Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe ka akuzuar SHBA-në dhe NATO-n se kanë detyruar Rusinë për ndërhyrje në Ukrainë. Kina lëshoi, gjithashtu, raketa mbi Tajvan dhe dukej se po provonte bllokadën ushtarake të ishullit pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve e SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në muajin gusht
Pas mungesës së gjatë nëpër takimet e mëdha ndërkombëtare, lideri kinez, Xi Jinping, ka dalë nga flluska e vendit të tij për mbrojtje nga koronavirusi dhe gjatë javës së ardhshme do të udhëtojë drejt botës së ndryshuar rrënjësisht nga konfrontimet e shpeshtuara.
Presidenti kinez do të marrë pjesë në samitin e G-20-s për tregjet dhe industrinë që do të mbahet në Indonezi, pastaj do të shkojë në samitin për Bashkëpunim Ekonomik të Azi-Paqësorit që do të mbahet në Tajlandë. Ai do të takohet individualisht me liderët e tjerë, përfshirë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të hënën. Ky takim do të jetë i pari “sy më sy” qëkur Bideni mori drejtimin e SHBA-së në janarin e vitit 2021.
Që prej vitit 2020, lideri kinez mesazhet e shtetit të tij i ka përçuar nëpërmjet videove. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur përkeqësim të madh në marrëdhëniet e Kinës me Perëndimin së pari për pandeminë e COVID-19, abuzimin e të drejtave civile në Hong-Kong, kërcënimet ushtarake kundër Tajvanit dhe taktikave të Pekinit për të përkrahur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Mirëpo Kina dhe Perëndimi po vazhdojnë ndarjen. SHBA-ja dhe Evropa janë duke e shikuar Kinën më me kritikë, me Gjermaninë që ka bllokuar investimet në kompanitë e saja, teksa liderët e Kinës kanë vazhduar rrugën e tyre.
Bruce Dickson, ekspert i politikës kineze në Universitetin e George Washingtonit, ka folur për “frikën e madhe dhe shqetësimet se Kina nuk dëshiron të jetë partnere me asnjë shtet. Dëshiron të shtyjë agjendën e vet pa marrë parasysh kundërshtimin që po i bëhet”.
Zërat e moderuar në Pekin dhe Washington që kanë bërë thirrje për marrëdhënie më të mira, janë duke u lënë anash. “Janë disa përpjekje se kush mund të dalë me politikat më të ashpra për t’u rezistuar përpjekjeve të Kinës”, ka thënë Dickson.

Vizitat e rralla
Pas vizitës shtetërore në Birmaninë fqinje në janarin e vitit 2020, Xi ka qëndruar në Kinë për më shumë se dy vjet.
Së pari ai doli për vizitë të shkurtër në Hong-Kong për 25-vjetorin e dorëzimit të territorit nga sundimi britanik më 1 korrik dhe pastaj udhëtoi në Kazakistan dhe Uzbekistan për samitin rajonal që u mbajt në muajin shtator.
Xiong Zhiyong, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Punëve të Jashtme në Kinë, pret që liderët kinezë t’i shpeshtojnë udhëtimet jashtë vendit pasi pandemia ka nisur të dobësohet.
“Situata e tanishme ndërkombëtare është më tepër komplekse dhe liderët kanë nevojë për mundësi diskutimi”, ka thënë ai. “Takimet online nuk mjaftojnë. Takimet e liderëve janë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme”.
Kryeministri i Pakistanit, Shahbaz Sharif, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, vizituan Pekinin për të takuar Xi në fillim të këtij muaji. Por sipas politikës “zero-COVID” të Kinës, mbetet e vështirë të udhëtosh në Kinë, ndërkohë që udhëtimi i brendshëm është i kufizuar kudo ku ndodh përhapja e madhe e rasteve.
Përveç Bidenit, liderët e tjerë që Xi do të takohet në këtë udhëtim përfshijnë presidentin indonezian, Joko Widodo, kryeministrin tajlandez, Prayut Chan-ocha, presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentin senegalez, Macky Sall, dhe presidentin argjentinas Alberto Fernández.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë të premten se do t'i kërkonte Xi-së të heqë miliarda dollarë barriera tregtare nëse takohen, teksa Bideni ka thënë në fillim të kësaj jave se ka në plan të diskutojë tensionet në rritje SHBA-Kinë mbi tregtinë, ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit dhe Marrëdhëniet e Kinës me Rusinë.
Kina nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe ka akuzuar SHBA-në dhe NATO-n se kanë detyruar Rusinë për ndërhyrje në Ukrainë. Kina lëshoi gjithashtu raketa mbi Tajvan dhe dukej se po provonte bllokadën ushtarake të ishullit pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve e SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi Tajvanin në muajin gusht.
Kina, gjithashtu, ndërpreu bisedimet me SHBA-në për një sërë çështjesh pas udhëtimit të Pelosit, duke përfshirë klimën, zonë ku bashkëpunimi midis dy emetuesve më të mëdhenj në botë të gazeve serrë është thelbësor për përpjekjet që po diskutohen në bisedimet e vazhdueshme të OKB-së për klimën në Egjipt për të kufizuar ndikimin e ndryshimi i klimës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian ka thënë të premten se “Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë së bashku me Kinën për të menaxhuar siç duhet dallimet, për të avancuar bashkëpunimin me përfitim reciprok, për të shmangur keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuara dhe për të sjellë marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e duhur, të shëndoshë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
Konsolidimi i pushtetit
Xi po e bën këtë udhëtim pasi ka konsoliduar pushtetin e tij në Kinë muajin e kaluar në një takim të madh të Partisë Komuniste që ka qenë në pushtet. Atij iu dha një mandat i tretë pesë-vjeçar si lider dhe organet e larta të partisë ishin të mbushura me besnikët e tij, duke sinjalizuar se qasja e tij ndaj politikës së jashtme dhe të brendshme do të vazhdojë.
Dyfishimi i buxhetit të saj të mbrojtjes nga Kina gjatë dy dekadave të fundit dhe militarizimi i ishujve në Detin e Kinës Jugore kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me politikën e deklaruar të saj për një “rritje paqësore”. Fqinjëve të Azisë Juglindore u është dashur të shkelin një vijë të hollë midis ruajtjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe shkaktimit të zemërimit të Kinës.
Në takimin e APEC në Tajlandë, Xi do të mbajë një fjalim mbi propozimet e Kinës për të thelluar bashkëpunimin Azi-Paqësor dhe për të promovuar rritjen ekonomike rajonale dhe globale, ka thënë Zhao.
Ai gjithashtu pritet të promovojë Iniciativën e tij për Zhvillimin Global, i cili është kritikuar për ngarkimin e vendeve të varfra me borxhe masive dhe për t'i dhënë Kinës kontroll të mundshëm mbi portet thelbësore dhe infrastrukturën tjetër nga Azia Juglindore në Evropë.
Megjithëse Xi i ka eliminuar të gjitha sfidat e brendshme politike, ai përballet me kërcënime në rritje në frontin ekonomik.
Rritja e Kinës ka rënë nën presionin e fushatave të rrepta anti-virus që kanë ndërprerë tregtinë, udhëtimin dhe zinxhirët e furnizimit, së bashku me një goditje të borxhit masiv në industrinë e pasurive të paluajtshme, e cila ka qenë një nxitës i rritjes.
Dickson ka thënë se takimi Xi-Biden në G-20 mund të ndihmojë në uljen e tensioneve. Por ai ka shtuar se: “Më duhet të them tani se është e vështirë të shohësh ndonjë vullnet që vjen nga secili vend për të provuar dhe stabilizuar gjërat dhe për të mbajtur spiralen në rënie që të mos vazhdojë”.