Botë

Deputetët danezë lënë teknologjinë në shtëpi gjatë vizitës në Rusi

Komisioni i Parlamentit të Danimarkës për Politikë të Jashtme ka lënë të gjitha pajisjet teknologjike në shtëpi gjatë vizitës në Rusi.

“Lamtumirë telefon i mençur”, ka shkruar ish-ministri i Punëve të Jashtme Martin Lidegaard në Facebook. “Rrugës për Rusi me Komisionin për politikë të jashtme, ku jemi këshilluar të mos marrim pajisjet me vete për shkak të sigurisë”.

Gjatë mandatit të tij si ministër, Lidegaard kishte thënë se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për luftë të llojllojshme nga Rusia.

Nick Haekkerup nga Socialdemokratët, partia kryesore opozitare në Danimarkë, ka shkruar në Facebook se do të qëndrojë në Rusi për një javë pa internet, pa e-maile dhe pa rrjete sociale.

“Po udhëtoj me Komisionin për Politikë të Jashtme dhe për arsye sigurie na është kërkuar të lëmë gjithçka si iPhone, iPad e diçka të ngjashme në shtëpi”, ka thënë ai, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Ministritë daneze kanë qenë cak i sulmeve kibernetike disa herë gjatë viteve të fundit.