Botë

Shuhen shpresat për armëpushim në Gazë përpara Ramazanit

Descriptive Text

Pas bisedimeve në Paris gjatë javës se kaluar, ka pasur shumë shpresa se mund të kishte marrëveshje të re për armëpushim në Gazë, në fillim të muajit të shenjtë islam të Ramazanit, javën e ardhshme, ka raportuar BBC.

Megjithatë, teksa Hamasi ka dërguar delegacione në Kajro për negociata të mëtutjeshme me ndërmjetësit e Egjiptit dhe Katarit, Izraeli nuk e ka bërë këtë gjë. Kjo duket si një bllokadë e re serioze.

Zyrtarët e Izraelit, kanë kërkuar përgjigje të sakta nga Hamasi për problemet kryesore dhe gjithashtu një listë të pengjeve izraelite që ende janë gjallë, të cilat mund të lirohen me marrëveshje.

Në ndërkohë, zyrtari i lartë i Hamasit, Basem Naim, të dielën ka thënë se për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite, “praktikisht, është e pamundur të dihet kush është akoma gjallë”.

“Ata janë në zona të ndryshme me grupe të ndryshme. Ne kemi kërkuar armëpushim në mënyrë që të mbledhim të dhëna”, ka shtuar ai.

Naimi ka thënë se “informacionet e tilla të vlefshme” për pengjet nuk mund të jepen “falas”. Ai dhe figurat e tjera të Hamasit, kanë vazhduar gjithashtu të kërkojnë armëpushim të plotë dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, në vend të një armëpushimi të përkohshëm.

SHBA-ja dhe vendet e tjera tash do të ushtrojnë presion mbi Izraelin dhe Hamasin, duke u përpjekur të mbështesin progresin e fundit për marrëveshje të mundshme.

Sipas raportimeve, kjo do të nënkuptonte lirimin e 40 pengjeve izraelite në këmbim të lirimit të 10-fishit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Besohet se më shumë se 130 pengje janë duke u mbajtur nga Hamasi. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se të paktën 30 pengje kanë vdekur.

Në armëpushimin e propozuar 40-ditor, është paraparë të ketë rritje të ndihmave të nevojshme që hyjnë në Gazë.

Pa marrëveshje, ka kërcënim të madh të shpërndarjes së tensioneve gjatë muajit të Ramazanit, që këtë vit do të fillojë me 10 ose 11 mars.

Izraeli pritet të vendosë kufizime për palestinezët, në vendin më të shenjtë mysliman, në Jerusalemin Lindor të pushtuar, kompleksin e xhamisë “al-Aqsa”, duke u thirrur në shqetësimet e tij të sigurisë.

Ky vend – i cili është gjithashtu vendi më i shenjtë i judaizmit, i njohur si tempulli “Mount” – ka qenë pikë kyçe e dhunës në konfliktin dhjetëvjeçar izraelito-palestinez.

Hamasi është në dijeni të frikës ndërkombëtare për një konflikt të ri dhe ka përdorur më herët “al-Aqsan” si vend për të ngritur tensione.

Javën e kaluar, lideri i grupit islamik, Ismail Haniyehu, ka pohuar se Hamasi po tregonte fleksibilitet në negociata, por gjithashtu u ka bërë thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalem të marshojnë te xhamia për t’u lutur në ditën e parë të Ramazanit.

Presioni ndërkombëtar për marrëveshjen për armëpushim është rritur, me kushtet e rënda humanitare në Gazë, ku sipas OKB-së, mijëra njerëz po përballen me urinë pas gati gjashtë muajsh luftë.

“Duke parë gjendjen e rëndë të vuajtjes, duhet të ketë armëpushim të menjëhershëm për të paktën gjashtë javët e ardhshme”, ka thënë Kamala Harris, zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Kjo do të lirojë pengjet dhe do të fusë një numër të madh të ndihmave në Gazë. Njerëzit në Gazë janë duke vdekur nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe humaniteti ynë i përbashkët na detyron të veprojmë”, ka shtuar Harris.

Komentet e saj, shënojnë gjuhën më të fortë të përdorur deri më tash nga një zyrtar qeveritar i SHBA-së për të përshkruar gjendjen në Gazë dhe reflektojnë zhgënjimin në rritje brenda Washingtonit – aleati më i afërt i Izraelit – për zhvillimin e luftës.

Ajo që po ndodh në Gazë është duke rritur dëmin në fushatën për rizgjedhje të presidentit amerikane Joe Biden.

Në Izrael, ka gjithashtu presion të brendshëm, mbi udhëheqësit e luftës nga familjarët e pengjeve, për të pranuar marrëveshjen e re për armëpushim.

Mijëra izraelitë iu bashkuan atyre në një marsh solidariteti katër-ditor, i cili filloi afër kufirit me Gazën në një nga vendet që ishte fokus i sulmeve të Hamasit më 7 tetor, dhe përfunduan në Jerusalem të shtunën në mbrëmje.

Ata mbanin flamuj të Izraelit dhe foto të pengjeve që u morën nga Hamasi më 7 tetor.

Duke folur në tubim, Sharon Sharabi, vëllai i të cilit, Eri, ende besohet se mbahet peng nga Hamasi, ka thënë se ata kanë humbur anëtarë të familjes. “Familjes Sharabi – familjes sonë, familjes suaj. Ne nuk kemi ndërmend – dëgjoni me kujdes udhëheqës të Izraelit – ne nuk kemi ndërmend të sjellim një arkivol të pestë këtu”, është shprehur ai.