Botë

Dëbimi i beduinëve palestinezë nga tokat e tyre

Familjet vendëse po luftojnë për të ndaluar atë që mund të jetë një nga zhvendosjet më të mëdha të palestinezëve nga Izraeli në dekadat e fundit. Më 4 maj, Gjykata e Lartë izraelite hodhi poshtë një peticion nga familjet e Masafer Yatta për të parandaluar dëbimin e 1,300 palestinezëve që jetojnë në 12 komunitete në zonë.

Jashtë qytetit të Hebronit, tashmë një shembull i cenimit të vendbanimeve izraelite në territorin palestinez, gjendet ajo që duket të jetë një grupim i thjeshtë i shtëpive të beduinëve palestinezë.

Por këtu, në Masafer Yatta, familjet vendase po luftojnë për të ndaluar atë që mundë të jetë një nga zhvendosjet më të mëdha të palestinezëve në dekada, ndërsa forcat izraelite përpiqen t'i dëbojnë ata me forcë.

Muhammed Musa Shahada dhe familja e tij janë në mesin e dhjetëra të kërcënuarve me dëbim.

“Kam lindur këtu në fshatin Al-Majaz, pse duhet ta lë tokën time kundër dëshirës sime? Pse duhet të jetoj përmes një Nakba tjetër?” 61-vjeçari Shahada i tha Al Jazeera-s, duke iu referuar zhvendosjes së detyruar dhe vdekjes së qindra mijëra palestinezëve që erdhi si rezultat i krijimit të Izraelit në 1948.

Al-Majaz, ku jetojnë 350 njerëz, duke përfshirë 50 fëmijë, është i qasshëm vetëm nëpërmjet një rruge prej dheu dhe nuk ka lidhje me linjat e energjisë apo ujit, sepse autoritetet izraelite e konsiderojnë vendbanimin si një prani "të paligjshme".

Më 4 maj, Gjykata e Lartë izraelite hodhi poshtë një peticion nga familjet e Masafer Yatta për të parandaluar dëbimin e 1,300 palestinezëve që jetojnë në 12 komunitete në zonë, duke përfshirë Al-Majaz.

Ky vendim u kritikua nga avokatët dhe ekspertët ligjorë, të cilët thanë se vendimi i gjykatës ishte kundër ligjit ndërkombëtar i cili parandalon dëbimin e civilëve nga territori i pushtuar.

Gjykata e Lartë izraelite argumentoi se dëbimi mund të jetë i nevojshëm dhe ligjor, për arsye sigurie.

Së bashku me 60 për qind të territorit të okupuar të Bregut Perëndimor, Masafer Yatta është pjesë e asaj që quhet "Zona C", e cila është nën kontrollin total të okupimit izraelit dhe është kryesisht e rezervuar për kolonët hebrenj.

Masafer Yatta është gjithashtu pjesë e rreth 18 për qind të Bregut Perëndimor të okupuar që është shpallur "zonë e qitjes" nga ushtria izraelite, për t'u përdorur si zonë e mbyllur për stërvitje ushtarake.

Pavarësisht pranisë së fshatrave palestineze, Masafer Yatta është veçanërisht pjesë e tokës së cilësuar si "Zona e Qitjes 918" që nga vitet 1980.

Image
Al-Majaz, ku jetojnë 350 njerëz, duke përfshirë 50 fëmijë, është i qasshëm vetëm nëpërmjet një rruge prej dheu dhe nuk ka lidhje me linjat e energjisë apo ujit, sepse autoritetet izraelite e konsiderojnë vendbanimin si një prani "të paligjshme".

Detajet nga një takim ministror izraelit i vitit 1981 zbuluan se ish-kryeministri Ariel Sharon, i cili në atë kohë ishte ministër i bujqësisë, propozoi që të krijohej Zona e Qitjes 918 për të dëbuar palestinezët vendas.

Izraeli thotë se komunitetet palestineze që jetojnë në Masafer Yatta nuk janë në gjendje të dëshmojnë se kanë qenë banues të përhershëm, pavarësisht dëshmive të tilla si plani i takimit të vitit 1981 për t'i detyruar ata të largohen nga toka e tyre.

Përballë një urdhri dëbimi në vitin 1999, palestinezët vendas ishin ende në gjendje të qëndronin në shtëpitë e tyre si rezultat i një vendimi të përkohshëm të Gjykatës së Lartë që i lejoi ata të vazhdonin të jetonin atje derisa të merrej një vendim përfundimtar nga gjykata.

Për 20 vjet familjet në Masafer Yatta, të tilla si Shahadat, kanë luftuar në gjykatat izraelite për të qëndruar në vend dhe hedhin poshtë sugjerimin se ata nuk kanë qenë banues të përhershëm.

Dëbimi dhe kthimi

“Në vitin 1999, ushtria mbërriti me kamionë në Masafer Yatta,” tha Shahada. “Ata na detyruan të hipnim në kamionë dhe të linim shtëpitë dhe tokën tonë – por ne u kthyem natën, duke ecur dhe hipur mbi gomarë derisa arritëm në tendat dhe shtëpitë tona.”

Dëshmia e Shahada-s u mbështet nga të tjerë në Masafer Yatta.

“Në fund të vitit 1999, banorët këtu ishin përballur me abuzime nga ushtria, e cila shkatërroi shtëpitë dhe madje shpellat ku jetonin njerëzit, konfiskoi dhitë dhe mbylli rrugët midis fshatrave në zonë,” tha Nidal Yunis, kryetar i këshillit të fshatit Masafer Yatta.

“Politika ka qenë të na terrorizojë çdo ditë, me ndihmën e kolonëve hebrenj”.

Yunis shpjegon se vendimi i Gjykatës së Lartë për zbatimin e urdhrit të vitit 1999 do të thotë braktisje e të gjithë fshatrave të tyre.

Kjo do të çojë në dëbimin e komunitetit lokal palestinez beduin, duke arritur në atë që Junis e quan "spastrim etnik" dhe një shkatërrim të shoqërisë beduine.

“Pavarësisht shtypjes me të cilën jemi përballur, dhe pavarësisht se kemi dokumente që vërtetojnë pronësinë tonë të tokës, gjykata izraelite vendosi kundër nesh dhe në favor të ushtrisë izraelite,” tha Yunis.

Gjykata vendosi gjithashtu që secila familje paditëse do të duhet të paguajë 20,000 shekel (5,900 dollarë) në tarifat gjyqësore.

Image
Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, autoritetet izraelite kanë shkatërruar ose konfiskuar 217 struktura që u përkasin palestinezëve në Masafer Yatta që nga viti 2011, duke zhvendosur 608 palestinezë.

Sulmet ndaj vendasve

Ushtria izraelite tani kryen ushtrime ushtarake, prishje shtëpish dhe sekuestrime shtëpish pothuajse çdo ditë, duke detyruar shumë familje në Masafer Yatta të kthehen në shpellat ku dikur jetonin dekada më parë.

Është përdorimi i këtyre shpellave nga brezat e kaluar të beduinëve palestinezë në zonë që çoi në refuzimin e Gjykatës së Lartë izraelite të vendbanimit të përhershëm të komuniteteve në zonë, pavarësisht nga provat për të kundërtën.

"Ne vazhdimisht përballemi me sulmet izraelite, edhe kur po kullosim dhitë tona në kodra, ne jemi të ngacmuar nga ushtria," tha Shahada.

“Por pavarësisht nga të gjitha vuajtjet, të jetosh në këtë tokë është njësoj si të jetosh në Paris për mua,” tha ai.

Kolonët izraelitë sulmojnë Masafer Yatta natën dhe i vejnë flakën shtëpive dhe tendave, sipas palestinezëve vendas.

Një protestë nga vendësit dhe aktivistët e huaj u sulmua gjithashtu nga kolonët dhe ushtria izraelite të premten, dhe kjo u dëshmua nga Al Jazeera.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, autoritetet izraelite kanë shkatërruar ose konfiskuar 217 struktura që u përkasin palestinezëve në Masafer Yatta që nga viti 2011, duke zhvendosur 608 palestinezë.

“A ka ndonjë ligj që lejon ushtrinë të stërvitet në zonat ku jetojnë njerëzit? Unë nuk mendoj kështu, "tha Shahada.

“Pas vendimit të fundit të gjykatës për të na përjashtuar, çdo minutë shqetësohem se do të vijë ushtria dhe do të më nxjerrë jashtë. Është një vështirësi që nuk mund ta përballoj”, tha ai.

Izraeli i konsideron të gjitha strukturat e përhershme të ndërtuara pa leje izraelite si të paligjshme – dhe këto leje janë jashtëzakonisht të vështira për t'i marrë palestinezët.

Priten më shumë prishje dhe sekuestrime shtëpish në ditët në vijim, pas vendimit të gjykatës.

Gruaja e Shahada-s, Aisha Abu Aram, i kalon ditët duke u kujdesur për dhitë dhe pulat e familjes dhe nuk dëshiron të imagjinojë ditën që do të duhet të largohet nga Masafer Yatta.

“Vitin e kaluar im shoq na bëri dy varre, krah për krah, pranë shtëpisë sonë – ne nuk do ta lëmë tokën tonë edhe pasi të vdesim,” tha ajo.

"Kam jetuar për vite në shpellat këtu dhe kur të vdes dua të kthehem përsëri në tokë."

Përktheu: Artinë Rexhepi