Botë

Frika nga virusi po i detyron prindërit në Spanjë që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë

Angela Lopez nuk ka profilin e një personi që thyen rregulla. Por nëna e një vajze 7-vjeçare me probleme respiratorike e ka gjetur veten në mesin e prindërve që janë të gatshëm të sfidojnë autoritetet spanjolle në urdhrin për kthimin në shkolla, shkruan agjencia AP.

Një valë e re e koronavirusit e ka goditur vendin. Prindërit frikësohen se nxënësit mund t’i infektojnë të afërmit që janë më të rrezikuar të sëmuren nga COVID-19. Ata thonë se kanë investuar në kompjuterë dhe internet më të mirë për të përgatitur fëmijët për mësim online, madje edhe janë duke u përgatitur për t’i shkolluar në shtëpi nëse është kjo e nevojshme.

Shumë nga prindërit hezitues, përfshirë edhe Lopez, janë të gatshëm për t’u ngritur ndaj vendimit të Qeverisë, edhe nëse kjo nënkupton me përballje me akuza për mungesë të pajustifikueshme nga mësimi, që në Spanjë mund të dënohet me tre deri gjashtë muaj burg.

Vajza e saj është lindur me një gjendje që e bën më të prirur për të pësuar episode të spazmës bronkiale, që mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje. Pasi COVID-19 po e prek sistemin respirator, Lopez nuk dëshiron të rrezikojë.

“Ndjehemi të pashpresë dhe të ofenduar. Është sikur po na detyrojmë të bëjmë një veprim joligjor, pasi nuk po na japin zgjidhje tjetër”, thotë Lopez, që jeton në Madrid. “Është çështje e statistikave. Sa më teprë raste që ka, aq më tepër ka mundësi të infektohesh”.

Më tepër se 500 mijë persona janë infektuar me koronavirus në Spanjë, ndërsa kanë vdekur së paku 29.500 persona. Ndonëse në këto shifra mungojnë shumë persona që kanë vdekur në mars dhe prill pa u testuar.

Me një mesatare prej 229 raste të reja për 100 mijë banorë gjatë dy javëve të fundit, Spanja aktualisht ka nivelin më të lartë të infektimit në perëndim të Evropës. Shumë ekspertë në Spanjë po vlerësojnë se po vjen vala e dytë e pandemisë, ndonëse qeveria e Spanjës insiston se tash po i identifikon shumicën e të infektuarve për shkak të më tepër testimeve dhe po ashtu kushteve më të mira.

Po ashtu zyrtarët thonë se më tepër se gjysma e të infektuarve tash nuk po shfaqin simptome, që shpjegon edhe pse spitalet që kanë pasur telashe kur pandemia ishte në kulm, po ka më pak pacientë kësaj radhe.

Derisa rastet e reja po rriten, reagimet e prindërve kanë filluar. Autoritetet spanjolle kanë lëshuar direktiva të reja javën e kaluar për rihapjen e shkollave. Në to përfshihet vënia e detyrueshme e maskës për nxënësit nga mosha 6-vjeçare e më lartë, po ashtu kontrollim i temperaturës çdo ditë, të lahen duart së paku pesë erë në ditë dhe të ketë ajrosje të vazhdueshme të klasave.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka rekomanduar krijimin e të ashtuquajturave “klasa fluskë”, ku një numër më i vogël i nxënësve do të mund të bashkëveprojnë mes vete, dhe “koordinatorët COVID” në çdo shkollë që mund të reagojnë shpejtë në rast se identifikohet përhapja.

Por shumë prindër thonë se financimi është i pamjaftueshëm për të angazhuar më tepër mësues dhe disa shkolla thjeshtë nuk kanë hapësira shtesë. Po ashtu shohin jokonsistencë te autoritetet duke lejuar deri në 25 fëmijë në klasë, ndërsa po ndalojnë tubimet e njerëzve nëpër rrugë dhe po ashtu kanë ndaluar jetën e natës për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në Madrid, këto kufizime janë shtyrë edhe nëpër shtëpi madje, ku nuk lejohet tubimi i më tepër se 10 familjarëve apo shokëve.

Mbi tetë milionë nxënës në Spanjë e kanë nisur vitin akademik këtë javë apo do ta nisin javën e ardhshme, ku data e fillimit dallon në 17 regjione e po ashtu sipas nivelit të shkollimit.

Ndonëse shkencëtarët ende po studiojnë rolin e fëmijëve në përhapjen e COVID-19, fëmijët më të vegjël duken më pak infektiv sesa tinejxherët. Fëmijët shumica pësojnë vetëm infeksion të butë kur marrin virusin, por në raste të rralla mund të sëmuren më rëndë. Studimet thonë se ata bartin virusin te familjarët tjerë, përfshirë prindërit.

Aroha Romero, një nënë e dy fëmijëve që jeton në Valencia, ka thënë se mungesa e qartësisë po e rrit frikën.

“Më para do të rrezikoj të dënohem për mungesë të fëmijëve në shkollë, sesa që fëmijët e mi të rriten pa nënë shkaku i koronavirusit”, ka thënë Romero.

Lorenzo Cotino, një profesor i juridikut në Universitetin e Valencias, që ka studiuar ndikimin e legjislacionit në edukim, ka thënë se pandemia ka riforcuar idenë se barazua dhe shkollimi shkojnë “dorë më dorë”. Ai ka thënë se fëmijët “në grupet ku ka më pak internet do të kenë edukim më të dobët në shtëpi”.

Por prindërit thonë se kushtetuta e Spanjës u jap atyre lirinë që t’i mbajnë fëmijët larg shkollave. Por nuk ka ndonjë ligj për shkollim në shtëpi, e as një sistem që cakton standardet për studim në shtëpi.

Situata është e ngjashme në Gjermani, ku shkollimi në shtëpi është joligjor, ndonëse ka pasur entuziazëm atje për kthimin në shkollë. Po ashtu edhe në Britani ka pasur entuziazëm, ku janë dërguar nxënësit në shkolla në shifra të mëdha. Qeveria e Britanisë ka thënë se do të gjobisë prindërit për mosdërgim të fëmijëve në shkollë vetëm si zgjidhje të fundit.

Edhe në shtetet evropiane ku lejohet shkollimi në shtëpi, praktika nuk është aq e përhapur sa në SHBA. Në Francë ekziston një sistem i mësimit në distancë, por prindërit mund të zgjedhin që t’i edukojnë privatisht fëmijët.

Autoritetet e edukimit në Francë thonë se është tepër herët në vitin akademim për të identifikuar nëse koronavirusi po e rrit trendin e shkollimit në shtëpi.

Në Spanjë, kryeministri Pedro Sanchez, ka palarajmëruar për rreziqet e përjashtimit social që vijnë me moskthimin në shkollë. Ndonëse ai ka thënë se nuk mund të thuhet se ka “zero rrezik”, ai ka shtuar se si nxënësit ashtu edhe mësuesit do të jenë shumë më të sigurtë në shkolla sesa në vende tjera.

Ministrja e Edukimit, Isabel Celaa, ka pranuar se një numër i nxënësve do të mungojë për shkaqe shëndetësore. Por ajo ka thënë se mësimi në shkollë nuk mund të zëvendësohet me shkollimin në shtëpi.

Kur Spanja ishte mbyllur për tre muaj, me miliona nxënës u detyruan të përfundonin vitin shkollor në shtëpi dhe papritmas prindërit e tyre u bënë edhe mësues të tyre. Mësimet online ndihmuan mjaft dhe krijoi një rrugë të re mësimi në kohën e pandemisë, thonë familjet.

Kërkesa tash është që të bëhet standard edukimi online me një program digjital zyrtar që do t’i ndihmojë nxënësit me mësime së paku deri në dhjetor, gjatë semestrit të parë të vitit akademim. Po ashtu thonë se laptopët dhe pajisje tjera teknologjike duhet të shpërndahen për të zvogëluar dallimin në teknologji mes familjeve.

“Ne do të mbrojmë veten duke përdorur gjitha mjetet ligjore dhe argumentet, në rast se autoritetet dhe familjet nuk arrijnë marrëveshje”, thotë Josu Gomez, i asociacionit “Kthim i Sigurt në Shkollë”, ku janë regjistruar afro 1500 familje për tri javë. Rreth 250 mijë tjerë kanë firmosur për dy muaj te peticioni Change.org për të kërkuar masa sigurie për fëmijët dhe mësuesit në klasa shkollore.

Por, disa janë të gatshëm të përballen me çfarëdo pasoje që vjen. Romero, që është nënë e dy fëmijëve dhe jeton në Valencia, insiston se fëmijët e saj do të qëndrojnë në shtëpi përderisa numri i të infektuarve mos të ulet.

“Nëse të rriturit po lejohen të punojnë nga shtëpia, atëherë edhe fëmijët mund të mësojnë në shtëpi”, thotë ajo.