Regin Yasin ulet në rreshtin e parë. “Dua të mësoj kinezisht, sepse unë e di se Kina do jetë shumë e fuqishme në të ardhmen”, tha studenti 20-vjeçar. “Territori i Kinës do të zgjerohet deri këtu, prandaj edhe e zgjodha ta mësoj këtë gjuhë”. Interesat e Kinës në Irak, të lidhura me energjinë dhe me nevojat në ngritje janë një tjetër faktor
Në një klasë në Irakun verior, Zhivei Hu dirigjon studentët e tij sikur një dirigjues orkestre. Ai bën pyetje dhe studentët e tij i kthejnë përgjigje rrjedhshëm në gjuhën kineze.
52-vjeçari është duke i dhënë mësim një grupi studentësh kurdë irakianë me urdhër të konsullatës kineze, e cila ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Irbilit.
“... sepse Kina do të jetë shumë e fuqishme”
Klasa e tij është pjesë e një eksperimenti të Universitetit “Salahaddin” në Irak. Nëse këta studentë ia dalin të diplomojnë, Departamenti i Gjuhës Kineze do të hapet zyrtarisht për regjistrimin e studentëve të tjerë, kështu duke u mundësuar kompanive të shumta kineze në krahinën kurde të Irakut zgjidhje të shumta për punëtorë.
Regin Yasin ulet në rreshtin e parë. “Dua të mësoj kinezisht, sepse unë e di se Kina do të jetë shumë e fuqishme në të ardhmen”, tha studenti 20-vjeçar. “Territori i Kinës do të zgjerohet deri këtu, prandaj edhe e zgjodha ta mësoj këtë gjuhë”.
Interesat e Kinës në Irak, të lidhura me energjinë dhe me nevojat në ngritje janë një tjetër faktor. Pekini është duke ndërtuar termocentrale, fabrika, objekte për trajtimin e ujërave, gjithashtu edhe shkolla të cilat janë shumë të nevojshme në gjithë vendin.
Dhjetëra kontrata të nënshkruara gjatë viteve të fundit sigurojnë rritjen e bashkëpunimeve të Kinës, edhe gjatë kohës kur kompanitë perëndimore, duke përfshirë këtu SHBA-në, planifikojnë të largohen. Zyrtarët e Irakut thonë se dëshirojnë që SHBA-ja të jetë prezente, megjithatë, atyre u pëlqen oferta e Kinës për zhvillim, pa kushte për demokraci apo reforma.

Gjuha në shërbim të politikës ekonomike
Shkolla e gjuhës ka për qëllim ta familjarizojë rajonin me shtetin e Kinës.
“Sa më shumë të familjarizuar që janë, aq më shumë do të joshen nga produktet kineze”, tha Sardar Aziz, studiuesi i cili shkroi një libër në gjuhën kurde rreth marrëdhënieve të Kinës me Irakun.
Kompanitë kineze zotërojnë sektorin ekonomik më të rëndësishëm të Irakut, atë të naftës, ndërsa Pekini shpenzon 40% të eksportit të papërpunuar të Irakut. Duke investuar më parë vetëm në hidrokarbure, tani Kina ka mundësuar që investimet e saj të përfshijnë edhe industritë e tjera, financat, transportin, ndërtimin dhe komunikimin.
Ky ndryshim u nxit nga njoftimi që presidenti kinez Xi Jinping bëri në vitin 2013. Sipas këtij njoftimi iniciativa Rripi dhe Rruga, e njohur edhe si Rruga e Re e Mëndafshit, përbëhej nga një numër i madh iniciativash për zhvillim dhe investim që nga Azia Lindore, Lindja e Mesme e deri në Evropë. SHBA-ja konsideron këtë gjë shqetësuese.
Kjo iniciativë kërkon që Kina të zhvillojë marrëdhënie me shtete përmes koordinimit politik, lidhjeve infrastrukturore, integrimeve tregtare dhe financiare dhe lidhjeve me njerëz.
Në vitin 2017, konsullata kineze iu drejtua Kolegjit të Gjuhëve të Universitetit “Salahaddin” me idenë për hapjen e një departamenti të gjuhës kineze. Hapja e një shkolle në kryeqytetin e Bagdadit sjell rreziqe sigurie, por rajoni verior i udhëhequr nga kurdët ishte kryesisht i sigurt.
“Ata përmbushën çdo kërkesë”
Drejtori i kolegjit, Atif Abdullah Farhadi, thotë se në fillim universiteti nuk ishte i sigurt se ky departament do t’u interesonte studentëve apo nëse do mund të gjenin mësues të kualifikuar për këtë drejtim. Kështu, Farhdi kërkoi nga konsullata që të sigurojë paga për mësuesit, libra, dhe gjëra të tjera teknologjike të nevojshme për klasë si dhe mundësi të shkëmbimit të studentëve në Pekin.
“Ata përmbushën çdo kërkesë”, tha Farhadi. Departamenti u hap në vitin 2019 dhe vitin e ardhshëm do të diplomojë gjenerata e parë. “Pastaj do zgjerohemi më shumë”.
Studentët thonë se të mësuarit për të shkruar në gjuhën mandarine, e cila është gjuha zyrtare e Kinës kontinentale, ishte pjesa më e vështirë. Mijëra shkronja të veçanta duheshin memorizuar. Pastaj duhej mësuar edhe shqiptimi.
Pas pesë orëve mësim, pesë herë në javë gjatë tre vjetëve. “Ata po flasin shumë mirë”, tha Hu.
Farhadi dëshiron që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Departamentin e Gjuhës Angleze, mirëpo konsullata e SHBA-së dhe Anglisë rrallë kanë ofruar ndihmë. “Ata nuk na mbështesin fare”, tha ai.
Derisa Kina zgjerohet ekonomikisht, kompanitë perëndimore të naftës po bëjnë të kundërtën.
Shumë kanë shprehur pakënaqësi me rrethanat e rrezikshme për investim në Irak dhe kushtet e pafavorshme të kontratave.
Kompania gjigante e SHBA-së për naftë, “Exxon Mobil”, është larguar nga fusha e naftës “West Qurna 1” vitin e kaluar, pavarësisht lutjeve të Irakut për të qëndruar, kishte thënë ministri i Naftës, Ihsan Abduljabbar Ismail, për “The Associated Press”. Prezenca e një kompanie të madhe të SHBA-së në Irak për një kohë të gjatë kishte bërë që edhe kompanitë e tjera të ndihen të sigurta.
Kompania “British Petroleum”, operatorja e fushës më të madhe të naftës në Irak, planifikon ta ndërpresë biznesin e saj atje me një njësi tjetër në pronësi të përbashkët me Korporatën Kombëtare të Naftës së Kinës. Kompanitë e tjera të naftës, përfshirë kompaninë “Lukoil” të Rusisë, si kusht për të qëndruar po kërkojnë ndryshime në kushtet e kontratës.

Lidhjet e reja
Kohët e fundit, Iraku finalizoi kushtet me kompaninë “Sinopec” të Kinës për të zhvilluar fushën e gazit të Mansuriya, e cila mund të prodhojë 300 milionë metra kub në ditë nëse miratohet nga qeveria e ardhshme e Irakut.
Investimi në Irak është një rrezik që Kina është e gatshme ta marrë përsipër. Firmat kineze ofrojnë gjithmonë kontrata më tërheqëse dhe me çmime më të ulëta, thanë zyrtarët e industrisë dhe zyrtarët irakianë.
Të enjten është dita e "Këndit kinez" në departamentin e gjuhës. Bizneset kineze vijnë dhe takojnë studentët me pretekstin e praktikimit të aftësive gjuhësore, mirëpo shumica përfundojnë me premtime për punësim në të ardhmen.
"Ne flasim në kinezisht për biznesin dhe të ardhmen”, tha studenti, Hivar Saadi. "Ata vijnë tek ne për të na takuar dhe për të krijuar lidhje".
Dy studentë tashmë po punojnë me kohë të pjesshme si përkthyes për një kompani telekomunikimi kineze.
“Është e kundërta në çdo departament tjetër të universitetit. Tek ne oferta është e lartë, por kërkesa për punë është e ulët”, tha Farhadi. "Këtu, studentët po refuzojnë ofertat e punës për t'u fokusuar në studime".
Ndikimi kulturor
Mësimet përfshijnë edhe aspekte të kulturës dhe historisë kineze. Hu është gjithmonë i gatshëm për t'u kujtuar studentëve të kaluarën e përbashkët të Pekinit dhe Irbilit: Iraku ishte pjesë e rrugës së lashtë tregtare Rruga e Mëndafshit, që lidhte dinastinë Han të Kinës me Perëndimin.
Ish-ambasadori irakian në Pekin, Mohammed Saber, tha se gjatë kohës së tij atje, zyrtarët kinezë shpesh kujtonin historinë e tyre të përbashkët. Shumë kinezë gjithashtu kujtonin se si në vitet 1950-ta, Iraku dërgoi tonelata me hurma në Kinë për të ndihmuar gjatë urisë për bukë.
Kur Sabir mori postin e tij në 2004, tregtia Irak-Kinë ishte rreth gjysmë miliardë dollarë. Kur ai u largua në 2010 ishte 10 miliardë dollarë, ndërsa vitin e kaluar ai arriti afërsisht 30 miliardë dollarë.
“Ata kanë nevojë për naftën tonë dhe ne duhet të gjejmë tregun për të shitur naftën. Kjo gjë është reciproke”, tha ai.
Yao Yan, një vendase nga Pekini që shet mallra kineze në tregun e Irbilit, pajtohet. Ajo tha se Iraku i ofronte shpresa më të mira ekonomike. Ajo i dërgon të ardhurat e saj në shtëpi për t'u kujdesur për djalin e saj adoleshent me aftësi të kufizuara.
"Edhe kur ka një krizë ekonomike këtu", tha ajo, duke iu referuar një krize të vitit të kaluar "te ardhurat janë ende të mira për Kinën”.
Në shkollën e gjuhës, Diaa Sherzad sapo ka përfunduar një provim me gojë. 21-vjeçari tha se është gjithmonë duke menduar se çfarë të bëjë më pas. “Gjëja më e rëndësishme është se si mund t'i shërbej popullit tim. Mësimi i gjuhës kineze do të ndihmojë për të ardhmen dhe për gjithçka”.
Përktheu: Marigona Avdimetaj