Ishte njeriu i fortë dhe ish-presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, ai që krijoi RSF-në nga milicitë famëkëqija Janjaweed të Darfurit në vitin 2013. Për al-Bashirin, RSF-ja dhe ushtria e rregullt ishin të dyja të dobishme në shtypjen e mospajtimit dhe përpjekjet për pavarësi nga komunitetet pakicë anembanë vendit. Duke i mbajtur të dy forcat të pavarura nga njëra-tjetra, ai siguroi gjithashtu që asnjë figurë të mos kishte fuqi të mjaftueshme për ta rrëzuar atë.
Gjatë viteve të fundit ushtria e Sudanit dhe një forcë e veçantë e armatosur akumuluan fuqi, secila dyshuese për tjetrën, edhe pse ata punuan së bashku kundër lëvizjes prodemokratike të vendit. Oficerët brenda të dyja forcave thonë se ishte një recetë e gjatë për katastrofë.
Aleanca e tyre e dobët përfundoi në mes të prillit, kur ata kthyen armët kundër njëri-tjetrit, duke ndezur një konflikt që kërcënon të përfshijë vendin e tretë më të madh të Afrikës.
Në intervistat me Associated Press, më shumë se dhjetëra oficerë të lartë nga ushtria e Sudanit dhe paramilitarët rivalë të njohur si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë përshkruan atë që i çoi ata në luftë gjithëpërfshirëse. Ata, së bashku me aktivistët politikë dhe një zyrtar të OKB-së, treguan se si të dyja palët arritën rrëmbimin e pushtetit, ndërruan aleancat dhe lëvizën për të mbrojtur interesat e tyre nën presionin ndërkombëtar për një kalim në qeveri civile.
Të gjithë folën në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes ose sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin me media. As RSF-ja dhe as ushtria nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Rrënjët e historisë
Ishte njeriu i fortë dhe ish-presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, ai që krijoi RSF-në nga milicitë famëkëqija Janjaweed të Darfurit në vitin 2013. Për al-Bashirin, RSF-ja dhe ushtria e rregullt ishin të dyja të dobishme në shtypjen e mospajtimit dhe përpjekjet për pavarësi nga komunitetet pakicë anembanë vendit. Duke i mbajtur të dy forcat të pavarura nga njëra-tjetra, ai siguroi gjithashtu që asnjë figurë të mos kishte fuqi të mjaftueshme për ta rrëzuar atë.
Kjo ndryshoi kur lëvizja popullore në formë proteste kundër Bashirit u ngrit në vitin 2019. Kreu i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah Burhan dhe kreu i RSF-së, gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo vendosën se ishte koha që sundimi 30-vjeçar i presidentit të përfundonte. Ata bashkë organizuan grusht shtetin.
Së bashku, ata gjithashtu formuan një mburojë kundër lëvizjes pro-demokracisë. Javë pas rrëzimit të al-Bashirit, forcat e RSF-së udhëhoqën sulmin e protestuesve në qendër të Khartoumit, duke vrarë të paktën 120 njerëz dhe përdhunuar dhjetëra gra.
Kreu i paramilitarëve, Dagalo, filloi të zgjeronte ndikimin e tij. Ai ndërtoi pasuri të konsiderueshme, duke kontrolluar operacionet e minierave të arit në Jebel Amer të Darfurit dhe pjesë të tjera të vendit në bashkëpunim me grupin mercenar rus “Wagner”.
RSF-ja rekrutoi mijëra trupa të reja, bleu armë të reja dhe ngriti bazat e veta paralele në shumicën e provincave të vendit. Komanda e ushtrisë ishte e pakënaqur që ishte bërë "kryesisht pa koordinim me udhëheqjen e ushtrisë", tha për AP-në një anëtar i këshillit të lartë qeverisës të ushtrisë.
Pikërisht atëherë u panë shenjat e para të lidhjes tashmë të tensionuar që nisi të shpërbëhej.
Prishja e raporteve
Oficerët e karrierës në ushtri filluan të bëjnë presion mbi udhëheqjen e tyre për të frenuar fuqinë në rritje të RSF-së, thanë disa zyrtarë ushtarakë. Pagat më të larta të shumë luftëtarëve të RSF-së nxitën pakënaqësi.
Në shtator të vitit 2021, një njësi ushtarake e vendosur jashtë kryeqytetit organizoi një rebelim në shkallë të vogël. Ushtria, me ndihmën e RSF-së, e shtypi përpjekjen. Ajo shërbeu si një kujtesë e forcës së paraushtarakëve. Më pas Burhani mori raporte të brendshme që tregonin se shumica e oficerëve kërkonin shpërbërjen e paraushtarakëve.
Disa refuzuan të përshëndesnin Dagalon, tha një zyrtar ushtarak. “Ata thoshin: ‘Ai nuk është një oficer i vërtetë’”, tregoi ai.
Por Burhani dhe udhëheqja ushtarake kishin ende nevojë për RSF-në mes presionit për një tranzicion demokratik. Me afrimin e afatit për t'ua dhënë pushtetin civilëve, Burhani dhe Dagalo më 25 tetor 2021, bashkuan forcat për të udhëhequr grushtin e tyre të dytë, duke rrëzuar qeverinë e kryeministrit Abdalla Hamdok.
Tashmë në mënyrë efektive, sundimtarë të përbashkët të Sudanit, hendeku midis tyre vetëm sa u zgjerua.
“Thikë pas shpine”
Përpjekjet e RSF-së për të ndërtuar forcën e vet ajrore i tensionuan rëndë marrëdhëniet, thanë zyrtarë nga të dyja palët. Sipas zyrtarëve ushtarakë, paraushtarakët u përpoqën të rekrutonin oficerë dhe teknikë nga brenda radhëve të forcave ajrore.
Në një takim të marsit 2022, Burhani i tha ashpër Dagalos se ushtria "nuk do të lejojë asnjë forcë ajrore jashtë kontrollit të saj", sipas një zyrtari që mori pjesë në takim. Dagalo u përgjigj se ai e kishte braktisur idenë, por Burhani u kundërpërgjigj me prova të përpjekjeve të fundit për rekrutim, tha zyrtari.
Dagalo u zhvendos në Darfur për dy muaj për t'u larguar nga homologu i tij ushtarak, tha një zyrtar i RSF-së.
Atje ai u alarmua nga përpjekjet ushtarake për të dobësuar kontrollin e RSF-së mbi bastionin e saj të Darfurit. Ai zbuloi se udhëheqësit ushtarakë kishin projekte për një forcë të re të rojës kufitare në koordinim me udhëheqësin e milicisë, Musa Hilal, një armik i vjetër i Dagalos, sipas zyrtarëve ushtarakë dhe RSF-së.
Dagalo e konsideroi atë "një goditje me thikë pas shpinë", tha një zyrtar nga rrethi i tij i ngushtë.
Ndërkohë thirrjet ndërkombëtare për gjeneralët për të nënshkruar një udhërrëfyes për një kalim në sundimin civil u bënë më të forta. Presioni amerikan mbi Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të ndaluar ndihmën financiare të nevojshme ishte thelbësore për t'i detyruar ata të përkuleshin, tha një ish-zyrtar nga qeveria e rrëzuar nga grushti i shtetit, i cili mbeti pranë të dyja kampeve.
"Ata u shtynë në një qosh", tha ai.
Komfort-zona e Dagalos
Dagalo u përpoq të zbardhte imazhin e tij. Ai e deklaroi grushtin e shtetit një gabim dhe e portretizoi veten si mbështetës i kërkesave për sundim civil. Ai u bashkua me Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit, grupi kryesor ombrellë i organizatave pro-demokracisë.
"Ishte një aleancë komoditeti", tha një figurë politike që ka qenë e përfshirë në negociatat me gjeneralët. Për FCC-në, Dagalo ishte një kundërpeshë ndaj islamikëve në ushtri, tha ai.
Burhani dhe komandantët e tjerë ushtarakë u tërbuan, duke ndier se Dagalo i kishte tradhtuar. Dagalo "u përpoq të shpëtonte veten në kurriz të ushtrisë", tha një zyrtar i lartë ushtarak i afërt me Burhanin.
Në dhjetor ushtria, RSF-ja dhe grupet pro-demokracisë arritën një marrëveshje fillestare që premtonte një kalim drejt sundimit civil.
Një nga dispozitat e tij kryesore – që RSF-ja të përfshihet në ushtri – dëshmoi pykën përfundimtare mes tyre.
Ushtria kërkonte që bashkimi të bëhej brenda dy vjetëve, afati i fundit për mbajtjen e zgjedhjeve dhe kërkoi përgjigjen e RSF-së për kreun e ushtrisë.
RSF-ja kërkoi një periudhë 10-vjeçare për integrim, gjatë së cilës do të riparohej e gjithë struktura e sigurisë. RSF-ja gjithashtu donte t'i raportonte kreut të shtetit.
Përshkallëzimi i situatës
Në muajt në vijim, të dyja palët derdhën forca në dhe rreth Khartoumit ndërsa retorika u përshkallëzua. Gjithsej kishte më shumë se 200 mijë ushtarë në zonën e Khartoumit, tha Mariam al-Mahdi, një ish-ministre në qeverinë civile të rrëzuar.
Afatet për të nënshkruar një marrëveshje përfundimtare politike u shtynë vazhdimisht. Vëzhguesit e afërt paralajmëruan se një konflikt i hapur ishte i mundur.
Më 13 prill, RSF-ja vendosi forcat më afër një baze ajrore ushtarake në qytetin verior të Meroes, ku trupat egjiptiane po kryenin një stërvitje me ushtrinë sudaneze, sipas autoriteteve egjiptiane. Ushtria e denoncoi dislokimin. Diplomatët ndërkombëtarë nxituan për të depërshkallëzuar, nga frika se mund të fillonin të shtëna.
Në mëngjesin e 15 prillit, përleshjet shpërthyen në qytetin sportiv të Khartoumit, ku RSF-ja dhe ushtria kishin baza. Secili akuzoi tjetrin se qëlloi së pari si pjesë e një rrëmbimi të dëshpëruar të pushtetit.
Brenda pak orësh miliona sudanezë u vunë nën zjarr, ndërsa të dy forcat luftuan në rrugët e Khartoumit dhe qyteteve të tjera, dhe avionët luftarakë shpërthyen bazat e RSF-së.
"Ne të gjithë pamë tensionet e mëdha dhe të gjithë pamë ... se çdo shkëndijë e vetme, edhe pse e paqëllimshme, mund të çojë në një shpërthim armiqësish", tha për AP-në, Volker Perthes, i dërguari i OKB-së për Sudanin. "Në fund, ishte një luftë për pushtet midis dy liderëve ushtarakë".
Përktheu: Forca Jashari