Nën udhëheqjen e lideres Aung San Suu Kyi, Birmania shmangu përhapjen e koronavirusit me ndalimin e udhëtimeve. Vaksinat ishin siguruar nga India dhe Kina, por qeveria e Suu Kyisë u rrëzua vetëm një javë pasi dozat e para të vaksinave iu shpërndanë njerëzve
Me numrin e vdekjeve nga koronavirusi, që po rritet dita-ditës në Birmani, banorët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë akuzuar haptas qeverinë ushtarake që mori kontrollin mbi shtetin në muajin shkurt se po e përdor pandeminë për ta konsoliduar pushtetin dhe për ta shtypur opozitën.
Gjatë javës së kaluar, mesatarja e vdekjeve për kokë banori në Birmani tejkaloi atë të Indonezisë dhe Malajzisë, duke u bërë shteti më i goditur në Azinë Juglindore. Sistemi i dobët i shëndetësisë me shpejtësi u ngarkua me të sëmurë rëndë me COVID-19.
Furnizimi me oksigjen është në pikën më të ulët. Situata është përkeqësuar kur qeveria ndaloi shitjen private të oksigjenit me arsyetimin për shmangien e turmave nëpër zona të ndryshme. Ky vendim ka nxitur akuzat se furnizimi me oksigjen po bëhet vetëm për përkrahësit e qeverisë dhe për spitalet ushtarake.
Presioni
Në të njëjtën kohë, punëtorët shëndetësorë kanë qenë cak i sulmeve të pushtetit pas lëvizjes protestuese që u bënte thirrje profesionistëve dhe shërbyesve civilë që të mos bashkëpunonin me qeverinë e njohur si Këshilli Administrativ i Shtetit.
“Regjimi ka ndalur shpërndarjen e maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse. Nuk po lejojnë civilët që dyshohet se përkrahin lëvizjen për demokraci që të trajtohen në spitale, ndërkaq kanë arrestuar doktorët që kanë përkrahur lëvizjen civile”, thotë Yanghee Lee, ish-eksperte për të drejtat e njeriut në Birmani dhe anëtare themeluese e Këshillit të Veçantë për Birmaninë.
“Kanë ndalur shitjen e oksigjenit për civilët ose njerëzit që nuk përkrahin qeverinë, prandaj diçka që mund të shpëtojë njerëzit po e përdorin kundër njerëzve. Ushtria është armatosur me COVID-19”, thotë ajo.
Zëvendësministri i Informacionit në Birmani, Zaw Min Tun, nuk u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me akuzat, por me rritjen e presionit të brendshëm dhe të jashtëm që pandemia të vihet nën kontroll, regjimi ushtarak ka qenë në sulm me marrëdhëniet publike.
Propaganda mediatike
Gazeta shtetërore “Global New Light of Myanmar” gjatë kësaj jave ka publikuar një seri të shkrimeve për të shpërfaqur planet e qeverisë për vaksinim dhe furnizim me oksigjen.
Gjenerali Min Aung Hlaing, shef i qeverisë, citohet të ketë thënë se është duke tentuar të fitojë përkrahje nga Asociacioni i Shteteve të Azisë Juglindore dhe nga shtetet miqësore, të cilat nuk i ka përmendur me emra.
“Po bëhet përpjekje për shëndet më të mirë të shtetit dhe njerëzve”, ka thënë gjenerali Hlaing.
Birmania të enjten ka raportuar 342 të vdekur nga koronavirusi dhe 5 mijë e 234 raste të reja. Për të shtatën ditë me radhë, mesatarja e vdekjeve në 1 milion banorë është ngritur në 6.29 – më shumë se dyfishi i mesatares prej 3.04 në Indinë kur kishte pikun e krizës në muajin maj. Shifrat e të infektuarve në Birmani mendohet se janë edhe më alarmuese për shkak të mungesës së testimeve dhe raportimeve të rasteve.
“Ka një dallim të madh mes numrit të vërtetë të vdekjeve që janë raportuar nga Qeveria dhe realitetit”, thotë një mjek në Mawlamyine General Hospital, në qytetin e katërt më të madh të Biranisë. Ai ka folur në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes së qeverisë. “Ka shumë njerëz që kanë vdekur nga virusi dhe nuk janë numëruar”, shtoi ai.
Në videot e publikuara nëpër rrjetet sociale shiheshin të vdekurit në shtëpitë e tyre për shkak se nuk ishin trajnuar nga doktorët ose kanë pritur në rreshtat e gjatë për furnizim me oksigjen. Qeveria ka mohuar lajmet se varrezat në Yangon janë të stërmbushura, por ka njoftuar të martën se do t’i ndërtojë qendrat e reja në të cilat mund të digjen 3 mijë trupa në ditë.
“Duke lënë COVID-19 që të dalë jashtë kontrollit, junta ushtarake ka dështuar para birmanëve, por edhe karshi rajonit dhe botës. Kështu mund të kërcënohet nga variantet e reja për shkak të përhapjes së pakontrolluar në shtetet si Birmania”, thotë Phil Robertson, zëvendësdrjetor i Human Rights Watch për Azinë. “Problemi është se junta më shumë shqetësohet për mbajtjen e pushtetit sesa ndaljen e pandemisë”.
Birmania është një prej shteteve më të varfra në Azi dhe veçse ishte në kushte të rënda kur ushtria mori pushtetin, duke krijuar një ngërç të dhunshëm politik.
Nën udhëheqjen e lideres Aung San Suu Kyi, Birmania shmangu përhapjen e koronavirusit me ndalimin e udhëtimeve. Vaksinat ishin siguruar nga India dhe Kina, por qeveria e Suu Kyi u rrëzua vetëm një javë pas dozave të para të vaksinave që u shpërndanë te njerëzit.
Përndjekja e mjekëve
Teksa pakënaqësia civile po rritej nga rrëzimi i Suu Kyi, spitalet publike u mbyllën dhe mjekët refuzuan të punonin nën administratën e re, duke punuar në klinikat e tyre, por i priste arresti të gjithë ata që kapeshin duke kryer punë private.
Disa prej mjekëve janë kthyer në spitalet publike, por mjeku i intervistuar në Mawlamyine ka thënë se është fort e rrezikshme.
“Mund të arrestohem nga junta nëse kthehem në spital”, shtoi mjeku që ishte pjesë e lëvizjes pro-demokracisë. Ka trajtuar pacientët me ilaçe që ka siguruar vetë.
Sipas Tom Andrewsit, ekspert i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, forcat ushtarake të qeverisë janë përfshirë në 260 sulme ndaj mjekëve dhe spitaleve. Kanë vrarë së paku 18 punëtorë shëndetësorë, ndërkaq 67 i kanë arrestuar. Më shumë se 600 të tjerë janë në kërkim nga regjimi ushtarak.
Spitalet ushtarake kanë vazhduar të punojnë pas rrëzimit të kryeministres, por janë shmangur nga njerëzit, ndërkaq programi i vaksinimit ishte i ngadalshëm. Nuk ka shifra të sakta për të vaksinuarit, por besohet se rreth 3 për qind e popullsisë mund të kenë marrë dy dozat.
Ngritja e shpejtë e rasteve me COVID-19 është “shqetësuese, sidomos me kapacitetin e kufizuar të shërbimeve shëndetësore dhe furnizimit me oksigjen”, thotë Joy Singhal, shef i delegacionit të Kryqit të Kuq në Birmani. “Ka nevojë urgjente për testim më të madh, gjurmim të rasteve dhe vaksinim me qëllim që ndalet përhapja e koronavirusit”, shton ai. “Përhapja e madhe e koronavirusit është shqetësim për miliona banorë që veçse po përballeshin me krizat më të thella sociale dhe ekonomike”.
Në fillim të javës, Andrews ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ta arrijnë “armëpushimin e COVID-19”.
“Kombet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë anash teksa junta pamëshirshëm sulmon personelin shëndetësor”, thotë ai. “Duhet të veprojnë për t’i dhënë fund dhunës me qëllim që doktorët dhe punëtorët shëndetësorë të shpëtojnë jetë, ndërkaq organizatave ndërkombëtare të lejohen që t’i shpërndajnë vaksinat dhe ilaçet”.
Pas një periudhe të gjatë pa ndihmë humanitare, Kina së fundmi nisi shpërndarjen e vaksinave. Gjatë muajit korrik ka dërguar 736 mijë doza në Yangon, pakoja e parë prej 2 milionë dozave sa do t’i dhurojë për shtetin e Birmanisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, refuzoi të komentonte për shpërndarjen e vaksinave te qeveria ushtarake e Birmanisë. Ka insistuar se “epidemia është armik i përbashkët i njerëzimit”.
Gazeta e pushtetit “Global New Light” ka raportuar se Birmania pranoi edhe 1 milion doza të blera nga Kina.
Përhapja e koronavirusit është raportuar edhe në burgjet e shtetit aziatik. Të mërkurën është raportuar se 610 të burgosur janë vaksinuar. Lajmi është pritur me skepticizëm dhe kritika në rrjetet sociale.
Lee thotë se nëse qeveria tenton t’i përdorë vaksinat dhe ndihmat e tjera për ta pozicionuar veten si zgjidhje ndaj pandemisë, është shumë vonë.
“Njerëzit e dinë se është bërë vonë. COVID-19 nuk është krijuar nga njeriu, por është përhapur nga kompleksiteti dhe bllokadat e shërbimeve - prandaj nuk ka kthim prapa”, thotë ajo.
Përktheu: Gent Mehmeti