Botë

Franca e bën abortin të drejtë kushtetuese

Descriptive Text

Franca është bërë shteti i parë në botë që e ka vendosur të drejtën e abortit në Kushtetutën e saj, raporton “BBC”.

Deputetët francezë votuan të hënën pro ndryshimeve kushtetuese, për ta mbrojtur “lirinë e garantuar” të grave për të abortuar.

Është amandamentimi i 25-të i Kushtetutës së Francës të vitit 1958 dhe i pari që nga viti 2008.

Sondazhet treguan se 85 për qind e publikut mbështetën reformën.

Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, i ka thënë Parlamentit, para votimit, se e drejta për abort mbetet “në rrezik” dhe “në mëshirën e vendimmarrësve”.

“Unë po u them grave, brenda kufijve tanë dhe më gjerë: po fillon epoka e një bote shprese”, tha ai në një kongres të rrallë parlamentar në Versajë.

Derisa rezistanca e krahut të djathtë në Parlament nuk pati sukses, presidenti i Francës, Emmanuel Macron është akuzuar se po e përdor Kushtetutën për përfitime elektorale.

Kritikët thonë se Macron po përdor këtë për ta rritur përkrahjen.

Në Francë, e drejta e abortit ishte e rregulluar me ligj që nga viti 1975. Që atëherë ky ligj ishte amandamentuar nëntë herë, dhe në çdo rast qëllim ishte zgjerimi i qasjes.

Këshilli Kushtetutes i Francës – organi që vendos për kushtetutshmërinë e ligjeve – kurrë nuk ka ngritur ndonjë çështje për këtë.

Në një vendim të vitit 2011, Këshilli e bazoi miratimin e tij të abortit në nocionin e lirisë së mëshiruar në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të vitit 1789, që teknikisht është pjesë e Kushtetutës së Francës.

Pra, shumë juristë thonin se aborti ishte një e drejtë kushtetuese në Francë.

Por, ndryshimet kushtetuese u nxitën nga zhvillimet e fundit në SHBA, ku e drejta e abortit u hoq nga Gjykata Supreme në vitin 2022. Shtetet individuale atje janë në gjendje tash ta ndalojnë sërish këtë procedurë, duke i dhënë fund të drejtës së abortit për miliona gra.

Vendimi për ta futur të drejtën e abortit në Kushtetutën e Francës është përshëndetur nga organizatat për të drejtat e grave në Francë.

Por, jo të gjithë e kanë mirëpritur këtë vendim. Vatikani e ka përsëritur kundërshtimin ndaj abortit.

“Nuk mund të ketë ‘të drejtë’ për të marrë një jetë njeriu”, ka thënë Vatikani në një deklaratë, duke përsëritur shqetësimet e ngritura nga peshkopët katolikë francezë.