Ivica Todoriq nuk do të jetojë më në kështjellën e tij të shekullit të 16-të, me pamje nga kryeqyteti i Kroacisë. Nuk do fluturojë më me helikopterin e tij privat në vilën e tij luksoze bregdetare ose të marrë jahtin e tij për një udhëtim në Adriatik, shkruan Dushan Stojanoviq për Associated Press.
I arratisuri më i kërkuar i Kroacisë, i njohur në nivel lokal si “Bosi”, u dorëzua në policinë e Londrës këtë muaj mes akuzave se ai e keqmenaxhoi rrjetin e tregtisë me pakicë të ushqimeve dhe përvetësoi miliona, duke e çuar atë në një falimentim kaq masiv saqë tani është një çështje shqetësimi kombëtar për disa vende të Evropës Juglindore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKompania e Todoriq, Agrokor, është zhytur në kolaps nga një borxh prej 7 miliardë dollarësh, një shumë aq e madhe sa nëse do të duhet të paguhej do të falimentonte vetë shtetin kroat. Por, nëse kompania do lejohej të mbyllej do të kërcënonte 60,000 punonjës dhe mijëra vende të reja të punës përmes një zinxhiri furnizimi, që përfshin fermerët në të gjithë rajonin. Ndërkohë, kreditorët kryesorë – bankat ruse – janë në luftë për të nxjerrë çfarëdolloj vlere që munden.
“Kroacia përballet me një cunami ekonomik dhe financiar që është përtej imagjinatës”, tha kryeministri Andrej Plenkoviq gjatë një debati të fundit parlamentar mbi trajtimin e krizës si dhe thirrjeve për dorëheqjen e tij, transmeton “Monitor”.
Historia e Todoriqit, 66 vjeç dhe Agrokor, e cila përbën 15 për qind të PBB-së së Kroacisë, ka ekspozuar mënyrën si ka funksionuar kapitalizmi, privatizimet hije në ish-vendin komunist dhe lidhjet e ngushta midis politikës dhe biznesit në Ballkan, në vendin që ende po shërohet nga shpërbërja e përgjakshme e ish-federatës jugosllave në vitet 1990.
Filloi me lulet
Së bashku me babanë e tij Ante, Todoriq ndërtoi një serë në 1976 duke shitur lule në të gjithë ish-Jugosllavinë, kur regjimi komunist i vendit nisi të fuste reformat e tregut. Biznesi shkoi mirë, duke bërë që familja të krijonte Agrokor si një shoqëri aksionare më 1989.
Ashtu si shumë biznesmenë kroatë me lidhje të mira politike, Todoriq shfrytëzoi përparësitë e viteve të luftës në vitet 1990 për të marrë pjesë në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, të cilat u shitën lirë përmes marrëveshjeve të dyshimta dhe të parregullta.
Me lidhje të mira me elitën qeverisëse, Todoriq në vitin 1993 bleu disa kompani, duke përfshirë supermarketet më të mëdhenj në kryeqytet.
“Privatizimi që u ndërmor në vitet ’90 shkaktoi kaq shumë probleme në Kroaci”, tha Orsat Miljeniq, kreu i një komisioni parlamentar të caktuar për t’u marrë me aspektet politike të krizës. “Shumë fabrika të mira u zhdukën. Ndërsa shumë njerëz që nuk kishin para, tani janë shumë të pasur”.
Agrokor “u bë një fuqi më e madhe se vetë shteti”, tha Miljeniq.
Duke drejtuar kompaninë me dy djemtë dhe vajzën e tij, Todoriq vazhdoi të zgjerohej në mënyrë agresive, duke blerë gjithçka, nga toka bujqësore deri te firmat e shisheve të ujit, fermat e përpunimit të mishit deri te kompanitë e akulloreve dhe qendrat e gazetave.
Agrokor gjithashtu u zgjerua jashtë Kroacisë, me pasuri në Serbinë fqinje, Bosnjën dhe republikat e tjera ish-Jugosllave.
Rënia
Analistët thonë se zelli i Todoriq për zgjerim shkaktoi rënien financiare të Agrokor.
Në 2014, Todoriq bleu 53 për qind të shitësit me pakicë slloven Mercator për 550 milionë euro, duke përdorur kredi nga banka shtetërore ruse Sberbank që kishte një normë të lartë interesi. Analistët thonë se blerja e Mercator ishte goditja e vdekjes për financat e Agrokorit pasi borxhi ishte i paqëndrueshëm.
Hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian në vitin 2013 gjithashtu dëmtonte kompaninë, pasi supermarketet e saj papritmas u përballën me konkurrencë të fortë nga zinxhirët e mëdhenj gjermanë dhe të huaj të tregtisë me pakicë që u lejuan të hapeshin në vend.
Rënia financiare e Agrokor-it është një “kombinim i zgjerimit të shpejtë, mbiinvestimit, përfitimit të ulët dhe huamarrjes me kosto të lartë, gjë që rezultoi në mungesë të mjaftueshme të rrjedhës së parasë për të shërbyer detyrimet e saj të kreditit”, tha konsulenti financiar Andrej Grubishiq.
Lidhjet ruse dhe politike
Paratë ruse luajtën një rol të madh në financimin e Agrokor, duke nxitur frikën në Kroaci se Kremlini po përpiqet strategjikisht të rrisë ndikimin e saj politik në anëtarin më të ri të BE.
Sberbank është kreditorja më e madhe e Agrokorit me 1.1 miliard euro. Një tjetër bankë ruse pranë Kremlinit, VTB, kontribuoi me kredi qarkulluese me vlerë rreth 300 milionë euro. Kreditorët e tjerë kryesorë përfshijnë Erste Group të Austrisë dhe Raiffeisenbank dhe UniCredit dhe Intesa Sanpaolo të Italisë.
“Sa herë që ka para të mëdha, ka politikë pas saj”, tha Miljeniq, i cili ishte dikur ministër i drejtësisë i Kroacisë dhe tani është në opozitë. “Nëse bankat janë në pronësi të një shteti, logjikisht, duhet të ketë edhe më shumë politikë”.
Kujdestari i qeverisë i Agrokor ka pranuar pretendime për kreditorët me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë, por kredia e Sberbank nuk është përfshirë, zyrtarisht për shkak se banka ka nisur kërkesa ligjore kundër kompanive Agrokor në vende të tjera, përfshirë Britaninë.
Kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Sberbank, i cili tha në një deklaratë se ishte “habitur ” me qëndrimin e qeverisë kroate.
“Gjithkush, duke përfshirë Sberbank, mund të përdorë çdo masë ligjore të lejuar, në Kroaci apo në vende të tjera, për të mbrojtur interesat e saj dhe nuk duhet të diskriminohet për shkak të kësaj”, tha deklarata, duke shtuar se banka do të apelojë vendimin.
Todoriq mbetet i pamposhtur
Todoriq zyrtarisht zotëron ende Agrokor, por qeveria kroate ka marrë përsipër menaxhimin e saj deri në verën e ardhshme për të shpëtuar atë që mundet nga kompania.
Todoriq iku në Londër mes akuzave për shpërdorim, të cilat autoritetet kroate i përdorën për të filluar marrjen e pronës së tij private për të ndihmuar në pagimin e borxheve të Agrokor.
Pasi u përfshi në listën e të kërkuarve të policisë evropiane, Todoriq shkroi në blogun e tij se ndërgjegjja e tij ishte e qartë.
“Si një njeri, të drejtat njerëzore të të cilit janë shkelur thellë, kam të drejtën të kundërshtoj persekutimin politik”, shkroi Todoriq.
Todoriq pretendon se qeveria ka marrë në mënyrë të paligjshme kompaninë e tij dhe ka treguar se do të luftojë ekstradimin e tij nga Britania me arsyetimin se ai është viktimë e ndjekjes politike. Ai ka bërë të ditur se do të paraqesë një padi kundër të ashtuquajturit “Lex-Agrokor” – një ligj i miratuar nga parlamenti që lejoi marrjen në dorëzim të kompanisë.