I veshur me një jelek, Aliu, i cili ishte fejuar me vajzën e mesme të Ayshës, Viam, vazhdon të kërkojë nëpër rrënoja. Pas tetë ditësh kërkime, Aliu gjeti trupin e më të dashurës së tij, Viam. Ajo ishte duke përqafuar vëllain e saj Mohammedin kur vdiq
(BBC) - Aysha Moarri, 45 vjeç, qan teksa në duar mban një çantë të bardhë, në pjesën e pasme të një kamioni.
"Si po më lë pas? Ti ishe arsyeja e vetme që mbeta gjallë... Si mund të marr frymë tani?"
Vajza e saj është brenda. Pranë saj janë trupat e pesë anëtarëve të tjerë të familjes së tyre.
Është një tjetër pasdite e ftohtë në pikën kufitare Bab al-Hawa midis Turqisë jugore dhe Sirisë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita.
Familjet e refugjatëve sirianë që kanë humbur të dashurit në tërmetin që goditi Turqinë jugore janë mbledhur atje për të ndihmuar në riatdhesimin e trupave të tyre.
Era vdekje
Përreth nesh qëndron në ajër era e rëndë e vdekjes.
Aysha, bashkëshorti i saj Nouman dhe mbesa e tyre katërvjeçare Elma, ishin të vetmit të mbijetuar pas shembjes së pallatit gjashtëkatësh ku ata jetonin.
Aysha dhe Nouman humbën dy vajza, një djalë dhe dy mbesa, dhe ishin ende në kërkim të dhëndrit të tyre.
Familja iku nga lufta civile në Siri tetë vjet më parë, duke shpresuar për një fillim të ri dhe u strehua në qytetin jugor turk, Antakya. Qyteti është tani në gërmadha me më shumë se gjysmën e ndërtesave të dëmtuara.
Emri i secilës viktimë siriane të sjellë në Bab al-Hawa është shkruar me një stilolaps të kaltër në çantat e kufomave, për t'u siguruar që ata të mund të identifikohen pasi të kthehen në shtëpi.
"Kujdesuni mirë për njëri-tjetrin. Shirin, e dashura ime, kujdesu për vëllain dhe motrën tënde dhe nipërit e mi të dashur", thotë Aysha, teksa puth trupin e vajzës së saj përmes pëlhurës së bardhë.
Gishtat e saj ngurrojnë ta lëshojnë kamionin, ndërsa ai niset, duke mos dashur që të shkojë.
Burri i saj shpërthen në lot teksa sheh kamionin që kalon kufirin.
"Lamtumirë të dashurit e mi... Do të shkoni të gjithë në shtëpi... Do të jeni bashkë", thotë Nouman, duke bërë me dorë të fashuar.
Atë mëngjes, pesë kamionë të tjerë mbërrijnë në kufi me trupat e sirianëve të nxjerrë nga rrënojat. Disa janë thjesht të mbështjellë me batanije.

Operacioni i improvizuar i shpëtimit
Mes rrënojave të banesës së familjes Moarri në Antakya, dy shegë qelqi qëndrojnë krejtësisht të paprekura në një raft. Një pikturë ende qëndron mbi tryezë. Pjesa tjetër e dhomës është shembur.
I veshur me një jelek, Aliu, i cili ishte fejuar me vajzën e dytë të Ayshës, Viamin, vazhdon të kërkojë nëpër rrënoja.
Ai na tregon se ku e gjeti trupin e Viamit. Ata ishin të dashuruar prej katër vjetësh, por vetëm një javë para tërmetit ai e kishte bindur të atin të pranonte fejesën e tyre.
"Atë natë ne ishim ende duke i dërguar mesazhe njëri-tjetrit në WhatsApp deri vonë. Nuk mund të flinim", thotë ai.
Rreth orës 04:00 ai ka marrë një mesazh nga Viami: "A je zgjuar? Pata një makth të çuditshëm", ka shkruar ajo.
Ata ishin në mes të një videotelefonate kur toka filloi të dridhej.
"Sapo i kisha thënë se ajo nuk duhet të mendonte për atë ëndërr të keqe. Dhe pastaj i thamë njëri-tjetrit se e donim njëri-tjetrin. Ajo ishte ulur në shtratin e saj dhe qeshte e qetë", kujton Aliu, duke u përpjekur shumë që të mos shpërthejë në lot.
"E pashë duke u përpjekur të vraponte. Më pas fotografia ngriu. Ekrani u nxi".
Një trajner fitnesi që ka përvojë në stërvitje luftarake me opozitën e armatosur në Siri, Aliu mundi të mbrohej duke u zvarritur nën tryezë në dhomën e tij.
“Kur mbaroi tërmeti, unë dola jashtë, e gjithë lagjja jonë u shkatërrua”.
"Nuk më kujtohet se si eca në rrugën ku ajo Viami jetonte. Më mori dy herë më shumë kohë sepse të gjitha rrugët ishin të bllokuara".
Kur ai arriti në bllokun e pallateve, një operacion i improvizuar shpëtimi i organizuar nga fqinjët ishte tashmë duke u zhvilluar. Ai thirri miqtë për t'u bashkuar me ta. Kaluan orët dhe asnjë ndihmë zyrtare nuk erdhi.
Aliu thotë se ai dhe miqtë e tij janë nga zonat e Sirisë që janë bombarduar shpesh nga forcat qeveritare siriane gjatë luftës, kështu që ata tashmë kanë pasur disa trajnime dhe përvojë në kërkim-shpëtim. Sirianët duhet të ndihmojnë sirianët, shton ai.

Gjetja e Viamit
Një pjesë e zonës së madhe të Sirisë veri-perëndimore e prekur nga tërmeti është nën kontrollin e Qeverisë siriane. Një pjesë tjetër - prej nga është familja Moarri - mbahet nga grupe të armatosura që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Assad.
Prandaj, bashkërendimi i operacioneve të shpëtimit dhe ndihmës ka qenë shumë kompleks, duke përfshirë palë të shumta në konflikt, vendet që i mbështesin ato dhe organizatat ndërkombëtare humanitare.
Aliu ndihet i pakënaqur ndaj komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se vendet e fuqishme po merren me konflikte më të mëdha në Siri dhe se populli sirian po vuan si rezultat.
"E gjithë bota erdhi për të ndihmuar Turqinë dhe falënderoj Zotin që Turqia është një vend i fortë vetë. Por për Sirinë?"
“Nuk dua të flas për politikë, por nga pikëpamja humanitare, ne nuk kemi as rrymë, as ujë të pastër, madje as shtëpi”.
Ai shtoi: "Shtëpitë tona janë shkatërruar nga lufta dhe tani nga tërmeti. Sigurisht, ne e pranojmë atë që vjen nga Zoti. Por unë duhet t'i them botës: mjaft".
Pas tetë ditësh kërkime, Aliu gjeti trupin e të dashurës së tij Viamit. Ajo ishte duke përqafuar vëllain e saj Mohammedin kur vdiq.
Tani, me një grup prej 15 shokësh sirianë, Aliu po punon për të gjetur familje të tjera siriane.
Pluhuri i imët i betonit i mbulon ata. Është kudo këtu - duke na skuqur sytë dhe duke na bërë flokët tanë ngjyrë hiri.
Sipas autoriteteve turke, gjatë 10 ditëve të para pas tërmetit, më shumë se 2.306 trupa u dërguan në kufi me Sirinë.
Policia kufitare turke na thotë se ka qenë një operacion masiv për ta dhe një sfidë për t'u koordinuar. Ndonjëherë ata janë të gatshëm të dërgojnë trupat, por pala tjetër nuk është e gatshme t'i pranojë ata. Ndonjëherë është e kundërta.
Ndërsa përgatitemi të largohemi, shohim një burrë që përqafon trupin e foshnjës së tij trejavore të mbështjellë me një batanije të vogël. Ai po kërkon ndihmë për ta kthyer trupin e saj në shtëpinë e tyre në një pjesë të provincës Idlib të kontrolluar nga opozita.
Ai kishte nxjerrë vajzën e tij nga rrënojat, më pas e kishte sjellë përtej kufirit në Turqi për trajtim mjekësor. Por ajo nuk mbijetoi.
Familja Moarri më në fund gjeti personin e fundit që kërkonin - trupin e dhëndrit të tyre - 10 ditë pas tërmetit.
E pyes Aliun pse refugjatët sirianë po i dërgojnë trupat e familjeve të tyre në Siri.
"Është shtëpia jonë. Është vendi ku ne ende shpresojmë dhe besojmë se një ditë do të kthehemi. Ne duam që të dashurit tanë të na presin atje".
Përktheu: Forca Jashari