Punonjësit e ndihmës parashikojnë se rreth 1.74 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç mund të vuajnë nga kequshqyerja akute në Nigerinë verilindore në vitin 2022 – rritje prej 20% nga viti i kaluar dhe 5 mijë mund të vdesin në dy muajt e ardhshëm
I biri i Fati Usmanit qëndron i shtrirë në një shtrat spitali në Nigerinë verilindore, pothuajse i pajetë. Ai ka vështirësi në frymëmarrje dhe duket jashtëzakonisht i dobët. Një mizë që fluturonte nëpër dhomë u ul mbi faqen e tij të dobësuar. Nga madhësia e tij duket sikur është rreth dy vjeç. Mirëpo nëna e tij tregon se në të vërtetë djali është pesë vjeç. Ai është vetëm një nga disa miliona njerëz të kapur në një krizë masive humanitare që një kryengritje e udhëhequr nga islamikët e ka shkaktuar në Nigerinë verilindore, duke i lënë familjet në nevojë të dëshpëruar për ushqim dhe kujdes mjekësor.
Fondet që po shkojnë duke u pakuar janë fajtorë për urinë e njerëzve, kanë thënë punonjësit e ndihmës, pasi qeveria e Nigerisë mbështetet në agjencitë e ndihmës dhe Kombeve të Bashkuara, të cilat nga ana e tyre janë më të fokusuar në krizat në Ukrainë dhe gjetkë. Kampet për personat e zhvendosur brenda vendit (PZHBV) janë zgjidhja e fundit për miliona nigerianë të cenueshëm, megjithatë shteti Borno, një nga më të prekurit, ka vendosur t’i mbyllë të gjitha kampet e tilla vitin e kaluar - duke i etiketuar ato si lagje të varfra dhe duke paguar 200 dollarë për çdo familje që detyrohet të largohet.
E kur bëhet fjalë për financimin e qeverisë në verilindje më të gjerë, kriza e kequshqyerjes vjen e dyta për t’i luftuar kryengritësit e rajonit.
Kequshqyerja e fëmijëve
Punonjësit e ndihmës parashikojnë se rreth 1.74 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç mund të vuajnë nga kequshqyerja akute në Nigerinë verilindore në vitin 2022 – rritje prej 20% nga viti i kaluar dhe 5 mijë mund të vdesin në dy muajt e ardhshëm. Usman thotë se djali i saj u sëmurë nga fruthi, përcjellë nga diarreja.
“Kam marrë ilaçe e ia kam dhënë, mirëpo gjendja e tij nuk u përmirësua. Prej 37 ditësh ka diarre”. Derisa shëndeti i djalit sa vinte e përkeqësohej, e dërgoi me urgjencë në spitalin në Damaturu, qytet kryesor në shtetin Yobe në Nigerinë verilindore.
“E solla këtu dy ditë më parë”, është shprehur ajo.
Pesë nga fëmijët e saj kishin vdekur tashmë para kësaj krize - ai është një nga katër që janë ende gjallë.
Nëna 34-vjeçare tashmë është e rraskapitur dhe e traumatizuar.
Ajo kishte ikur nga sulmet e grupit militant islamik Boko Haram në qytetin e vogël të Mainos në Yobe dhe u zhvendos në një kamp për personat e zhvendosur brenda vendit (IDP) pesë vjet më parë.
“Nuk mund të merrnim as gjërat tona, madje as ushqimin”, ka treguar Usman.
Rritja e kequshqyerjes është përkeqësuar nga shpërthimet e sëmundjeve, duke përfshirë kolerën dhe ndërprerjen e bujqësisë për shkak të sulmeve nga militantët.
Bashkëshorti i Fati Usmanit punon si klerik mysliman, mirëpo ai nuk jeton me familjen.
Ajo përpiqet të mbijetojë duke ndihmuar ndonjëherë fqinjët t’i qepin rrobat e tyre të grisura në këmbim të ushqimit. Por fqinjët janë gjithashtu viktima të kryengritjes dhe janë larguar nga shtëpitë e tyre, kryesisht në varësi të ndihmave nga agjencitë e ndihmës dhe qeveria.
Me shumë gojë për t’i ushqyer, nuk ka furnizime të mjaftueshme ushqimore për të mbajtur fëmijët dhe shumë prandaj edhe sëmuren.
“Kjo është epiqendra, kështu që shumica e rasteve që vijnë këtu janë të rënda”, ka shpjeguar doktori Japhet Udokwu, koordinator i qendrës.
Si shumë mjekë dhe humanitarë, ai ka frikë nga një fatkeqësi. Doktori Udokwu po punon gjatë gjithë kohës duke pranuar të paktën 40 fëmijë të kequshqyer rëndë çdo javë për trajtim.
Sipas tij, disa familje udhëtuan më shumë se 100 km nga komunitetet e largëta ku nuk kishte qasje në kujdesin mjekësor. Shumë prej tyre kishin jetuar në kampet e PZHBV-ve në kryeqytetin e shtetit Borno, Maiduguri, të cilat janë mbyllur dhe tani nuk janë në gjendje të marrin ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre, sepse nuk mund të merreshin me punë bujqësore nga frika e sulmeve.
Moment kritik
I biri i Fati Usman është vetëm një nga disa miliona njerëz të kapur në një krizë masive humanitare që një kryengritje e udhëhequr nga islamikët e ka shkaktuar në Nigerinë verilindore, duke i lënë familjet në nevojë të dëshpëruar për ushqim dhe kujdes mjekësor
Tani është një moment kritik, sepse sezoni i korrjes së dobët është në kulmin e tij dhe ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve të sjellë që nga fillimi i vitit. Si rezultat, ky objekt - dhe të tjera si ai - janë mbingarkuar.
Dr Udokwu më thotë se ekipi i tij sapo ka përfunduar trajtimin e një fëmije që u dërgua me urgjencë disa orë më parë.
“Fëmija është i pavetëdijshëm si pasojë e jashtëqitjes disaditore të lirshme, kështu që na u desh ta kthenim në jetë”, ka thënë ai.
“Ne në fakt, kemi shumë raste të rënda që vijnë me hipoglicemi, shok dhe të ngjashme në këtë institucion”.
Objekti është një nga qendrat e pakta të stabilizimit ku punonjësit e ndihmës po luftojnë për ta shpëtuar jetën e qindra fëmijëve.
Në një strukturë tjetër stabilizimi në qendrën tregtare të Bama në shtetin Borno, punonjësit e kujdesit shëndetësor po garojnë gjithashtu me kohën për ta përballuar numrin në rritje të rasteve të fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute.
Atje 25-vjeçarja, Fatima Bukar, ka treguar se humbi tre fëmijë nga kequshqyerja dhe se kishte ecur 30 km, duke i çuar dy fëmijët e saj të mbetur në kamp.
Fëmijët janë mes 22 pacientëve në një repart me 16 shtretër në qendrën shëndetësore në Bama.
Vajza e saj katërvjeçare, e shtrirë anash me faqet e ënjtura, qan me dënesë sa herë që nëna kthehet për t’u kujdesur për fëmijën njëvjeçar me pamje të rraskapitur në krahë.
Përballë zonjës Bukar një fëmijë tjetër qan teksa nëna e saj përpiqet ta kthejë dhe ta bëjë të shtrihet në shpinë. Pjesa më e madhe e lëkurës së saj duket e djegur deri në fytyrën e saj.
Ky është rezultati i asaj që mjekët e quajnë edemë dhe dermatozë të shkallës së tretë. Fillon kur ka ënjtje të rëndë në trup. Kur ënjtja fillon të ulet, lëkura plasaritet, duke e bërë atë të duket si djegie.
Dr. Ibrahim Muhammad, i cili është në krye të qendrës, thotë se ky është një nga efektet e kequshqyerjes së rëndë akute.
“Shohim një fluks të madh fëmijësh me kequshqyerje të rëndë akute çdo ditë. Shumë prej tyre jetojnë në kampin Bama”, ka shtuar ai.
Ndihmësi John Mukisa ka shpjeguar se pa rritje të shpejtë të ndihmave ushqimore shumë fëmijë do të vdesin ose do të mbeten të paaftë.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2015, qeveria e presidentit Muhammadu Buhari ka premtuar vazhdimisht se do të trajtojë fatkeqësinë e sigurisë dhe atë humanitare, por në masë të madhe nuk ka arritur ta bëjë këtë.
Megjithatë, qeveria mbron të dhënat e saj, duke pretenduar se ka bërë sukses të rëndësishëm në luftën kundër militantëve islamikë, duke përfshirë dorëzimin vullnetar të mijëra militantëve në verilindje.
Kjo është si ngushëllim i vogël për komunitetet që janë shkatërruar në të gjithë këtë rajon.
Fati Usman thotë se ka frikë se më e keqja është rrugës.
“Qëkur fshati ynë u sulmua, shumë tragjedi kanë ndodhur te ne. Fëmijët tanë kanë vdekur nga sëmundjet dhe kjo mund të vazhdojë nëse nuk ka ndërhyrje për të shpëtuar jetë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu