Botë

Koreja Jugore po mundohet t’i gjejë zgjidhje krizës demografike

Brenda diç më shumë se një dekade, Koreja Jugore ia ka dalë ta shpenzojë ekuivalentin e buxhetit të një ekonomie të vogël evropiane në përpjekje për të zgjidhur krizën e saj demografike, megjithëse shkalla e lindshmërisë prapëseprapë ka rënë në nivelin më të ulët në botë.

Sivjet, presidenti Moon Jae-In, i cili e karakterizon veten si president feminist, ia ka vënë vetes një sfidë të re: të tregojë më shumë respekt për gratë.

Në fund të vitit të kaluar, Koreja Jugore shpalosi planet për të hequr disa prej pengesave për punësimin e grave, duke ua lejuar të dy prindërve që të marrin pushim prindëror në të njëjtën kohë dhe duke ua zgjatur pushimet prindërore me pagesë. Në këtë synim, edhe punëdhënësit marrin stimuj për t’ua lejuar të dy prindërve angazhimin me më pak orë pune.

Image

Përpjekje për barazi gjinore

“Përpjekjet për barazi gjinore kanë ardhur në kohën e duhur”, ka deklaruar Shin Eun-kyung, ekonomist në Organizatën për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik. Koreja Jugore është cilësuar si vendi më i keq për punësimin e grave në mesin e vendeve të OECD-së, ndonëse gratë në këtë shtet aziatik renditen si më mirë të arsimuarat dhe akoma më të shkathëta në punë sesa meshkujt. Për më tepër do të ofrohen trajtime fertiliteti për nënat vetushqyese, si dhe për çiftet e pamartuara.

Ekspertët socialë do t’i trimërojnë burrat që të jenë më shumë pjesëmarrës në përkujdesjen e foshnjave dhe në çështjet e punëve të shtëpisë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Një kontrast ky prej përpjekjes së 2016-s nga ana e Qeverisë së mëparshme, të drejtuar prej presidentes së parë femër të vendit, Park Geun-hye, e cila e lansoi një uebfaqe që ofronte të dhëna në kohë reale për gratë e moshës së amësisë, për martesat apo lindjet, në shpresë që të nxitej gara mes qyteteve dhe rajoneve.

Uebfaqja ishte mbyllur vetëm pak ditë më vonë, pasi që gratë u ankuan se uebfaqja i bënte të ndiheshin “si organe reproduktive”.

“Vendi i sheh gratë si fabrika bebesh”, thekson Hong Sook-young, e cila drejton emisionin më të famshëm televiziv për fëmijë në vend. Kur është pyetur për masat e fundit, Hong ka thënë: “Të paktën shtirja se kemi nisur të dëgjojmë çfarë thonë njerëzit, është njëfarë pike fillestare drejt ndryshimit”.

Image

Parashikime pesimiste

Dhe bomba e kurdisur demografike e Koresë Jugore është para shpërthimit. Në parashikimet e fundit qeveritare thuhet se popullsia do të bjerë me të madhe deri në vitin 2027, përderisa një Komitet presidencial ka bërë të ditur se ngritja ekonomike e vendit do të mundë të pësonte rënie prej një për qind sherri i rënies së natalitetit.

Shkalla e lindshmërisë ka qenë kaherë prioritet në vend: që prej vitit 2006, Qeveria ka shpenzuar më shumë se 135 miliardë dollarë amerikan – sa vlera e ekonomisë së vendeve, si Hungaria për shembull – në mbështetje financiare të fëmijëve prej lindjes deri në kohën e universitetit, përcjell “Koha Ditore”. Dhe politika e sivjetme e mbështetjes së lindshmërisë kap vlerën e gjysmës së buxhetit të ndarë për sektorin e mbrojtjes kombëtare, megjithëse vendi është ende teknikisht në luftë me Korenë Veriore komuniste.

Por ekspertët e demografisë thonë se paraja nuk është halli më i madh: përvoja e vendeve të avancuara me shkallë të lartë lindshmërie, si Franca dhe Suedia, ka treguar se barazia gjinore luan rol qendror në këtë aspekt.

Dhe fondet e ndara më parë për nxitje të shkallës së natalitetit kanë prodhuar edhe kritika të shumta në mesin e spektrit politik dhe shoqërisë civile në Korenë demokratike.

Qeveria ka shkuar edhe përtej mbështetjes financiare dhe mbulimit të shpenzimeve të edukimit. Ta zëmë kishte mbështetur familjet që donin të qëndronin nëpër faltore me shpresë se do t’u shërbente për fuqizimin e lidhjes. Qeveria ka financuar edhe të rinjtë që kërkonin vende pune jashtë vendit për një kohë të caktuar. Dhe shumë shpejt do të marrin fund shumë prej këtyre programeve për shkak se në buxhetin e vitit 2019 për politikën e familjes është bërë një reduktim prej një çereku krahasuar me vitet paraprake.

Image

Politikë pa rezultate të pritura

“Është dashur të ketë shkurtime buxhetore shumë kohë më parë”, ka deklaruar Jae-hoon, profesor i mirëqenies sociale në Universitetin e Femrave në Seul.

Jung ka paralajmëruar megjithatë se Qeveria zor se do të mundë të bëjë ndryshime të mëdha radikale të kësaj politike duke pasur parasysh konservatorizmin e shoqërisë aziatike në përgjithësi.

Të dhënat tregojnë se lindjet jashtëmartesore nuk mbështeten nga shoqëria koreane. Deri më tani njoftohet se janë regjistruar vetëm 1.9 për qind e lindjeve me prindër të pamartuar. Ekspertët paralajmërojnë se kjo politikë nuk pritet të ketë ndikim të theksuar në ngritjen e shkallës së lindshmërisë, sikur ta zëmë në Francë, ku shifrat ishin larg më larta. Abortimi është ilegal dhe rregullat janë shumë më strikte.

Stigma e foshnjave prej prindërve të pamartuar ka shkuar aq larg saqë mund të shihet edhe në Kishën e komunitetit të Jusarangut në Seul, ku është ndërtuar një “baby box”, me perde dhe sistem të ngrohjes jashtë murit të kishës. Vjet, 261 fëmijë ishin braktisur në krejt vendin, tregojnë të dhënat zyrtare të ofruara prej autoriteteve të Koresë Jugore.

Vende pune për burra

Rreth 56 për qind të femrave prej 15 deri në 64 vjeçe punojnë në Korenë Jugore, përderisa mesatarja në shtetet e tjera të zhvilluara shkon në gjashtëdhjetë për qind, ndërkaq në 72 dhe 75 për qind në Danimarkë dhe Suedi, ku shkalla e lindshmërisë është ndër më të lartat në vendet e zhvilluara ekonomikisht. Ekspertët e fushës thonë se vajzat dhe gratë e reja po kanë më pak mundësi punësimi për shkak të diskriminimit.

Në nëntor, Gjykata Supreme ka fuqizuar dënimin me katër vjet burgim kundër një shefi ekzekutiv të një kompanie të fuqishme koreane për shkak se kishte manipuluar pikët e intervistave me qëllim që të nxirrte jashtë konkurrencës gratë.

Përderisa “Samsung Electronics” ka shkallë më të baraspeshuar gjinore në punësim se “Apple” globalisht, me numrin e femrave që përbëjnë 45 për qind të fuqisë punëtore të stafit në nivel botëror, vetëm një në katër punëtorë është femër në selitë e gjigantit elektronik në Korenë Jugore. Asnjë prej nëntë anëtarëve të bordit të gjigantit të makinave, “Hyundai” nuk është femër, krahasuar me gjashtë prej dymbëdhjetë anëtarëve të bordit në “General Motors”.

“Krejt procesi i shtatzënisë, lindjes dhe rritjes së fëmijëve po ndikon në karrierën tonë”, ka theksuar një asistente në “Hyundai”, pa dashur t’i publikohet emri për shkak se mund të përballet me pasoja, meqë nuk është e autorizuar të flasë për media, transmeton “Koha Ditore”. Ajo ka thënë se boshllëku ndërmjet punëtorëve meshkuj dhe atyre femra po e vështirëson edhe më shumë ndryshimin e gjendjes.

Një zëdhënëse e “Hyundai” ka thënë se kompania e saj mbështet politikat për barazi gjinore.

Kritikët e pranojnë se presidenti Moon po mundohet që me politikën e tij ta përmirësojë gjendjen e lindshmërisë në krizë dhe krijimit të mundësive të barabarta për dy gjinitë, ata vlerësojnë se nuk mjaftojnë vetëm politika për mbështetje financiare. Mendojnë se duhet të ketë edhe plane për lehtësime në sigurimin e patundshmërive për çiftet e reja.

Lee Kyuon-min, baba i tre fëmijëve, mendon se”krijimi i një strukture që do të na mundësonte të kishim shtëpinë tonë, do të ishte më shumë se e domosdoshme”.

Ekspertët thonë se duhet të ketë edhe ndryshime të ligjeve të punës pasi koreanojugorët hyjnë në mesin e njerëzve me orarin më të gjatë të punës në nivel botëror. Dhe nëse shkalla e lindshmërisë nuk përmirësohet në vitet dhe dekadat e ardhshme, ekonomia e vendit do të ishte për pesë për qind më e vogël më 2060.