Botë

Një luftë e re në horizont

Izrael - Hezbollah

Teksa lufta në Gaza është duke vazhduar, janë shtuar shqetësimet se një tjetër luftë në Lindjen e Mesme do të shpërthejë, e pasojat do të jenë shkatërruese për rajonin e më gjerë

Izraeli dhe grupi i armatosur i Libanit, Hezbollah (i mbështetur nga Irani) kanë shkëmbyer zjarre në kufirin mes vete gjatë nëntë muajve të fundit. Nëse ky konflikt shpërthen në luftë në shkallë të gjerë, mund ta zbehë shkatërrimin që po ndodh në Gaza, e t’i tërheqë në luftë milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, Siri dhe Jemen, e duke përhapur zjarrin në të gjithë Lindjen e Mesme dhe t’i përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe vetë Irani mund të ndërhyjë direkt.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për “një katastrofë përtej imagjinatës”.

Tani për tani konflikti më i butë po zhvillohet nën valën e të nxehtit, në kufirin e gjatë 120-kilometërsh. Një shkëndijë më e madhe mund ta ndezë të gjithë Lindjen e Mesme.

Në mes të valëve të detit dhe të lojërave të plazhit një zhurmë tjetër merr vëmendjen – një shpërthim i papritur. Tymi shpejt shfaqet në kodrat në distancë, pas një goditjeje nga Izraeli. 

Turistët në një resort shohin nga larg horizontin. Të tjerëve as që u lë përshtypje.

Eksplodimet janë pjesë e përditshme e zhurmës së verës 2024 në qytetin antik të Libanit, Tyre, teksa Hezbollahu dhe Izraeli po shkëmbejnë zjarr në kufirin 25-kilometërsh. 

“Tjetër ditë, tjetër bombë”, ka thënë Rolandi, 49-vjeçar, teksa po shijonte pushimin. Ai jeton jashtë shtetit, por është kthyer për pushime. 

“Jemi mësuar tashmë qe disa muaj”, ka thënë miku i tij, Mustafa, 39-vjeçar. “Edhe pse fëmijët nganjëherë frikësohen”, ka shtuar ai duke bërë me gisht në drejtim të vajzës 7-vjeçare, Miral, që del nga pishina. “Kur ajo i dëgjon shpërthimet, gjithmonë pyet ‘a do të ketë bombë tani?’” ka thënë ai.

Më herët këtë muaj ka pasur shpërthim masiv në lagjen e tij në Tyre, në kohën kur familja e tij katëranëtarëshe po hante bukë. Izraeli kishte vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut, Mohammed Nimah Nasser.

“Kemi dëgjuar zhurmën. Por kemi vazhduar bukën”, ka thënë Mustafa.

Për pushuesit në plazhin e Tyres gjithçka mund të ndërrojë shpejt. Ky qytet do të jetë ndër të parët që rrezikon nëse kris lufta në shkallë të gjerë, krahas pjesës tjetër jugore të Libanit, që konsiderohet bastion i Hezbollahut.

Bota është në prag të një lufte të cilën të dyja palët thonë se nuk e duan.

Konflikti po nxehet

Më 8 tetor të vitit të kaluar – një ditë pasi militantë të armatosur të Hamasit hynë në Gaza dhe vranë 1200 izraelitë, si dhe morën 251 pengje – Hezbollahu intervenoi duke shtënë në drejtim të caqeve izraelite nga Libani. 

Grupi i armatosur islamik shiit ka thënë se po vepronte në përkrahje të Gazës.

Menjëherë Izraeli nisi kundërsulmet.

Hezbollahu, që është edhe parti politike, është forca më e madhe në Liban.

Sikur Hamasi, edhe kjo konsiderohet nga shumë shtete si organizatë terroriste, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. 

Por për dallim nga Hamasi, Hezbollahu ka fuqinë e mjaftueshme për ta kërcënuar Izraelin.

Besohet se ka arsenal prej më shumë se 150 mijë raketash – disa të specifikuara – me kapacitete për të shkaktuar dëme të konsiderueshme gjithandej shtetit.

Hezbollahu në përkthim nënkupton “Parti e Zotit”. E kjo organizatë ka më shumë armatim se shumë shtete.

Mbështetës kryesor i saj është Irani, që mohon të drejtën e Izraelit për ekzistencë, e që është i lumtur që po i trajnon dhe po i financon armiqtë e shtetit hebre.

Konflikti po shkon duke u nxehur. Mijëra sulme janë bërë andej e këndej kufirit.

Disa shtete tashmë u kanë kërkuar qytetarëve të vet që të largohen urgjentisht nga Libani, përfshirë Gjermania, Holanda, Kanadaja e Arabia Saudite. Mbretëria e Bashkuar i ka këshilluar qytetarët që të shmangin vizitat dhe kushdo që është aty – të largohet.

Deri tash, kryesisht ka pasur sulme mbi caqet ushtarake afër kufirit.

Por në anën libaneze tashmë shihen shkatërrime të zonave të civilëve, shtëpi të rrafshuara e fshatra të braktisur.

Dhe sulmet aktuale kanë qenë të mjaftueshme që dhjetëra mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre – më shumë se 90 mijë në Liban dhe rreth 60 mijë në Izrael.

Zyrtarët e Izraelit kanë thënë se 33 njerëz janë vrarë deri tash nga sulmet e Hezbollahut. Kryesisht ushtarë.
Humbjet e Libanit janë dukshëm më të mëdha – 466, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Shumica e të vdekurve janë ushtarë.

Sally Skaiki nuk ishte.

Sally Shaiki u vra nga një sulm i Izraelit në hyrjen e banesës së saj. Foto: BBC

“Nuk mund t’ua falim”

“Nuk e kam thirrur kurrë me emrin Sally”, ka thënë babai i saj Hussein Abdul Hassan Skaiki. “Gjithmonë e quaja ‘jeta ime’ – ishte gjithçka për mua. Ishte vajza e vetme në shtëpi dhe ne e llastuam, unë dhe tre vëllezërit e saj”.

Sally, 25-vjeçare, punonte si vullnetare në mjekësi. Ishte vrarë nga një sulm i Izraelit pas perëndimit të diellit më 14 qershor, teksa po qëndronte në hyrje të ndërtesës së saj.

Babai i saj vishet zi dhe mban një shall të gjelbër të lëvizjes “Amal”, që është aleate e Hezbollahut. 

Ai jeton në fshatin e tij në Deir Qanoun En-Naher, 30 kilometra larg kufirit. Rruga kryesore është e mbushur me posterë të luftëtarëve të vrarë në betejën kundër Izraelit – disa në muajt e fundit, e disa në vitin 2006 kur dy palët ishin në luftë.

Në atë konflikt, Hezbollahu luftonte ndaj Izraelit deri në një masë, por me kosto të rënda për Libanin dhe njerëzit e vet. Ka pasur shkatërrime masive dhe më shumë se 1000 civilë libanezë u vranë – sipas të dhënave zyrtare. Aty nuk ka numër të konfirmuar të luftëtarëve të Hezbollahut. 

Numri i vdekjeve në Izrael ishte 160, sipas Qeverisë. Shumica luftëtarë.

Afër Husseinit është një poster i madh i Sallyt me uniformën e saj. Ai e kujton me krenari e mall vajzën.

“Donte t’iu ndihmonte njerëzve. Çfarëdo problemi që kishte, ajo shkonte aty. Ishte shumë e dashur në të gjithë fshatin. Gjithmonë ishte e buzëqeshur”, ka thënë ai.

Teksa Husseini fliste, shpërthimet lëkundnin dritaret e shtëpisë. Sipas tij, krejt kjo është normale dhe ndodh përditë. 

“Qe një kohë të gjatë Izraeli i vret njerëzit tanë këtu”, ka thënë ai. “S’mund t’ua falim. Nuk ka shpresë për paqe me ta”.

Këtë herë, nuk ka të vdekur a shkatërrime. Në vend të kësaj, aeroplanët izraelitë mposhtin zhurmën për të shtuar frikë.

Pamje nga hedhjet e fosforit në fshatin al-Bustan, më 15 tetor 2023. Foto: AP

Dhe që nga tetori, Izraeli në Libanin jugor ka shpërndarë diçka tjetër – hedh fosfor të bardhë, që është pjesë e municioneve.

Substanca ndizet menjëherë sapo bie në kontakt me oksigjenin. Ajo ngjitet në lëkurë dhe rroba dhe mund t’i djegë deri në asht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Moussa al-Moussa, fermer 77-vjeçar, e di mirë këtë. Ai ka thënë se Izraeli po hedh fosfor të bardhë në të gjithë tokën e tij në fshatin al-Bustan çdo ditë, për më shumë se një muaj, duke ia vjedhë bukën e jetesën.  

“Kisha shallin tim. E vendosa rreth gojës dhe hundës derisa më sollën në spital”, ka thënë ai duke bërë me gisht drejt shallit tradicional arab me ngjyrë të bardhë e të kuqe. 

“Nuk kemi pasur maska. S’mund të merrja frymë. Nuk mund të shihja më larg se një metër. Dhe nëse e prekje një copë një javë më vonë sërish do të ndizej e do të digjej”, ka thënë ai.

Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch” ka verifikuar përdorimin e fosforit të bardhë në disa zona të populluara në Libanin lindor, përfshirë al-Bustanin. Kjo organizatë ka thënë se përdorimi i fosforit të bardhë “është i paligjshëm në zonat e populluara”.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit (IDF) e ka mohuar këtë, duke thënë se përdorimi i fosforit të bardhë krijon tym dhe “nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”. Sipas IDF-së, përdorimi i këtyre predhave në zona të populluara nuk bëhet “pos në raste të caktuara”.

Sikur shumë fermerë të tjerë afër kufirit, Moussa ka frikë se Izraeli ka helmuar tokat e tij me duhan e ullinj.

“Fosfori i bardhë e djeg tokën, i djeg njerëzit dhe të korrat e ndërtesat”, ka thënë ai.

Edhe nëse ai mund të kthehet në shtëpi, fermeri ka deklaruar se ka frikë që të merret me të korrat duke deklaruar se mund t’ia dëmtojë familjen ose edhe blerësit.

Ai jeton në harresë - në një klasë të një shkolle në Tyre. Rreth 30 familje që kanë ikur nga zona e kufirit po strehohen në objekt. 

I pyetur se sa luftëra ka parë, Moussa vetëm qesh. 

“E kemi kaluar gjithë jetën në luftëra. Vetëm Zoti e di nëse po vjen një tjetër”, ka thënë ai.

“Nuk kemi frikë”

Si një prej komandantëve kryesorë të Hezbollahut, Mohammed Nimah Nasser, ishte në kërkim. Ai luftoi kundër Izraelit më 2006, e edhe para kësaj, dhe ishte pjesë e luftërave në Siri e Irak. Në muajt e fundit ai “ka planifikuar, udhëhequr e mbikëqyrur shumë operacione ushtarake kundër Izraelit”, sipas Hezbollahut. 

Irani e përcolli dhe e sulmoi më3 korrik në Tyre. Vdekja e tij erdhi nga qielli në mes të ditës, me një sulm ajror që ia shkatërroi veturën.

Në qytetin bastion të Hezbollahut, Beirut, atij iu bë funeral prej heroi.

Ngjarja u përcoll në ceremoni strikte – burrat në një anë, gratë në tjetrën – përfshirë edhe gazetarët.
Arkivoli i tij, i mbështjellë me flamurin e verdhë të Hezbollahut, u bart nga njerëz të uniformuar me bereta të kuqe. Shumë luftëtarë të tjerë qëndruan afër. Ka pasur edhe uniforma të bardha. Ngjante në funeral shtetëror – në një shtet jofunksional.

Libani nuk ka president, as qeveri të përkohshme e ka ekonomi të lëkundur. Ai udhëhiqet nga sekti, i mbushur me korrupsion. Qytetarët janë të lënë pas dore. Shumë libanezë janë të lodhur. Gjëja e fundit që duan është një tjetër luftë.

Por pas varrimit biseda mes të pranishmëve në ceremoni ishte për martirizim dhe jo vdekje. Për gatishmëri për luftë, po qe se ajo vjen.

Hassan Hamieh, infermier 35-vjeçar, ka thënë se do të luftonte po që se duhet. “Nuk frikësohemi”, ka thënë ai. “Në fakt, jemi të përgjëruar për një luftë në shkallë të gjerë. Martirizimi është rruga më e shkurtër drejt Zotit. I ri a i vjetër, do të jemi të gjithë në luftë, nëse na vjen”.

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka thënë se grupi i armatosur është i gatshëm, por jo që dëshiron luftë. Ai ka thënë se nëse ka dakordim për marrëveshje në Gazë, Hezbollahu do t’i ndalë sulmet menjëherë.

Megjithatë, Izraeli e sheh Hezbollahun si kërcënim të përhershëm. Në fund të fundit, Izraeli pritet të kërkojë që armiku i armatosur të tërhiqet larg nga kufiri.

Ka pasur shumë kërcënime luftarake. Ministri i Arsimit në Izrael, Yoav Kish, ka kërcënuar se Libani do të “asgjësohej”. Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë se ky shtet do të kthehej në “kohën e gurit”.
Teksa sulmet dhe kundërsulmet vazhdojnë, familjet po shkatërrohen. Këtë muaj prindër të shumtë kanë mbetur pa fëmijë, e shumë fëmijë pa prindër.

Një çift izraelit u vra në veturën e vet në një sulm të Hezbollahut, rrugës për zonën Golan në Siri. Dyshja la prapa tre fëmijë.

Në Libanin jugor, tre fëmijë u vranë në një sulm nga Izraeli më herët këtë javë. Ata ishin mes moshave 4 dhe 8 vjeç. Prindërit e tyre ishin sirianë që punonin në një fermë.

IDF-ja ka miratuar “planet operacionale për një ofensivë në Liban” një muaj më herët. 

Tani për tani nuk ka bisedime. Nuk ka as vendim politik për sulm. Izraeli ende po merret me luftën në Gazas dhe lufta në dy fronte do t’ia lodhte ushtrinë.

Por pa zgjidhje diplomatike mes Izraelit dhe Hezbollahut – dy armiqve të moçëm – lufta në shkallë të gjerë rrezikon të vijë, nëse jo tash, atëherë më vonë.  

LEXO EDHE: