Profesorët e së drejtës kanë thënë se përdorimi i pamjeve të bombardimeve në Jemen gjatë një gjykimi kanë treguar se si fotografitë e shpërndara online kanë “transformuar” dokumentimin e sulmeve mizore. Një hulumtues në internet ka thënë se kishte shumë informacione të dobishme dhe të verifikueshme në pamjet e kapura në zonën e luftës
Imazhet e postuara në internet do të jenë vendimtare në ndjekjen penale të krimeve të luftës në Ukrainë, kanë theksuar ekspertët ligjorë në Mbretërinë e Bashkuar.
Profesorët e së drejtës kanë thënë se përdorimi i pamjeve të bombardimeve në Jemen gjatë një gjykimi kanë treguar se si fotografitë e shpërndara online kanë “transformuar” dokumentimin e sulmeve mizore. Një hulumtues në internet ka thënë se kishte shumë informacione të dobishme dhe të verifikueshme në pamjet e kapura në zonën e luftës.
Trend në ngritje
Por ekspertët gjithashtu kanë thënë se rrëfimet e dëshmitarëve okularë nuk duhet të anashkalohen. Rastet kundër individëve të cilët kanë kryer krime lufte në Ukrainë, mund të varen nga imazhet e paverifikuara të vrasjeve, dhunës seksuale dhe torturës gjatë luftës, ka thënë profesoresha Yvonne McDermott Rees, e cila udhëheq projektin për Hulumtimin me Burime të Hapura për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Swanseas.
Ajo shtoi se të dhënat e njohura si informacione me burim të hapur kanë “transformuar plotësisht mënyrën tonë të identifikimit të rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut. Jemi duke parë çdoherë e më shumë që komisionet hetimore të OKB-së, misionet për gjetjen e fakteve, madje edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë, po përdorin këtë lloj të provave”.
Profesori McDermott Rees ka thënë se informacionet e burimeve të hapura po ashtu janë përdorur në gjykatat suedeze dhe holandeze për të ndjekur penalisht anëtarët e të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, të cilët ishin kthyer nga Siria. Informacionet me burime të hapura janë informacione të cilat janë lehtësisht të qasshme në internet.
“Videoja e prerjes së kokës e shpërndarë në YouTube ose Facebook, është provë që mund të përdoret”, ka thënë ajo duke shtuar se të dhëna të ngjashme janë testuar së fundmi për t’u përdorur në një gjykatë në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2018, pamje të paverifikuara të pasojave të sulmit ajror vdekjeprurës në zyrën e presidencës në Sana, kryeqyteti i Jemenit, u postuan në Twitter.

Dëshmitë kritike të kalimtarëve
Uebsajti hulumtues me burim të hapur, “Bellingcat”, ka përdorur vendndodhjen gjeografike, imazhet satelitore dhe ka krahasuar qindra fotografi për të dokumentuar sulmin. Ata pastaj kishin paraqitur provat e tyre në një gjykim “stimulues” të një piloti fiktiv saudit të akuzuar për krime lufte.
“Ne donim të shihnim nëse njëra nga këto video do të pranohej si provë në gjykatat e zakonshme në Angli dhe Uells”, ka thënë Nick Waters, drejtuesi i përgjegjësisë së drejtësisë në “Bellingcat”. Ai ka shtuar se rezultatet ishin metoda “që ne tani po e përdorim për të mbledhur dhe verifikuar incidentet në Ukrainë”.
“Problemi është se tani në mes të luftës kalimtarët rrallë mendojnë për gjykime kriminale. Ata po ndajnë këto pamje me qëllim për t’i treguar botës se çfarë kanë parë”, shpjegoi profesori McDermott Rees. Kalimtarët po inkurajohen të filmojnë pamje të monumenteve dhe të ndërtesave duke përdorur aplikacionin në telefon të krijuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Avokatëve, të quajtur “eyeWitness”.
“Ky aplikacion kap të dhënat, kohën, datën, dhe vendin ku kjo përmbajtje është incizuar. Nëse po bëni incizime të tilla, dhe po kapni lëndimet që njerëzit kanë përjetuar, armët e përdorura, mundohuni që të kapni edhe pamjet e monumenteve apo ndërtesave në sfond”.
Ajo ka thënë se “Witness”, organizatë bamirëse që përdor video për të dokumentuar abuzimet e të drejtave të njeriut, ka publikuar udhëzime se si kalimtarët mund të mbledhin imazhe që do të jenë të pranueshme për t'u përdorur në gjykata. Hetuesit e krimeve të luftës po ashtu po luftojnë kundër qëndrimeve se fotografitë online nuk mund të jenë të besueshme.

Fuqia e videodëshmisë së George Floydit
“Ekzistojnë shumë informacione të dobishme dhe të verifikueshme që postohen në internet”, ka thënë Waters, duke shtuar se është e vështirë të falsifikosh incidente në internet, sepse ngjarjet reale vijnë nga burime të shumta.
Avokatja Dearbhla Minogue, e cila punon me bamirësinë për të drejtat e njeriut të quajtur “Rrjeti Global i Veprimit Ligjor” dhe me “Bellingcat”, ka thënë se të shikosh videot e ngjarjeve që po ndodhin është shumë më bindëse sesa vetëm të dëgjosh për to.
“Si shembull është rasti i vdekjes së George Floyd. Njerëzit e kanë parë rastin duke ndodhur, përfshirë këtu gjyqtarët, përmes filmimeve të një kalimtari. Kjo gjë ndikoi në rezultatin e gjykimit, sepse nuk ishte më fjala e një personi kundër një tjetri”, ka thënë Minogue. Universiteti i Kalifornisë ka zhvilluar rregulla për përdorimin e informacioneve digjitale me burim të hapur, të quajtur “Protokolli i Berkelit”.
Pyetja me të cilën përballen prokurorët e krimeve të luftës, tha Minogue, është se si ta sigurojmë gjykatësin që videoja nuk është e falsifikuar ose e manipuluar për arsye politike. “Një video e cila thjesht përhapet online me pretendimin se ajo paraqet pasojat e një sulmi ajror, si mund të dihet që ajo është e vërtetë, që nuk është inskenuar apo falsifikuar?” - ka thënë ajo. Mënyra e zakonshme në gjykatat vendase është që personi i cili e ka filmuar ngjarjen të thirret për të dhënë dëshmi në gjykatë.
Kombinimi i dëshmive
“Por në rastet kur kemi informacione që vijnë nga burime të hapura, kur nuk dihet autori, nuk mund të pyesësh se si është krijuar videoja, nëse është manipuluar me të apo jo. Duke përdorur informacionet e marra në video dhe duke i krahasuar ato me imazhet satelitore apo video të tjera të cilat tregojnë ngjarjen e njëjtë, mund t’i bashkojmë të gjitha këto pjesë të përmbajtjes dhe të vlerësojmë nëse është e vërtetë apo jo".
Profesori McDermott Rees paralajmëroi se derisa informacionet që vijnë nga burime të hapura mund të ndihmojnë, “është e rëndësishme të mos humbasim edhe pikëpamjen e njerëzve në gjithë këtë. Në Jemen nuk janë marrë parasysh vetëm provat që vijnë nga burime të hapura, por edhe të dhënat e mbledhura nga OJQ-të në terren”.
“Në Ukrainë, prova të përdhunimit janë dokumentuar nga dëshmitë e të mbijetuarve, kështu që është shumë me rëndësi që të mos nënvlerësojmë rëndësinë e shpjegimeve të njerëzve. Është e rëndësishme të tregojmë se kur kryhen krime ndërkombëtare, ato nuk do kalojnë pa u ndëshkuar”, ka thënë Rees.
“Pra, ne duhet të sigurojmë që puna e dokumentimit dhe mbledhjes së informacioneve të vlerësohet në gjykatë dhe të sjellin drejtësi. Ne të gjithë po shohim këto pamje shqetësuese që vijnë nga vende të ndryshme të Ukrainës dhe mendoj se të gjithë ne duam të shohim që drejtësia të vihet në vend”, ka shtuar ajo.
Përktheu: Marigona Avdimetaj