Botë

Gardianet e fjalës së lirë në luftë

Afganistani renditet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të rrezikut për gazetarët. Pavarësisht vrasjeve dhe së ardhmes së paqartë, reporterët nuk po heqin dorë prej profesionit të tyre. 21-vjeçarja Bushra Seddqiue është njëra prej tyre. Nuk është dorëzuar edhe pse me sytë e saj pa se si një sulm i dytë me bombë poshtë ndërtesës së saj ua mori jetën nëntë gazetarëve më 2018 në Kabul

Ora ishte rreth tetë e mëngjesit në prillin e vitit 2018 kur Bushra Seddqiue ndjeu se po dridhej ndërtesa shumëkatëshe në të cilën po jetonte me familje, në lagjen Shash Darak në Kabul. Tymi i zi po ngrihej prej rrugës poshtë.

Ajo nuk kishte kohë as të merrte vesh se çfarë po ngjante derisa babai po e nxirrte ngutshëm familjen jashtë, duke kaluar nëpër të plagosur e të vdekur, por ajo e mban mend fort mirë se i pa gazetarët duke vrapuar, me kamera në duar drejt skenave të shpërthimit.

Gjysmë ore më vonë u dëgjua shpërthimi i dytë: nëntë gazetarë, të cilët kishin mbërritur te vendi i ngjarjes së shpërthimit të parë, do të vriteshin prej të dytit.

“Traumatike, por edhe frymëzuese”

Ishte hera e parë që Seddique, tani 21 vjeçe, do të shihte me sytë e saj rrezikun me të cilin përballeshin përditë gazetarët afganë, shkruan “Al-Jazeera” në edicionin e gjuhës angleze për sfidat e rrezikshme gjatë punës së reporterëve në shtetin e trazuar.

“Ishte traumatike, por frymëzuese të shihje guximin dhe përkushtimin e tyre”, thekson ajo.

Atëherë Seddique ishte në vitin e dytë të programit të gazetarisë në Universitetin e Kabulit. Ajo tani ka diplomuar dhe ka nisur karrierën e saj me përzierje vendosmërie dhe drithërimi.

“Gjatë viteve të fundit na janë vrarë shumë gazetarë në sulme me bomba dhe prej sulmeve të shënjestruara dhe kjo është tragjike e frikësuese”, shpjegon ajo për televizionin nga Katari. “Është zhgënjyese për mua dhe për këdo që po mundohet të krijojë përvojë si reportere”.

“Megjithatë, unë dua të vazhdoj”, shton Seddique. “Duke zgjedhur gazetarinë si profesion, tashmë kam pranuar pengesat dhe vështirësitë e punës në këtë vend”.

Seddique e kupton pse, pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme, gazetarët afganë nuk heqin dorë prej karrierës së tyre. Ajo dëshiron që bota ta shohë Afganistanin më shumë sesa thjesht një zonë lufte dhe shpreson se nëpërmjet gazetarisë së saj të ofrojë një alternativë ndaj portretizimeve tipike për vendin e saj në mediat perëndimore.

“Afganistani ka një alamet historie të pasur antike dhe një pasuri të madhe kulture. Dua të rrëfej histori të pathëna të njerëzve të rëndomtë”, thekson ajo për “Al-Jazeeran”.

“Unë besoj se gazetaria nuk është thjesht punë ose temë”, thekson ajo me vendosmëri. “Ushtrimi i këtij profesioni është dëshirë për ndryshim dhe për të ndihmuar”.

Profesion i rrezikshëm

Gazetaria është një prej profesioneve më të rrezikshme në vend. Sipas Reporterëve pa Kufij, së paku 85 gazetarë afganë janë vrarë për shkak të punës së tyre në 20 vjetët e fundit. Pasi talebanët morën kontrollin më 1996, gazetaria u përball me kufizime të skajshme (sikurse ndodhi edhe sundimit sovjetik), duke u kthyer pothuajse në profesion që nuk ekziston. Pajisjet televizive u shkatërruan dhe të gjitha kanalet televizive u mbyllën brenda natës. Fotografitë, komentet dhe editorialet e gazetave u ndaluan dhe pjesa më e madhe e mediave dhe publikimeve të shtypura u mbyllën. Vetëm shkrimet propaganduese radiofonike me përmbajtje krejtësisht fetare u lejuan të vepronin. U lejua vetëm gazeta fetare e drejtuar nga talebanët, “Emirati Islamik”.

Pas pushtimit amerikan dhe të NATO-s në Afganistan dhe rrëzimit të talebanëve, vendi përjetoi ngritje të shpejtë në sektorin e mediave. U hapën shumë stacione radiotelevizive dhe më shumë se një mijë burime mediatike sot ekzistojnë në vend, shkruan “Al-Jazeera”.

Si shteg karriere, gazetaria nuk është diçka që shumë familje afgane janë të etura t’i inkurajojnë fëmijët e tyre për shkak të rrezikut dhe pasigurisë në punë. Reporterët shpesh nënshkruajnë kontrata punësimi me media vendase pa klauzola sigurie ose përfitime sigurimi për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë. Gjithashtu ka pak vende pune me paga të mira.

Profesion alternativ?

“Në Afganistan nuk ka pagë minimale dhe secila organizatë mediatike paguan stafin sipas hesapeve të veta. Paga mesatare e një gazetari afgan varet nga përvoja dhe varësisht nëse punon për një medium vendas apo ndërkombëtar. Mediat lokale i paguajnë gazetarët nga 200 deri në 1.000 dollarë amerikanë, derisa mediat ndërkombëtare mund t’u ofrojnë paga prej 600 deri në 3.000 mijë dollarë amerikanë. Gazetarët e rinj paguhen me pagat më të ulëta brenda këtij spektri”, njofton “Al-Jazeera”.

Prapëseprapë, janë 12 programe gazetarie në universitete shtetërore në mbarë vendin. Në Universitetin e Kabulit, ku ka studiuar Seddique, 1.152 studentë janë të regjistruar në programe gazetarie dhe komunikimi, me përfaqësim gjinor pothuajse pesëdhjetë me pesëdhjetë.

“Ata po ndjekin studimet universitare me pasion për t’i kontribuar të mirës së këtij vendi”, thekson Abdul Qahar Havad, profesor asistent i gazetarisë në Universitetin e Kabulit dhe ish-mësimdhënës i Seddique. Megjithatë, ai e pranon për “Al-Jazeeran” se gazetaria zakonisht nuk është zgjedhja e parë e studentëve; është karrierë që mësohen ta çmojnë me krijimin e përvojës.

Seddique e di fort mirë këtë, sepse as ajo nuk e kishte gazetarinë profesion të zemrës. Ishte rritur me dëshirën që një ditë të bëhej mjeke ose avokate, por në shkollë të mesme, sistemi vlerësues i notave i Qeverisë afgane ia përcaktoi gazetarinë për studime universitare, apo profesionin e saj të tretë të zemrës.

Konkurrencë e ashpër

Të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që kërkojnë të marrin indeksin e studentit duhet të futen në testin Kankor. Studentët garojnë për një vend bashkë me kandidatët e tjerë nga krahinat e tyre dhe pikët janë mekanizmi i vetëm që ua mundëson të pranohen në departamentin e dëshiruar universitar. Studentëve u lejohen të zgjedhin pesë fusha me qëllim që të zgjedhin kur mund të bëhen pjesë e testit kombëtar, por përtej kësaj, mund të regjistrohen vetëm në fakultete që ua lejojnë pikët e arritura. Seddique nuk ishte zhgënjyer me rezultatin e saj. Më e rëndësishme ishte që u bë pjesë e universitetit më të njohur të Afganistanit në një konkurrencë të lartë kandidatësh. Si studente, një prej tri shkrimeve të para që e kishte shkruar thelbësonte jetën e njerëzve të zhytur në mjerim në Sar-e Yakhdan, një lagje kodrinore në perëndim të Kabulit. Iu desh të udhëtonte gjatë tërë ditës drejt zonës pyjore dhe të kthehej.

“Isha studente dhe po udhëtoja vetëm si vajzë e re për të raportuar një kronikë. Në Afganistan kjo është e pazakonshme për gratë e reja”, ka shpjeguar ajo për “Al-Jazeeran”. “Mbaj mend se burrat m’i ngulën sytë me neveri dhe më pyesnin pse kisha dalë e vetme në rrugë. Disa madje më pyesnin me ashpërsi. Ndihesha e pasigurt dhe e frikësuar”.

Punë burrash!

Një herë tjetër, derisa po bënte praktikën për një gazetë kombëtare gjatë vitit të dytë të studimeve universitare dhe po merrej me një shkrim për disa prej tregjeve më të mëdha në qytet, e kishin fyer pazarxhinjtë. Njëri prej tregtarëve e lajmëroi policinë, që pastaj e mori në pyetje në rrugë dhe i kërkoi të largohej nga zona.

“Gratë nuk kanë siguri. Gjatë epokës së talebanëve, gratë fshiheshin nën burka. Pas largimit të tyre, ne iu kthyem shoqërisë, por ende nuk shiheshim fort dhe persekutoheshim, madje edhe ngacmoheshim seksualisht”, shpjegon ajo. “Hapësira mediatike dominohet prej burrave me pikëpamje negative për gratë. Disa burra ende mendojnë se gratë që punojnë në media janë të pamoralshme”.

Pos ngacmimit, vrasjet e shënjestruara jashtë vendit të punës dhe shtëpive përbëjnë një tjetër rrezik, si dhe shpërthimet e dyta pas sulmeve të para me bomba që kanë synim gazetarët dhe ekipet mediatike, duke ngritur numrin e viktimave – sikurse ndodhi më 2018 në sulmin që Seddique e pa me sytë e saj prej dritares së banesës, i cili ua mori jetën nëntë gazetarëve.

(Vijon)

Përktheu: Rexhep Maloku