Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca vendos për Evropën

“Që tani e tutje, unë nuk jam më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve”, ka deklaruar Macroni në fjalimin e parë pas fitores së balotazhit. “Unë u them atyre që votuan për të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre”. Udhëheqësit evropianë nxituan të urojnë presidentin Macron për rizgjedhjen, pasi Le Pen, e akuzuar për lidhje të ngushta me Vladimir Putinin, kishte vënë në dyshim lidhjet e Francës me Bashkimin Evropian dhe NATO-n

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka falënderuar të gjithë ata që votuan për të dhe thotë se është i vetëdijshëm që shumëkush e votoi për të pamundësuar fitoren e kandidates të së djathtës ekstreme, Marine le Pen.

“Që tani e tutje, unë nuk jam më kandidat i një kampi, por president i të gjithëve”, ka deklaruar Macroni në fjalimin e parë pas fitores së balotazhit të zgjedhjeve presidenciale. “Unë u them atyre që votuan për të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti i rizgjedhur centrist ka marrë 58% të votave ndaj 42% të Le Penit në fitore më të ngushtë se gara e tyre e mëparshme më 2017. Duke folur me mbështetësit përpara Kullës Eiffel në Paris, ai falënderoi votuesit francezë që i besuan pas "pesë vjetëve të vështira".

Entuziazëm në Bruksel

Udhëheqësit evropianë nxituan të urojnë presidentin Macron për rizgjedhjen për një mandat të dytë në detyrë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shprehur urime për Macronin ende pa kaluar një orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Një bravo e madhe, i dashur Emmanuel Macron”, ka shkruar ai. “Në këtë kohë me telashe, na duhet një Evropë solide dhe një Francë krejtësisht e përkushtuar për një Bashkim Evropian më sovran dhe më strategjik. Mund të llogarisim në Francën edhe pesë vjet të tjerë”.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përgëzuar Macronin pro-BE për fitoren bindëse.

“Jam e mahnitur që mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer. Bashkërisht do t’i çojmë Francën dhe Evropën përpara”, ka shkruar ajo.

Kryeministrat e Belgjikës dhe Luksemburgut ishin ndër liderët e parë evropianë që uruan Macronin për rizgjedhjen e tij. Alexander de Croo i Belgjikës dhe Xavier Bettel i Luksemburgut postuan shpejt urime në Twitter. Të dy janë aleatë qendrorë të Macronit.

Kryeministri holandez gjithashtu shprehu në Twitter në frëngjisht shpresën për të “vazhduar bashkëpunimin tonë të gjerë dhe konstruktiv në BE dhe NATO”.

Në Gjermani politikanët rreth spektrit politik ofruan mbështetje, duke përfshirë nga Demokratët e Lirë pro-biznesit, të Gjelbrit ambientalistë deri te Unioni Kristian Socialkonservator.

Kryeministri italian, Mario Draghi, e quajti fitoren e Macronit "lajm të madh për të gjithë Evropën".

Shumë liderë në Evropë ishin shqetësuar se Le Peni do të minonte unitetin evropian dhe rendin e saj të pasluftës.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, gjithashtu shkroi në Twitter, duke "përgëzuar" Macronin, duke thënë se ai pret "të vazhdojë të punojë së bashku".

Le Pen nuk dorëzohet

Brohoritje të mëdha ka pasur në momentin kur Marine le Pen doli në skenë dhe u tha përkrahësve të saj se lufta e saj nuk ka marrë fund, pavarësisht humbjes. Rezultati i kandidates së djathtë ekstreme ishte historik. Ajo ka akuzuar Macronin për hile të ulëta, por ka falënderuar mbështetësit, sidomos ata të zonave rurale të Francës dhe ata të diasporës. Le Peni është e bindur se mori shumicën e votave të tyre.

“Marine, Marine”, ka brohoritur turma në selinë e Le Penit. Ajo ka thënë se do të vazhdojë të mbetet një rivale e vendosur e Macronit.

Le Pen ishte zotuar të zbehte lidhjet franceze me BE-në, aleancën ushtarake të NATO-s dhe Gjermaninë, po të kishte fituar, do të kishte tronditur arkitekturën e sigurisë së Evropës, ndërsa kontinenti përballet me konfliktin e tij më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore. Le Pen foli gjithashtu kundër sanksioneve ndaj furnizimeve ruse të energjisë dhe u përball me rishqyrtim të diskursit gjatë fushatës zgjedhore për miqësinë e saj të mëparshme me Kremlinin.

Pesë vjet më parë, Macron do të bëhej presidenti më i ri i Francës në moshën 39-vjeçare. Diferenca pritet të jetë shumë më e vogël këtë herë: agjencitë e sondazheve Opinionway, Harris dhe Ifop parashikuan se centristi 44-vjeçar proevropian parashikohej të fitonte të paktën 57% të votave.

Thirrja për aleancë të së djathtës ekstreme

Le Pen ishte parashikuar të fitonte midis 41.5% dhe 43% mbështetje - një rezultat ende i paprecedent për 53-vjeçaren në përpjekjen e saj të tretë për të fituar presidencën franceze.

Rezultati i Le Penit këtë herë shpërbleu përpjekjet e saj njëvjeçare për ta bërë politikën e saj të së djathtës ekstreme më të këndshme për votuesit. Duke bërë fushatë të fortë për çështjet e kostos së jetesës, ajo ua mbushi mendjen shumë anëtarëve të shtresës së mesme, komuniteteve rurale të pakënaqura dhe ish-qendrave industriale.

Kandidati i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, i mposhtur në rundin e parë, ka bërë thirrje për një aleancë të partive të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve legjislative në qershor, duke theksuar se "kjo është hera e tetë që humbja godet emrin e Le Penit”.

Duke folur me trishtim për rezultatin, ai tha: "Ne do të luftojmë për idetë tona në çdo qytet dhe fshat të Francës, në internet dhe në media. Por nuk do të ketë fitore pa aleanca. Unë bëj thirrje për bashkim kombëtar përpara zgjedhjeve legjislative në qershor”.

Arroganca e Macronit

Disa qindra mbështetës të Maconit u mblodhën përpara Kullës Eifel, duke kënduar himnin kombëtar dhe duke valëvitur flamujt francezë dhe ata evropianë, ndërsa stacionet televizive transmetonin parashikimet fillestare të fitores së tij.

Ende rënia e parashikuar e mbështetjes për Macronit, krahasuar me pesë vjet më parë, tregon atë që pritet të jetë një betejë e vështirë për presidentin për të mbledhur njerëzit pas tij në mandatin e tij të dytë.

Shumë votues francezë e panë revanshin e vitit 2022 më pak bindës sesa në vitin 2017, kur Macron ishte një faktor i panjohur, pasi nuk kishte mbajtur kurrë më parë post publik me zgjedhje.

Votuesit e majtë – të paaftë për t’u identifikuar as me presidentin e qendrës, as me platformën e ashpër nacionaliste të Le Penit – vuajtën me zgjedhjet e së dielës. Disa shkuan me ngurrim në qendrat e votimit vetëm për të ndaluar Le Penin, duke hedhur vota pa gëzim për Macronin.

"Ishte zgjedhja më pak e keqe", tha Stephanie David, punonjëse e logjistikës së transportit që mbështeti një kandidat komunist në rundin e parë.

“Rundi i tretë fillon sonte”

Njeriu i tretë i këtyre zgjedhjeve, ekstremisti i majtë, Jean-Luc Mélenchon, i cili humbi për pak një vend në duelin e balotazhit të së dielës, ka dalë në skenë me vlerësimin e tij për rezultatet e balotazhit. Ai e quan humbjen e Le Penit "lajm shumë i mirë për unitetin e popullit tonë".

"Rundi i tretë i zgjedhjeve fillon sonte", thotë lideri i La France Insoumise (Franca e Papërkulur), duke filluar seriozisht fushatën e tij për një shumicë të majtë në zgjedhjet legjislative të 12 dhe 19 qershorit për të kundërbalancuar presidencën e Macronit.

"Ju mund ta mposhtni zotin Macron dhe të zgjidhni një rrugë tjetër", thotë Mélenchon, i cili po konkurron të bëhet kryeministër i ardhshëm i Francës pas zgjedhjeve në krye të një "Bashkimi të Ri Popullor" majtist që ai thotë se "duhet të zgjerohet".

Ishte një zgjedhje e pamundur për pensionistin Jean-Pierre Roux. Pasi kishte votuar në rundin e parë, ai hodhi një zarf bosh në kutinë e votimit të dielën, i zmbrapsur si nga politika e Le Penit, ashtu edhe nga ajo që e pa si arrogancë të Macronit.

"Unë nuk jam kundër ideve të tij, por nuk mund ta duroj këtë person", tha Roux.

Macron hyri në zgjedhje me një avantazh të konsiderueshëm në sondazhe, por i paaftë për të qenë i sigurt për fitoren nga një elektorat i thyer, i shqetësuar dhe i lodhur. Lufta në Ukrainë dhe pandemia COVID-19 goditën mandatin e parë të Macronit, ashtu si edhe protestat e dhunshme me muaj kundër politikave të tij ekonomike. Trazirat krijuan terren pjellor për Le Penin.

Përgatiti: Rexhep Maloku