Botë

Brenda mendjes së një narcisti

Narcist

Narcizmi shpesh shihet si një tipar i neveritshëm, por për shumë njerëz është një çrregullim i vërtetë që buron nga trauma dhe pasiguri të thella. Ky reportazh sjell zërat e atyre që jetojnë me çrregullimin e personalitetit narcistik (NPD), të cilët po përpiqen të kuptojnë veten dhe të ndryshojnë. Ata flasin për përballjen me stigmat, mungesën e ndihmës dhe rolin e rrjeteve sociale si mbështetje – apo shpesh si armë kundër tyre.

Ka raste kur Jay Spring beson se është “personi më i madh në planetin Tokë”. Ky 22-vjeçar nga Los Angeles është diagnostikuar me narcizëm, dhe në momentet e tij më madhështore, ai thotë se “gjërat mund të bëhen vërtet shumë të shkëputura nga realiteti. “Je sikur në re dhe mendon: ‘Të gjithë do ta kuptojnë që unë jam më i mirë se ata të tjerët ... Do të bëj gjëra të mëdha për botën’”.

Për Jayin, kjo periudhë vetëlavdërimi zakonisht pasohet nga një “rrëzim” emocional, kur ai ndjehet i mërzitur dhe i turpëruar për sjelljen e tij. Në ato momente është veçanërisht i ndjeshëm ndaj kritikave nga të tjerët. Ai filloi të dyshonte se mund të kishte çrregullim të personalitetit narcistik (NPD) pasi kërkoi vetë informacion në internet mbi simptomat e tij  dhe më pas u diagnostikua nga një profesionist. Por ai thotë se nuk do ta kishte pranuar këtë diagnozë nëse nuk do ta kishte arritur vetë këtë përfundim më parë. “Nëse përpiqesh t’i thuash dikujt se e ka këtë çrregullim, ndoshta do ta mohojë”, thotë ai, veçanërisht nëse përjeton ndjenja madhështie si ai. “Ata jetojnë në një botë iluzore që e kanë krijuar vetë. Dhe ajo botë është: unë jam më i miri dhe askush s’mund të më kundërshtojë”.
Edhe pse njerëzit janë quajtur narcistë prej më shumë se një shekulli, nuk është gjithmonë e qartë çfarë nënkuptohet me këtë term. “Të gjithë e quajnë njëri-tjetrin narcistë”, thotë W. Keith Campbell, profesor psikologjie në Universitetin e Gjeorgjisë dhe ekspert në fushën e narcisizmit. Fjala “përdoret më shumë sesa duhet”, por kur bëhet fjalë për një diagnozë zyrtare, ai beson se shumë njerëz e fshehin këtë, për shkak të stigmatizimit që ekziston rreth këtij çrregullimi. Një narcist zakonisht ka një pamje të ekzagjeruar për veten, një mungesë empatie, dhe prirjen për të përdorur të tjerët për të rritur vetëbesimin ose statusin shoqëror - përmes kërkimit të vëmendjes, shfaqjes së gjërave materiale apo kërkimit të pushtetit. Ata që kanë çrregullim të personalitetit narcistik mund të jenë kaq të përfshirë në këto sjellje, saqë nuk arrijnë të kenë marrëdhënie të qëndrueshme, puna e tyre dëmtohet, dhe kanë një pamje të shtrembëruar të realitetit.

“Plagë narciste”

Edhe pse deri në 75% e personave të diagnostikuar me këtë çrregullim janë burra, një studim nga Universiteti i Londrës i publikuar vitin e kaluar sugjeron se kjo nuk do të thotë që gratë janë më pak narciste - por se narcizmi te gratë shfaqet më shpesh në një formë më të fshehtë, që nuk diagnostikohet aq lehtë. Kjo formë quhet narcizëm i fshehtë ose i ndjeshëm, dhe është më e vështirë për t’u dalluar. “Narcizmi te meshkujt është disi më i pranueshëm në shoqëri - ashtu si shumë gjëra të tjera”, thotë Kaelah Oberdorf, 23 vjeçe nga Atlanta, e cila ndan në TikTok përvojat e saj me çrregullimin narcistik (NPD) dhe çrregullimin e personalitetit kufitar (BPD). Nuk është e rrallë që këto dy çrregullime të ndodhin së bashku.

“E kam shumë të vështirë t’i përballoj kritikat dhe refuzimin”, thotë Oberdorf, “sepse nëse dëgjoj që problemi jam unë, ose futem në mbrojtje, ose mbyllem plotësisht”. Edhe pse ka këtë reagim - që ndonjëherë quhet “plagë narciste”, ajo po përpiqet ta kapërcejë dhe të pranojë këshillat nga njerëzit e saj të dashur, pasi nuk dëshiron të kthehet te sjelljet e dëmshme që ka pasur në të kaluarën. “Si adoleshente, kam qenë shumë abuzuese emocionalisht ndaj partnerëve të mi”, thotë ajo. Falë terapive të sjelljes, ka arritur të zbusë simptomat e çrregullimit narcistik, dhe thotë se me partnerin e saj aktual kanë ndërtuar një marrëdhënie ku ajo i ka thënë: “Nëse them diçka të gabuar, nëse them diçka manipuluese, më thuaj menjëherë”.

Oberdorf është rritur kryesisht nën kujdesin e të atit dhe thotë se i kanë munguar modelet pozitive gjatë fëmijërisë. “Gjatë gjithë kësaj kohe po mësoj se çfarë është dhe çfarë nuk është e përshtatshme për t’u thënë gjatë një sherri, sepse nuk i kam mësuar këto gjëra kur isha e vogël”, thotë ajo. “Asgjë nuk kishte kufi kur anëtarët e familjes më ofendonin në fëmijëri”.

Çrregullimet e personalitetit zakonisht lidhen me vështirësi në fëmijëri. “Ka një komponent gjenetik”, thotë Tennyson Lee, psikiatër pranë Shërbimit për çrregullime të personalitetit “DeanCross” në Londër. Por kur dikush zhvillon tipare narciste, kjo shpesh lidhet me mjedisin e tij të hershëm. Ai shton se këto tipare ishin “një mënyrë për të mbijetuar që në një moshë shumë të vogël”, kur mund të kenë qenë të neglizhuar, ose kur dashuria që merrnin ishte e kushtëzuar - pra, u jepej vetëm nëse plotësonin pritshmëritë e të tjerëve. Këta mekanizma mbijetese, ata i përdorin edhe si të rritur.
Ashtu si disa prej njerëzve të diagnostikuar me çrregullim të personalitetit narcistik me të cilët ka folur The Guardian, John (emër i ndryshuar) mendon se edhe prindërit e tij “mund të kenë qenë narcistë”. 38-vjeçari nga Leeds thotë se kur ishte fëmijë, “çdo gjë rrotullohej rreth tyre, punës dhe jetës së tyre shoqërore. Prandaj ishte si të thuash: mos na shqetëso”. Kur ata përqendroheshin tek ai, kjo ndodhte në formën e “presionit të madh” për të pasur nota të larta dhe sukses në karrierë, gjë që e bënte të ndjehej se, nëse nuk i përmbushte këto pritshmëri, nuk ishte “i mjaftueshëm”.

Kur u rrit, asnjë nga marrëdhëniet e tij nuk funksionoi. “Nuk më ka interesuar vërtet ndonjëherë ndonjë njeri”, thotë ai. “Prandaj as nuk i kam marrë kurrë seriozisht marrëdhëniet”. Ai mendonte se nuk ishte i aftë të donte dikë, derisa njohu partneren e tij aktuale, me të cilën është bashkë prej tre vjetësh. Ajo është e diagnostikuar me çrregullim të personalitetit kufitar, dhe, si ai, ka vështirësi me menaxhimin e emocioneve. Ajo “e kupton shumë mirë atë që ndodh në kokën time”, thotë ai - në fakt, ishte ajo që fillimisht dyshoi se ai mund të kishte çrregullim narcistik.

Pas një vizite te mjeku i familjes, John u referua te një psikolog klinik për një vlerësim dhe mori diagnozën. Atij i është rekomanduar terapi bisedimi nëpërmjet shërbimit shëndetësor publik, pasi kjo është forma e vetme e trajtimit që ka treguar rezultat për personat me çrregullim narcistik, sipas doktor Lee. Por ai ka qenë në listë pritjeje për një vit e gjysmë. “Më thanë se ndoshta do të fillojë diku nga shkurti apo marsi i vitit tjetër”.

John u ka treguar vetëm disa personave për diagnozën e tij, sepse “ekziston një stigmë e madhe që të gjithë narcistët janë abuzues”, por në jetën private ai e ka pranuar këtë. “Më ndihmon të kuptoj më mirë veten, dhe kjo është gjithmonë diçka e mirë”, thotë ai. Të gjithë personat me të cilët kam folur e kanë pranuar narcizmin e tyre dhe po kërkojnë ndihmë - kjo është arsyeja pse janë të gatshëm të flasin - por kjo ndoshta nuk përfaqëson shumicën e njerëzve me këtë çrregullim. Megjithatë, ekzistenca e blogerëve si Oberdorf dhe Lee Hammock, dhe rritja e komuniteteve mbështetëse online, tregon se gjithnjë e më shumë narcistë po i pranojnë hapur problemet me të cilat përballen – dhe problemet që mund t’u shkaktojnë të tjerëve.

(Mos)mbështetja për personat e tillë

“Të shohësh që nuk je vetëm në atë me të cilën po lufton, të jesh në gjendje të flasësh me të tjerë që ndihen si ti, dhe ndoshta të mësosh mënyra për ta përballuar”, janë disa nga arsyet pse përdoruesi i Reddit-it Phteven_j (që dëshiron të mbetet anonim) filloi të bashkohej në bisedat për NPD në internet. Tani që është moderator në platformën për personat me NPD, inxhinier softueri 37-vjeçar mendon se ai dhe gjithë grupi janë “mjaft të mirë për të mos inkurajuar sjellje të çrregullta” dhe për t’u siguruar që nuk duhet të kenë sjellje negative ose problematike.

Megjithatë, ai thotë se do të ishte gënjeshtër po të thoshte që nuk e pëlqen idenë e të pasurit njëfarë pozite autoriteti - gjë që mund të lidhet me simptomat e narcizmit – por Phteven_j beson se platforma është kryesisht një forcë pozitive. Megjithatë, ai shton se ka gjithmonë përdorues në Reddit që duan të ankohen për narcistët (dhe ndonjëherë edhe për vetë ekzistencën e një komuniteti që i mbështet ata). “Është e vazhdueshme”, thotë ai. Në internet, narcistët shpesh paraqiten “gati si personazhe negative të filmave”, dhe rrëfimet janë zakonisht nga perspektiva e atyre që janë abuzuar nga dikush që besojnë se është narcist. “Këshilla që jepet është pothuajse gjithmonë e njëjtë: ik, largoju, mos fol më kurrë me ta”, thotë moderatori.

Edhe Oberdorf është kritike ndaj mënyrës se si flitet për narcizmin online. Përdorues të rrjeteve sociale e kanë akuzuar për “mburrje” rreth çrregullimeve të saj të personalitetit, sepse ajo i përmend ato në profilet e saj dhe i diskuton në përmbajtjen që publikon. “Nuk po mburrem për faktin që kam një sëmundje mendore që më kufizon në jetën e përditshme,” thotë ajo. “Jam krenare për faktin që kam mbijetuar me sëmundje mendore që, sipas statistikave, mund të më kishin marrë jetën”. Ajo është shumë e interesuar të hapë më shumë biseda për NPD-në - “stigmatizimi është gjëja më e keqe që mund të ndodhë për çdo sëmundje”.

Në këtë epokë të selfieve dhe fotove provokuese në rrjetet sociale, mund të duket sikur narcizmi është në rritje. Por vetëm sepse tani ka më shumë hapësira për sjellje narciste, nuk do të thotë që çrregullimi në vetvete po bëhet më i shpeshtë, thotë Lee. Ia vlen të përmendet, shton Campbell, se “rrjetet sociale po i bëjnë njerëzit të ndihen më keq me veten”, dhe, për shumicën, “nuk i bëjnë të ndihen më mirë apo të mendojnë se janë të jashtëzakonshëm”.

Megjithatë, mënyra se si bëhen diagnozat për çrregullimin e personalitetit narcistik (NPD) është “jo optimale”, sipas Lee. Shumica e kërkimeve mbi këtë çrregullim janë bërë në SHBA, ku një artikull i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikiatrisë vlerëson se çrregullimi shfaqet tek 1%–2% e popullsisë. “Nëse bëhet diagnoza, atëherë ajo bazohet në manualin DSM-5 të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, i cili kap vetëm një aspekt të narcizmit – atë më të dukshmin, më agresivin - por nuk e përfshin formën më të fshehtë apo të ndjeshme”, thotë Lee.

Ka dy lloje të narcizmit për të cilat flitet më shpesh. I pari është forma “madhështore” ose “e hapur”, që shfaqet përmes sjelljeve tipike narcisiste si agresiviteti dhe kërkimi i vëmendjes. I dyti është “narcizmi i ndjeshëm” ose “i fshehtë”, që është “lloji i individit që një mjek mund ta anashkalojë, sepse shpesh duket më i rezervuar, madje në disa raste edhe i përulur”, thotë Lee. Narcizmi madhështor dhe ai i ndjeshëm janë “dy anë të së njëjtës medalje”, thotë ai. Të dy llojet kanë një ndjenjë të ekzagjeruar për rëndësinë e vetes, por tek një narcisist i fshehtë kjo mund të shfaqet si ndjeshmëri e madhe ndaj kritikës ose ndjenja e viktimës, në vend të dëshirës për të qenë në qendër të vëmendjes.
Campbell thekson se ekziston rreziku që narcistët të përdorin rrjetet sociale për të mbajtur gjallë narcizmin e tyre, pasi mund të jenë mjet për të kërkuar vëmendje pozitive ose lavdërime. Por ai gjithashtu sheh përfitime nga shembujt pozitivë dhe mbështetja për personat me NPD. Kur një person i famshëm, si komediani amerikan Nick Cannon në vitin 2024, del hapur me diagnozën e NPD dhe thotë se po i shkakton probleme, “ky është një mesazh shumë i mirë”, thotë Campbell.
Edhe Lee është i kujdesshëm kur bëhet fjalë për përdorimin e rrjeteve sociale për edukim apo si sistem mbështetjeje për njerëzit me NPD, “sepse ka shumë informacion të pasaktë”. Por ai beson se mungon informacioni “më i strukturuar”, veçanërisht në sistemin shëndetësor britanik (NHS). “Shërbimi për individët narcistë është shumë i pabarabartë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar” dhe “shumë mjekë nuk e bëjnë fare diagnozën e narcizmit”, thotë Lee, pjesërisht sepse nuk janë trajnuar për ta dalluar atë, dhe pjesërisht sepse hezitojnë të bëjnë një diagnozë që shihet kaq negativisht. Simptomat e NPD gjithashtu nënkuptojnë se “nëse një narcist ia del të funksionojë mirë në jetë, edhe nëse ka një nivel të lartë narcisizmi, nuk do të kërkojë trajtim”. Kur një pacient me NPD kërkon ndihmë, shpesh kjo ndodh sepse është përballur me pasoja negative nga sjelljet e tij narciste, ose sepse një partner apo anëtar i familjes e ka shtyrë drejt ndihmës.

Spring shpreson që njerëzit të ndryshojnë mënyrën se si e shohin një narcist. “Një narcist përpiqet të besojë se është më i miri, sepse kjo është mënyra e tij për t’u përballur me ndjesinë se: ‘Unë jam më i keqi,’” thotë ai. “Ka diçka që më mungon dhe kam nevojë të jetoj në një botë fantazie ku jam heroi, sepse ndoshta në fëmijëri isha ‘armik’ dhe tani ndjej nevojën të eci në të kundërtën e asaj.”

Është e qartë që NPD është një gjendje që kërkon ndihmë psikologjike, por Oberdorf e kupton pse narcistët nuk kërkojnë ndihmë. “Nëse ke një problem, dhe të thonë vazhdimisht se njerëzit me një problem si i yti janë të pavlefshëm, të këqij, ose njerëz të tmerrshëm për shkak të atij problemi, pse do të doje ta pranoje që e ke?”