Një luftë e re në Gaza duket se po zhvillohet në Lindjen e Mesme. Por, kjo nuk po vë vetëm ushtrinë izraelite përballë militantëve të “Hamasit”. Armiqësitë kanë shpërthyer gjithashtu midis hebrenjve dhe arabëve izraelitë
Në rrugët e Lodit vjen era shkrumb. Erë e keqe nga makinat e djegura buzë rrugës. Dhe nga deponitë e mbeturinave që ende digjen. Dhe nga një shkollë e Tevratit, ku karriget dhe tavolinat prej metali shkriheshin në flakë. Ka pasur shumë zjarre në ditët e fundit në Lod, qytet në Izraelin qendror. Dhe jo vetëm këtu, shkruan revista gjermane “Der Spiegel” në një shkrim të gjatë për zhvillimet e fundit në konfliktin e gjatë izraelito-palestinez, të ringjallur së fundmi nga sulmet me raketa të Izraelit dhe “Hamasit”, grup militant palestinez.
Izraeli dhe territoret palestineze kanë përjetuar një shpërthim të tmerrshëm dhune që nga e hëna e javës së kaluar. Gjithçka filloi me dëbimin e detyruar të banorëve të shtëpive palestineze në Jerusalemin Lindor. Dëbimet më pas çuan në trazira të dhunshme në Malin e Tempullit. Tani, situata po përshkallëzohet në një luftë të re në Gaza.
Deri të enjten, grupi islamik radikal, “Hamas”, ka shkrepur 1.600 raketa drejt qyteteve izraelite. Ushtria izraelite u përgjigj duke bombarduar më shumë se 600 objektiva të “Hamasit”. Njerëzit po vdesin në të dyja anët. Në Izrael, gjashtë civilë dhe një ushtar u vranë. Deri të enjten, palestinezët kishin numëruar 87 viktima.
Një konflikt i gjatë dhe i përgjakshëm?
“Konfliktet ushtarake midis Izraelit dhe ‘Hamasit’ janë kthyer në një rutinë të përgjakshme gjatë viteve të fundit. Raketa dhe bomba u shkëmbyen më 2008, 2012 dhe 2014. Mijëra palestinezë humbën jetën në ato konflikte, sikurse edhe ushtarët dhe civilët izraelitë”, kujton revista “Der Spiegel”.
Por këtë herë, shkruan tutje, sulmet nga Gaza janë më intensive se më parë. Dhe sulmet ajrore nga Izraeli kanë ardhur me të njëjtin intensitet. Një zëdhënës ushtarak izraelit thotë se ata po synojnë pikat e komandës së “Hamasit” dhe depot e raketave. Në të njëjtën kohë, ushtria po përgatit një ofensivë të mundshme tokësore në Gaza - lufta mund të rezultojë në një luftë të gjatë dhe të përgjakshme.
Megjithatë, ekziston edhe një element tjetër - më i ri - në konflikt i cili filloi të hënën. Këtë herë, nuk është vetëm ushtria izraelite dhe milicitë e “Hamasit” që përplasen kundër njëri-tjetrit. Luftimet gjithashtu janë rritur te popullata civile. Përfshirë këtu në Lod.
Qyteti është në tokën e askujt izraelit, midis metropolit të Tel-Avivit dhe qytetit të shenjtë të Jerusalemit. Njerëzit në përgjithësi drejtohen për në Lod vetëm kur kanë një fluturim për t'u kapur nga aeroporti “Ben Gurion”. Përndryshe, shumica e izraelitëve kurrë nuk shkelën në qytetin me emër biblik.
Lodi ka një popullsi prej 80 mijë banorësh, dy të tretat e të cilëve janë hebrenj dhe një e treta izraelite arabe. Qyteti shihet gjerësisht si një vatër e krimit. Për shkak se të shtënat dhe dhuna janë një dukuri e përditshme këtu, një gazetë izraelite madje e quajti atë nofkën “Qyteti i Vrasjeve”. Në rastin më të keq, Lodi shpejt mund të marrë një emër tjetër: Qyteti ku filloi lufta civile në Izrael, shkruan revista gjermane.
Të hënën, ditën e trazirave në Jerusalem, një njeri hebre këtu qëlloi dhe vrau një arabo-izraelit me emrin Moussa Hassouna. Rrethanat rreth të shtënave mbeten të paqarta: Dëshmitarët hebrenj thonë se hebreu qëlloi në vetëmbrojtje. Një gjykatës, megjithatë, vendosi që nuk kishte prova të mjaftueshme për atë shpjegim dhe disa burra tani janë në paraburgim hetimor. Por, edhe nëse nuk është e qartë se çfarë çoi në sulm, pasojat e tij janë të dukshme.
“Mezi merrnim frymë”
Pas varrosjes së Hassounas të nesërmen në mbrëmje, arabë të zemëruar u shpërndanë nëpër Lod, duke hedhur gurë ndaj policisë dhe duke djegur makina. Dhe ata hynë në një shkollë të Tevratit, ku i vunë flakën një klase dhe dogjën libra lutjesh.
Nga e mërkura, një ditë pas trazirave, shumica e flakëve ishin shuar dhe procesi i heqjes së automjeteve të djegura kishte filluar. Do të jetë shumë më e vështirë, megjithatë, të pastrosh dëmet më serioze të lëna pas trazirave. Banorët janë kapluar nga frika dhe zemërimi - dhe qyteti është i ndarë.
Gil Gabay qan ndërsa flet për ngjarjet e një dite më parë. Ajo është një hebraike izraelite dhe jeton në një apartament përballë rrugës ku qindra palestinezë shfrynë tërbimin e tyre. Makinave që ata u vunë flakë ishin parkuar direkt para derës së Gabayt - aq afër sa banesa e saj u mbush me tym.
“Ne mezi merrnim frymë”, thotë Gabay. Ndërsa zjarret digjeshin jashtë, u ndërpre edhe rryma. Një kabllo me sa duket ishte shkatërruar.
Ajo thotë se ishte ulur në errësirë dhe dëgjonte krismat e granatave tronditëse të përdorura nga policia izraelite. Dhe zhurma e gurëve që binin mbi asfalt. “Kisha shumë frikë”, kujton ajo, duke shtuar se katër fëmijët e saj po qanin dhe dridheshin nga frika.
Pastaj, një sirenë e sulmit ajror shpërtheu, duke i kujtuar Gabayt se luftimet nuk ishin të kufizuara vetëm në rrugën jashtë derës së saj të përparme dhe se dhuna kishte shpërthyer edhe në Rripin e Gazës.
Të martën në mbrëmje, militantët e “Hamasit” dhe anëtarët e “Xhihadit Islamik” përsëri lëshuan seri raketash drejt Izraelit qendror, me sirenat që ndizeshin gjithashtu në Lod - një paralajmërim për banorët për të kërkuar strehim.
“Ne nuk kemi strehë”, thotë Gabay. “Normalisht, do të prisnim alarmin në shkallë”. Por këtë herë, nga frika për të dalë në korridor, familja mbeti në banesën e tyre. “Thjesht, është hera e parë që kam frikë nga fqinjët e mi”, thotë ajo.
Rreth një e pesta e popullsisë së Izraelit janë arabë. Disa hebrenj dhe arabë përpiqen të qëndrojnë larg rrugës së njëri-tjetrit. Ka vende në Izrael ku vështirë se mund të shohësh dikë që mban shami, dhe të tjerët ku mund të dëgjohet ezani i muezinit çdo ditë dhe supermarketet dhe restorantet kanë emra arabë.
Sfida e qyteteve të përziera
Megjithatë, në disa qytete, popullsia arabe dhe hebraike është e përzier. Haifa në veri të vendit është parë prej kohësh si model i bashkëjetesës. Jafa, në jug të Tel-Avivit, është shtëpia e një komuniteti të madh palestinez.
Lodi, gjithashtu, është një i ashtuquajtur “qytet i përzier”, ku hebrenjtë dhe palestinezët jetojnë afër së bashku. Aq afër sa që ata ndonjëherë ndajnë të njëjtat shkallë.
Në ndërtesën ku jeton familja hebraike Gabay, disa korniza dere kanë vendosur shkrime me vargje të Tevratit për të mbrojtur familjen. Vetëm disa dyer poshtë, fjalë arabe janë shkruar në mur. Ndërtesa katër-katëshe është shtëpia e 16 familjeve - nëntë hebraike dhe shtatë arabe.
Të gjithë fqinjët takoheshin në shkallë kur aktivizoheshin sirenat e raketave. Ata do të prisnin së bashku, thonë disa banorë, që sirena të ndalej, që do të thotë se ishte e sigurt të ktheheshin në apartamentet e tyre. Megjithatë, kësaj here ishte ndryshe, thonë ata, përshkruan “Der Spiegel”. Të gjithë vendosën që më mirë të qëndronin në apartamentet e tyre, sesa të përplaseshin me njëri-tjetrin në shkallë.
Brenda vetëm disa ditësh në Izrael, fqinjët janë bërë kundërshtarë politikë dhe qytetaria i është nënshtruar mosbesimit. Çfarë mendon “pala tjetër” për mua? Jam akoma një qenie tjetër njerëzore, apo jam tani armiku? Në “Shtëpinë 9”, shumë banorë janë duke i bërë vetes këto pyetje.
“Unë u përplasa me një nga fqinjët e mi arabë”, thotë Gil Gabay. “Ai kishte një plagë në kokë nga një predhë e policisë izraelite”. Ajo po shihte akuza në fytyrën e tij. “Ai më shikoi me tërbim, sikur të kisha diçka me dëmtimin e tij”.
Megjithatë, ka shpresë
Hebrenjtë tani papritmas shihen si përfaqësues të policisë izraelite, ndërsa izraelitët arabë shikohen si një shtrirje e “Hamasit”.
“Ne fqinjët kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë”, thotë Muhamed Khalili, një palestinez 36-vjeçar, i cili jeton në katin e dytë të “Shtëpisë 9” me gruan dhe katër fëmijët e tij. “Por tani, i thashë familjes sime: Mos shko dil te shkallët kur të bjerë sirena e raketave. Unë nuk e di se çfarë mendojnë hebrenjtë për ne”.
Ndoshta, thotë Khalili, ata mendojnë se ai është përgjegjës për makinat e djegura jashtë. Nuk është më e sigurt, thotë ai, të qëndrosh në shtëpi.
Në të njëjtën kohë, lufta kundër “Hamasit” është përshkallëzuar, me raketa që vazhdojnë të bien mbi qytetet izraelite - duke goditur si hebrenjtë ashtu edhe izraelitët arabë. Jo shumë larg Lodit, një baba 52-vjeçar, arabo-izraelit dhe vajza e tij u vranë kur një raketë nga Gaza goditi makinën e tyre. Një djalë hebre pesë vjeç në Sderot vdiq kur një predhë goditi shtëpinë e familjes së tij.
Megjithatë, ka shenja shprese: Në shumë vende, hebrenj dhe palestinezë po organizojnë marshime të përbashkëta për paqen.
Në Lod, megjithatë, të dyja palët vazhdojnë ta shmangin njëra-tjetrën.
“Tensionet po përkeqësohen nga dita në ditë”, thotë Muhamed Khalili, banor i “Shtëpisë 9”. “Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kam frikë nga një katastrofë”, ka shtuar ai për “Der Spiegel”.
Gil Gabay, fqinja e tij, përjetoi tmerrin të enjten. Kur burri i saj doli nga sinagoga në mëngjes, një izraelit arab e sulmoi me thikë në shpinë. Ai mbijetoi, por u plagos rëndë.
Gabay thotë se sulmi ndodhi pikërisht përpara ndërtesës së tyre: “Shtëpia 9”, ku hebrenjtë dhe palestinezët kishin jetuar prej kohësh krah për krah si fqinjë të mirë.
Përktheu: Rexhep Maloku