ta. Të tjerët marrin laptopët dhe punojnë nga automjetet e tyre, teksa presin në radhën që tani po quhet “të poshtërimit”.
Shumë të tjerë mbështeten te familjarët dhe miqtë në diasporë për t’u furnizuar me ilaçe dhe qumësht foshnjash.
Një burrë që punon në energjinë diellore thotë se biznesi po lulëzon. Njerëzit janë të lodhur me dekada premtimesh për të rregulluar rrjetin e energjisë elektrike të Libanit.
Gjatë javës së kaluar, kryeministri në detyrë, Diab, miratoi financimin e importit të energjisë me një normë më të lart se kursi zyrtar i këmbimit, duke ulur në mënyrë të ndjeshme subvencionet e karburantit teksa po përkeqësohet mungesa e tij. Vendimi që hyri në fuqi të martën pritet të lehtësojë përkohësisht krizën, ani pse çmimi është ngritur për 35 për qind.
Disa njerëz kanë ruajtur karburant nga frika se çmimet do të dyfishohen, dhe kjo e ka shtuar mungesën. Një rritje e tillë e çmimeve do të bëjë që kostoja e karburantit të mos arrihet nga shumë njerëz në një vend ku më shumë se gjysma e popullsisë jeton në varfëri.
Të tjerët e kontrabandojnë atë në Sirinë fqinje, e cila ka krizën e saj të karburantit dhe ku çmimi i benzinës është pesë herë më i lartë se në Liban. Por kjo gjithashtu shton mungesën në Liban.
Kriza ka nxitur banorët e pakënaqur në të gjithë vendin që të bllokojnë rrugët në shenjë proteste.
Ata bllokuan disa kamionë me cisterna në veri të Libanit dhe shpërndanë karburantin falas për njerëzit përreth. Një tjetër grup mori një kamion të ngarkuar me qumësht pluhur dhe i shpërndau krejt pakot te njerëzit që po prisnin.
“Biznesi ynë është shndërruar në punë të shkatërrimit të masës”, thotë Ahed Makarem, 24-vjeçar, i cili punon në pikën e karburanteve në jug të Bejrutit.
Teksa fliste, një kolonë e gjatë e makinave lëvizte ngadalë në autostradë. Dhjetëra punëtorë aktivizuan 12 pompat për të furnizuar automjetet dhe skuterët. Ngasësit nuk mund të merrnin më shumë se 20 litra naftë ose benzinë.
Pritjet e gjata

Kriza e madhe ekonomike dhe financiare ka nxitur pakënaqësi te libanezët që në muajt e fundit kanë organizuar protesta kundër kastës politike që është akuzuar për krizën e thellë në Liban
Makarem thotë se orari prej 13 orësh i fillon në orën gjashtë të mëngjesit. Mezi gjen kohë për të ngrënë bukë. Përleshjet për naftë nisën para dy-tri javësh, kur disa njerëz tentuan të kalonin radhët. Në mbrëmje, kur ora shkon në 19:00 dhe është koha për mbylljen e pikave të karburantit, policia shpesh intervenon për të zmbrapsur turmën e myshterinjve të pakënaqur që me orë të tëra kanë pritur, por në fund nuk janë furnizuar.
Shumë kanë frikë se gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë në muajt e ardhshëm, për shkak se rezervat e bankës qendrore pritet të bien dhe nuk parashikohet zgjidhje. Ligjvënësit po punojnë për sistemin e racionit, me të cilat 500 mijë familje do të merrnin nga 93 deri në 137 dollarë në muaj. Në rast se ky sistem miratohet në parlament, kjo do të çonte në subvencione më të vogla dhe rritje të madhe të çmimeve.
Taksisti Arabi po bëhet gati për periudhën kur do t’u vijë fundi zgjidhjeve të përkohshme dhe kriza do të përkeqësohet.
Së fundi i është dashur të rregullojë frenat e makinës dhe motori kishte nevojë për një pjesë të re. Këto i kushtuan dyfish më shumë sesa paga minimale në Liban.
“Sikur të kisha mundësinë të ikja nga këtu. Ky vend është i shkretë”, thotë Arabi.
Përktheu: Gent Mehmeti