Botë

Bota po bëhet bashkë kundër Rusisë

Ishte befasuese të dëgjoje miqtë nominalë të Rusisë, si Kina dhe India, në vijim të komenteve të javës së kaluar, të flasin për shqetësime të mëdha që kanë për konfliktin dhe ndikimin e luftës në mungesat globale të ushqimit dhe energjisë, si dhe kërcënimet ndaj koncepteve të sovranitetit dhe integritetit territorial që janë të sanksionuara në Kartën e OKB-së.

Vala e opinionit ndërkombëtar duket se po zhvendoset në mënyrë vendimtare kundër Rusisë, pasi një numër vendesh të paangazhuara po u bashkohen Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për ta dënuar luftën e Moskës në Ukrainë dhe kërcënimet e saj ndaj parimeve ndërkombëtare.

Zyrtarët perëndimorë kanë thënë vazhdimisht se Rusia është izoluar që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt. Megjithatë, deri vonë, ky ishte kryesisht vetëm mendim i dëshiruar. Mirëpo të martën, të mërkurën dhe të enjten, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar ka folur kundër konfliktit në një shfaqje të rrallë uniteti në Kombet e Bashkuara.

Batica tashmë dukej se po kthehej kundër presidentit rus, Vladimir Putin, edhe para fjalimeve të së enjtes në OKB. Udhëheqësit kinezë dhe indianë kishin qenë kritikë ndaj luftës në një samit të nivelit të lartë në Uzbekistan. Dhe më pas Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i ka shpërfillur kundërshtimet e Rusisë dhe ka votuar me shumicë dërrmuese për ta lejuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksyy, të ishte i vetmi udhëheqës që do t’i drejtohej trupit nga distanca, në vend që t’i kërkonte atij të paraqitej personalisht.

Urdhri i Putinit

Ky qëndrim kundër Rusisë u përshpejtua pasi Putini kishte njoftuar për mobilizimin e rreth 300 mijë trupave shtesë në Ukrainë, duke sinjalizuar pak gjasa për një fund të shpejtë të luftës. Putini ka sugjeruar gjithashtu se armët bërthamore mund të jenë një opsion. Kjo pasoi një njoftim të synimit të Rusisë për të mbajtur referendume për pavarësinë në disa rajone të okupuara të Ukrainës më synimin drejt aneksimit të mundshëm.

Këto njoftime erdhën pikërisht në momentin që Asambleja e Përgjithshme, e konsideruar si ngjarja kryesore në kalendarin diplomatik global, po zhvillohej në Nju- Jork.

Liderë të shumtë botërorë i kanë përdorur fjalimet e tyre të martën dhe të mërkurën për të denoncuar luftën e Rusisë. Kjo prirje vazhdoi të enjten si në sallën e asamblesë ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së zakonisht të ndarë thellë, ku, një nga një, pothuajse të gjithë 15 anëtarët e këshillit shërbyen me kritika të ashpra ndaj Rusisë.

Ndryshimi i dukshëm në opinion ofron njëfarë shprese për Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë se rritja e izolimit do ta shtojë presionin mbi Putinin për ta negociuar paqen. Por pak janë tepër optimistë. Putin ka vënë në rrezik trashëgiminë e tij në luftën në Ukrainë dhe pak presin që ai të tërhiqet. Dhe, Rusia vështirë se është e izoluar. Shumë nga aleatët e saj varen nga ajo për energji, ushqim dhe ndihmë ushtarake dhe ka të ngjarë të qëndrojnë pranë Putinit, pavarësisht se çfarë ndodh në Ukrainë.

Megjithatë, ishte befasuese të dëgjoje miqtë nominalë të Rusisë si Kina dhe India, në vijim të komenteve të javës së kaluar, të flasin për shqetësime të mëdha që kanë për konfliktin dhe ndikimin e tij në mungesat globale të ushqimit dhe energjisë, si dhe kërcënimet ndaj koncepteve të sovranitetit dhe sovranitetit dhe integriteti territorial që janë të sanksionuara në Kartën e OKB-së.

Brazili i ka shprehur të njëjtat shqetësime. Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut përbëjnë të ashtuquajturat bllok të vendeve BRICS, i cili shpesh është shmangur ose ka kundërshtuar plotësisht iniciativat dhe pikëpamjet perëndimore mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mbështetja e Bjellorusisë

Vetëm një vend, Bjellorusia, që nuk është anëtare e këshillit dhe aleat i Rusisë që u ftua të merrte pjesë, foli në mbështetje të Rusisë, mirëpo gjithashtu bëri thirrje për një fund të shpejtë të luftimeve, të cilat ajo i quajti “tragjedi”.

“Ne dëgjomë shumë për ndarjet midis vendeve në Kombet e Bashkuara”, ka theksuar sekretari i Shtetit, Antony Blinken. “Mirëpo kohët e fundit, ajo që bie në sy është uniteti i jashtëzakonshëm midis shteteve anëtare kur bëhet fjalë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Udhëheqësit nga vendet në zhvillim dhe të zhvilluara, të mëdha e të vogla, veriu e jugu kanë folur në Asamblenë e Përgjithshme për pasojat e luftës dhe nevojën për t’i dhënë fund asaj.

“Edhe një numër vendesh që mbajnë lidhje të ngushta me Moskën kanë thënë publikisht se kanë pyetje dhe shqetësime serioze në lidhje me pushtimin e vazhdueshëm të presidentit Putin”, ka theksuar Blinken.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ishte i kujdesshëm që të mos e dënonte luftën, mirëpo ka thënë se qëndrimi i vendosur i Kinës është se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen. Qëllimet e parimeve të Kartës së OKB-së duhet të respektohen”.

Ministri indian i Punëve të Jashtme, S. Jaishankar ka thënë se “trajektorja e konfliktit në Ukrainë është çështje e një shqetësimi të thellë për komunitetin ndërkombëtar”. Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi ndaj mizorive dhe abuzimeve të kryera në Ukrainë. “Nëse sulmet skandaloze të kryera në mes të ditës lihen të pandëshkuara, ky këshill duhet të reflektojë mbi sinjalet që në po i dërgojmë për mosndëshkimin. Duhet të ketë qëndrueshmëri nëse duam të sigurojmë besueshmëri”, ka thënë ai.

Dhe ministri i Jashtëm brazilian, Carlos Alberto Franca ka thënë se përpjekjet e menjëhershme për t’i dhënë fund luftës janë kritike. “Vazhdimi i armiqësive rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm dhe rrezikon sigurinë ushqimore dhe energjetike të miliona familjeve në rajone të tjera, veçanërisht në vendet në zhvillim”, ka theksuar ai. “Rreziqet e përshkallëzimit që lindin për dinamikën aktuale të konfliktit janë thjesht shumë të mëdha dhe pasojat e tij për rendin botëror të paparashikueshme”.

Ministrat e jashtëm dhe zyrtarët e lartë nga Shqipëria, Britania, Franca, Irlanda, Gaboni, Gjermania, Gana, Kenia, Meksika dhe Norvegjia kanë dhënë qortime të ngjashme.

“Veprimet e Rusisë janë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka. “Të gjithë jemi përpjekur ta parandalojmë këtë konflikt. Mbase ne nuk mundemi, mirëpo nuk duhet të dështojmë në të mbajturit Rusinë përgjegjëse”.

Sekretari i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, e ka quajtur pushtimin “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney është shprehur se: “Nëse ne dështojmë ta mbajmë Rusinë përgjegjëse, ne u dërgojmë një mesazh vendeve të mëdha se ata mund t’i marrin si pre fqinjët e tyre pa u ndëshkuar"./AP

Përktheu: Blerta Haxhiu