Botë

Gjermania mohon pretendimet e Trumpit se i ka borxh NATO-s

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, të dielën ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se Gjermania i ka borxh NATO-s dhe SHBA-së “një shumë të madhe” parash për mbrojtje.

“Nuk kemi asnjë borxh në NATO”, ka thënë von der Leyen në një deklaratë, duke shtuar se është gabim të lidhet caku i Aleancës për pjesëtarët që të shpenzojnë 2 për qind të GDP-së së tyre në mbrojtje deri më 2024 vetëm për NATO-n, raporton Reuters.

“Shpenzimet në mbrojtje shkojnë edhe për misionet paqeruajtëse të OKB-së, në misionet tona evropiane dhe në kontributin tonë në luftën kundër terrorizmit ISIS”, ka thënë von der Leyen.

Ajo tha se të gjithë dëshironin që kjo barrë të ndahej në mënyrë të barabartë dhe në mënyrë që kjo të ndodhte ishte e domosdoshme që të kihet një “koncept modern i sigurisë” që përfshin një NATO të modernizuar por edhe një union evropian të mbrojtjes dhe investime në OKB, transmeton Koha.net.

Trump të shtunën tha në Twitter – një ditë pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Washington – se Gjermania “i ka borxh NATO-s një shumë të madhe parash dhe SHBA-ja duhet të paguhet më shumë për mbrojtjen e fuqishme, dhe shumë të shtrenjtë, që i ofron Gjermanisë”.

Trump ka kërkuar nga Gjermania dhe anëtarët tjerë të NATO-s që t’i përshpejtojnë përpjekjet për t’i plotësuar targetet e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s.

Shpenzimet gjermane në mbrojtje pritet të rriten për 1.4 miliard euro, në 38.5 milionë euro më 2018 – shifër kjo që parashihet të paraqes 1.26 për qind të GDP-së, ka thënë ministri i Financave, Wolfgang Schaeuble.