50-vjeçari Juma Khan, nga krahina e Konduzit, jeton me gruan dhe gjashtë fëmijët në njërin prej kampeve të Kabulit. Ai ka thënë se shtëpia i është shkatërruar dhe se mezi po ia del të sigurojë kafshatën e gojës për familjen. OKB-ja ka paralajmëruar se deri në fund të vitit kriza mund të çojë 97 për qind të afganëve poshtë linjës së varfërisë
Sundimtarët e rinj talebanë të Afganistanit po përballen me sfida të mëdha ekonomike dhe të sigurisë, derisa po mundohen të konsolidohen në pushtet në formë krejt ndryshe prej para njëzet vjetësh kur sunduan brutalisht.
Asokohe, Afganistani ishte një vend i vobektë me ekonomi të varfër bujqësore dhe talebanët ishin të preokupuar me zbatimin e formës së tyre radikale të islamit në një popullsi edhe ashtu thellësisht tradicionale.
Kësaj here, ata po trashëgojnë një shoqëri pak më të zhvilluar me një shtresë të mesme të vogël dhe të shkolluar, por edhe me një ekonomi që është shkatërruar prej luftës dhe korrupsionit. Edhe para se talebanët ta merrnin kontrollin e Kabulit më 15 gusht, shkalla e papunësisë ishte më e madhe se 30 për qind dhe më shumë se gjysma e popullsisë afgane po jeton në varfëri, pavarësisht dy dekadave me përfshirje amerikane dhe miliarda dollarëve ndihma.
Shumë afganë ende jetojnë në kampe refugjatësh në pjesë të ndryshme të Kabulit. 50-vjeçari Juma Khan, nga krahina e Konduzit, jeton në njërin prej kampeve me gruan dhe gjashtë fëmijët e tij. Ai e ka sjellë familjen në Kabul gjatë luftimeve të ashpra ndërmjet talebanëve dhe qeverisë së rrëzuar në fillimgusht.
Ai ka thënë se shtëpia i është shkatërruar dhe se mezi po ia del të sigurojë kafshatën e gojës për familjen. Qindra familje po jetojnë në të njëjtin kamp. Me kalimin e kohës po shterohet edhe ndihma e ofruara nga organizatat humanitare ndërkombëtare.
Jashtë kampit ka një sens të kthimit të jetës së zakonshme në pjesën më të madhe të Kabulit, ku jetojnë më shumë se pesë milionë banorë – pamjet krejt të ndryshme krahasuar me skenat në aeroportin e kryeqytetit kur mijëra afganë mësynë portat për disa ditë me radhë, me shpresë se do të largoheshin nga vendi.
Por Qeveria talebane përballet me sfida të mëdha ekonomike me paralajmërime se vendi rrezikon të rrëshqasë në krizë të madhe ekonomike dhe humanitare. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se kriza mund të çojë 97 për qind të afganëve poshtë linjës së varfërisë deri në fund të vitit.
Mijëra afganë të dëshpëruar po presin përditë para bankave të Afganistanit për orë me radhë për të tërhequr nga 200 dollarë në javë.
Ditëve të fundit, talebanët duket se po mundohen të themelojnë një sistem për t’ua lejuar konsumatorëve të tërheqin fondet, por menjëherë pati turma të mëdha njerëzish para bankave.