Botë

Blerja e papagajve nga një gazetar çoi në bllokimin e llogarive të shitësve në Pakistan

Blerja e papagajve nga një gazetar çoi në bllokimin e llogarive të shitësve në Pakistan

Një rrjet shitësish zogjsh në mbarë Pakistanin u godit papritur nga pezullimi i llogarive bankare – dhe gjithçka nisi nga një klient i pazakontë: një gazetar kritik ndaj pushtetit.

Rozi Khan, një 29-vjeçar nga Karachi që merret me shitjen e zogjve, ishte në një udhëtim pune në Islamabad në prill, kur zbuloi se nuk mund të futej në llogarinë e tij bankare.

Pas një shitjeje që e përfundoi me një klient, ai u përpoq të tërhiqte para nga një bankomat, por u përball me një mesazh shqetësues: “Llogari bankare e pavlefshme”.

I alarmuar, Khan e mori menjëherë fluturimin e parë për t’u kthyer në shtëpi dhe shkoi me ngut të fliste me menaxherin e bankës së tij.

Për habinë e tij, mësoi se llogaria që e kishte përdorur për 10 vjet për biznesin e tij me zogj ishte mbyllur më 10 prill me urdhër të Agjencisë Federale të Hetimit (FIA), pa asnjë shpjegim.

Pas insistimit, Khan arriti të fliste në telefon me një zyrtar të FIA-s, pasi menaxheri i bankës ia dha një numër kontakti. Pas disa pyetjeve mbi transaksionet e fundit të biznesit të tij, zyrtari ia bëri një pyetje të çuditshme: Cila ishte marrëdhënia e tij me Asad Ali Toor, një gazetar dhe koleksionist i pasionuar i papagajve të rrallë?

“Nuk e kuptova menjëherë pyetjen. Unë shes zogj për të gjithë – avokatë, ushtarakë, këdo,” tha Khan për Al Jazeera. “I kam shitur papagaj edhe Asadit. Pse të ma mbyllin llogarinë vetëm sepse kam bërë një shitje me dikë që ndodh të jetë gazetar?”

Një efekt zinxhir në disa qytete

Në Islamabad, Rawalpindi, Lahore, Sargodha dhe qytete të tjera, e njëjta pyetje po ngrihet nga shumë qytetarë – veçanërisht shitës zogjsh – të cilët kanë pasur lidhje tregtare me Toorin dhe më pas janë përballur me mbylljen e papritur të llogarive të tyre bankare.

Nadeem Nasir, një biznesmen 60-vjeçar nga Lahore që ka shitur zogj në të kaluarën, përfshirë edhe për Toorin, zbuloi se llogaria e tij ishte mbyllur më 10 prill kur një çek që e kishte lëshuar për një bashkëpunëtor, doli i pavlefshëm.

“E njoh Asadin prej pesë vjetësh dhe kemi krijuar marrëdhënie të mira. Por hera e fundit që ai bleu papagaj nga unë ka qenë në vitin 2023 dhe në fillim të 2024-tës. Që atëherë nuk ka pasur më transaksione mes nesh”, tha Nasir për Al Jazeera.

Ashtu si Khan, edhe ai nuk e kishte marrë asnjë njoftim nga FIA apo nga banka për mbylljen e llogarisë. Vetëm pasi u lidh me disa zyrtarë të FIA-së nëpërmjet kontakteve të tij, mori vesh se ishte për lidhjet me Toorin. “Vetëm atëherë e kuptova se çfarë kishte ndodhur”, u shpreh ai.

Asad Ali Toor, 40 vjeç, është një gazetar i pavarur dhe vlogger nga Islamabadi, i njohur për qëndrimet e tij kritike. Ai e drejton një kanal të njohur në “YouTube” dhe ka fituar famë për kritikat e tij të hapura ndaj qeverisë, gjyqësorit dhe sidomos ndaj ushtrisë së fuqishme të Pakistanit, e cila e ka sunduar vendin për më shumë se tri dekada dhe vazhdon të ketë ndikim të madh.

Përveç gazetarisë, Toor është edhe koleksionist zogjsh.

Një gazetar me pasion për papagajtë – dhe nën hetim për financat

Mes shumë llogarive bankare të bllokuara nga Agjencia Federale e Hetimit (FIA) ndodheshin edhe ato të vetë Asad Ali Toorit, si dhe të babait, nënës, vëllait dhe një kushëriri të tij, që e ndihmon në menaxhimin e kanalit të tij në “YouTube”.

Kjo nuk ishte përballja e parë e Toorit me autoritetet. Ai e drejton kanalin e tij në “YouTube” prej pesë vjetësh, dhe i ka 335.000 ndjekës, ndërsa më shumë se 355.000 persona e ndjekin në platformën “X” (ish-Twitter).

Në vitin 2021, gjatë kohës që qeveria drejtohej nga partia Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), Toor u sulmua nga persona të panjohur në shtëpinë e tij në Islamabad. Ai ka deklaruar se beson që sulmuesit ishin pjesëtarë të shërbimit ushtarak të inteligjencës, i cili është akuzuar në të kaluarën nga organizatat e të drejtave të njeriut për përfshirje në zhdukje të detyruara dhe vrasje jashtëgjyqësore.

Në atë kohë, zëdhënësit e ushtrisë nuk komentuan mbi akuzat.

Në shkurt 2024, Toor u arrestua me akuzën se e kishte organizuar një “fushatë dashakeqe” kundër shtetit përmes rrjeteve sociale. Ai u lirua pas 18 ditësh në paraburgim.

Disa ditë më parë, kanali i tij në “YouTube” ishte në mesin e 27 kanaleve pakistaneze që autoritetet tentuan t’i pezullonin për përmbajtje “kundër shtetit”. Megjithëse një gjykatës e miratoi fillimisht pezullimin, një gjykatë më e lartë e shfuqizoi vendimin dy ditë më vonë.

Pasioni i Toorit për papagajtë e rrallë është i njohur. Ai i zotëron dhjetëra zogj dhe i shpenzon mbi 50.000 rupi (rreth 175 dollarë) çdo muaj për kujdesin ndaj tyre – një hobi që e financon përmes të ardhurave nga platformat online.

“Mësova që ma kishin bllokuar llogarinë vetëm pasi kushëriri im më njoftoi se edhe atij i ishte ngrirë llogaria për shkak të transaksioneve me mua”, tregoi Toor për Al Jazeera.

“Kur fillova të hulumtoj, zbulova se jo vetëm llogaria ime, por edhe ato të familjarëve të mi dhe shitësve të zogjve ishin bllokuar pa asnjë paralajmërim apo njoftim nga banka apo FIA”.

Luftë ligjore për të drejtën mbi fondet

Për më shumë se një muaj, Toor nuk kishte qasje në fondet e tij dhe u detyrua të mbështetej te miqtë për ndihmë financiare. Më në fund, në maj, Gjykata e Lartë e Islamabadit e pranoi një peticion të tijin dhe e urdhëroi rikthimin e qasjes në llogarinë bankare.

Kur gjyqtari Khadim Hussain Soomro e kërkoi nga FIA një shpjegim për ngrirjen e llogarive, agjencia e dorëzoi një përgjigje njëfaqëshe, duke thënë se po i hetonte të ardhurat e Toorit, që pretendohet se janë fituar përmes postimeve “kundër shtetit dhe kundër qeverisë” në rrjetet sociale.

Në deklaratë thuhej gjithashtu se po hetoheshin edhe “gjurmë të mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” përmes “kanaleve të ndryshme bankare”.

Por gjykata vendosi se Toor ishte privuar nga e drejta për një proces të rregullt ligjor, prandaj veprimi ishte i paligjshëm dhe e urdhëroi rikthimin e qasjes në llogarinë e tij. Megjithatë, llogaritë bankare të familjarëve të tij mbetën ende të bllokuara.

Zainab Janjua, avokatja e Toorit, tha se iu desh më shumë se një javë për ta zbatuar vendimin e gjykatës dhe për ta zhbllokuar llogarinë e klientit të saj.

“Vendimi i gjykatës ishte i qartë – llogaritë duhej të zhbllokoheshin menjëherë. Por bankat refuzuan të vepronin pa një konfirmim me shkrim nga FIA,” tha ajo për Al Jazeera.

Në fund, një koleg i saj dhe vetë Toor shkuan në bankë dhe kërcënuan me procedura për shpërfillje të gjykatës. Vetëm atëherë llogaria u zhbllokua.

“Menaxheri i bankës ishte përmendur në peticionin tonë. E paralajmëruam që, nëse nuk i jepej qasje Toorit, do të përballej me akuza për moszbatim të vendimit gjyqësor. Vetëm atëherë ata u bindën”, shtoi ajo.

FIA nuk iu përgjigj formalisht pyetjeve të Al Jazeera-s, por një zyrtar i agjencisë, që foli në kushte anonimiteti, tha se hetimi ndaj Toorit ishte i domosdoshëm për shkak të aktivitetit financiar “të pazakontë”.

“Asad Toor ka shpenzuar miliona rupi për papagaj, dhe e vetmja e ardhur e tij duket se është nga YouTube. A nuk është kjo e çuditshme?”, tha zyrtari.

Ai shtoi se, sipas ligjeve kundër pastrimit të parave, FIA ka të drejtë ta hetojë çdo veprim financiar që duket i dyshimtë.

“Qëllimi ynë ishte t’i merrnim në pyetje këta individë, përfshirë Toorin dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe ta kuptonim çfarë po ndodhte. Për këtë arsye i ngrimë llogaritë”, tha ai.

Megjithatë, ai nuk dha asnjë shpjegim për mungesën e njoftimeve zyrtare për personat e prekur. Ai shtoi se kushdo që dëshiron ta rikthejë qasjen në llogari, duhet të paraqesë kërkesë me shkrim pranë FIA-s, pasi të ketë marrë një vendim gjyqësor.

Gazetarët nën shënjestër

Një tjetër gazetar i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj shtetit është Matiullah Jan, rreth të pesëdhjetave, banues në Islamabad, ku e drejton një emision në kanalin informativ “Neo News” dhe gjithashtu e ka kanalin e tij në YouTube, “MJTv”. Edhe ai e përjetoi një situatë të ngjashme në prill, kur llogaritë bankare të bashkëshortes dhe motrës së tij u ngrinë.

Jan është përballur më parë me ngacmime dhe arrestime me akuza të ndryshme. Vitin e kaluar, ai u ndalua nga policia me akuza për drogë, të cilat i mohoi, dhe u lirua pasi një gjykatë e liroi nga çdo akuzë. Kanali i tij në “YouTube” ishte një nga 27 kanalet që autoritetet tentuan ta pezullonin javën e kaluar, së bashku me atë të Asad Toorit.

Jan tha se nuk e kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga FIA se llogaritë po ngrinin.

“Llogaria e motrës sime u rikthye vetëm pasi ndërhyri vëllai ynë, që është avokat. Llogaria e bashkëshortes u zhbllokua një muaj më vonë, vetëm pasi banka nuk arriti ta paraqiste asnjë urdhër me shkrim për pezullimin”, tregoi Jan për Al Jazeera.

Drejtësia që vonon

Ndërkohë, Nasir dhe Khan, dy shitësit e zogjve, e çuan çështjen e tyre në gjykatë në Islamabad. Më 3 korrik, një gjykatë vendosi në favor të tyre dhe e urdhëroi rihapjen e llogarive bankare. Nasir arriti më në fund të ketë qasje në llogarinë e tij më 5 korrik – më shumë se dy muaj pas pezullimit.

“Fatmirësisht, munda të mbështetem te fëmijët e mi. Por shqetësimi im kryesor ishte pagesa e ilaçeve për trajtimin e kancerit të bashkëshortes. Është e dhimbshme sa lehtë shteti mund ta ndëshkojë dikë pa e dhënë asnjë shpjegim apo ndjesë”, u shpreh Nasir.

Në Karachi, Khan nuk ka qenë aq me fat. Pavarësisht vendimit të gjykatës, ai thotë se ende nuk ka mundur ta përdorë llogarinë e tij.

Ai tha se pezullimi po e dëmton rëndë biznesin, pasi tani detyrohet t’i përdorë llogaritë e vëllezërve për të kryer transaksione. Sipas tij, klientët shpesh tregohen të dyshimtë kur mësojnë se ai nuk mund t’i japë të dhënat e një llogarie personale.

“Qeveria na thotë të punojmë pa para në dorë, të kalojmë në mënyrë digjitale, dhe pastaj na i bllokon llogaritë pa asnjë shpjegim. Çfarë t’u them klientëve të mi? Që më është ngrirë llogaria, sepse i shita zogj një klienti tjetër?”, pyet me zemërim Khan.

Shtypja ndaj mediave

Pakistani mbetet një nga vendet më shtypëse ndaj lirisë së medias, ku gazetarët përballen me kërcënime të vazhdueshme ndaj sigurisë dhe jetës së tyre.

Në raportin e fundit, Human Rights Watch deklaroi se gazetarët në Pakistan “përballen me frikësim, ngacmime dhe mbikëqyrje digjitale e fizike për kritika të perceptuara ndaj qeverisë”. Në klasifikimin global për lirinë e medias, të përgatitur nga Reporterët Pa Kufij në maj, Pakistani ra me pesë vende – nga pozicioni 152 në 158 nga 180 shtete.

Farieha Aziz, një aktiviste për të drejtat e njeriut, tha se gazetarët po goditen gjithnjë e më shumë përmes mjeteve ligjore dhe agjencive shtetërore si FIA.

“Kjo është një mënyrë për t’i lodhur njerëzit përmes sistemit ligjor – t’i tërheqësh në gjykata, t’i detyrosh të marrin avokatë. Është një formë e qartë ngacmimi ligjor dhe një kulturë ndëshkimi kolektiv”,  tha ajo për Al Jazeera.

Khan, i cili ende po e pret rikthimin e qasjes në llogarinë e tij, tha se nuk mban mëri ndaj Toorit, por kërkon të dijë pse po ndëshkohet.

“Do të thotë kjo që, nëse flas me dikë që shteti nuk e pëlqen, mund të ma ngrijnë llogarinë? Më thoni çfarë kam bërë gabim. Ma jepni një njoftim, nëse doni. Por nuk mund të më ndëshkoni në heshtje kur nuk kam bërë asgjë”, përfundoi ai.