Botë

Bandat kërcënojnë se do ta marrin nën kontroll Haitin

Descriptive Text

Shpërthimi i dhunës së fundit filloi të enjten, kur kryeministri ka udhëtuar në Nairobi për të diskutuar dërgimin e forcave të sigurisë shumëkombëshe të udhëhequra nga Kenia për në Haiti. Lideri i bandës, Jimmy Chérizier ka deklaruar një sulm të koordinuar për ta larguar kryeministrin

(BBC) - Qeveria e Haitit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme 72-orëshe të dielën pasi bandat e armatosura sulmuan burgun kryesor të kryeqytetit Port-au-Prince. Të paktën 12 njerëz janë vrarë dhe rreth 3,700 të burgosur janë arratisur, ka raportuar BBC News.

Liderët e bandave kanë thënë se duan të detyrojnë kryeministrin Ariel Henry, i cili kishte udhëtuar jashtë vendit, të japë dorëheqje.

Grupet që synojnë ta rrëzojnë Henryn kontrollojnë gati 80% të Port-au-Prince.

Dhuna e bandave ka prekur Haitin për vite të tëra.

Një deklaratë e qeverisë ka thënë se dy burgje – njëra në kryeqytet dhe tjetra afër komunës Croix de Bouqets – u sulmuan gjatë fundjavës. Ka shtuar se aktet e “mosbindjes” ishin kërcënim i sigurisë kombëtare dhe ka thënë se do të vendoste një shtetrrethim të menjëhershëm gjatë natës si kundërpërgjigje, i cili ka filluar në orën 20:00 me kohën lokale.

Mediat haitiane kanë raportuar se janë sulmuar stacione të tjera policore, për të shpërqendruar autoritetet para sulmeve të koordinuara në burgje.

Në mesin e të burgosurve në Port-au-Prince ishin edhe anëtarët e bandës së akuzuar në lidhje me vrasjen e ish-presidentit Jovenel Moïse në vitin 2021.

Shpërthimi i dhunës së fundit filloi të enjten, kur kryeministri ka udhëtuar në Nairobi për të diskutuar dërgimin e forcave të sigurisë shumëkombëshe të udhëhequra nga Kenia për në Haiti.

Lideri i bandës, Jimmy Chérizier ka deklaruar një sulm të koordinuar për ta larguar kryeministrin.

“Të gjithë ne, grupet e armatosura në qytete provinciale dhe grupet e armatosura në kryeqytet, jemi të bashkuar”, ka thënë Chérizier, ish-shef i policisë, i cili mendohet të jetë pas disa masakrave në Port-au-Prince.

Sindikata e policisë së Haitit i kishte kërkuar ushtrisë të ndihmonte në përforcimin e burgut kryesor të kryeqytetit, por kompleksi u sulmua të shtunën vonë.

Të dielën dyert e burgut ishin akoma të hapura dhe nuk kishte shenja të oficerëve. Tre të burgosur, të cilët u përpoqën të arratisen, ishin të vdekur në oborr, ka thënë një raport.

Një punonjës vullnetar i burgut ka thënë se 99 të burgosur – duke përfshirë edhe ish-ushtarët kolumbianë të burgosur për vrasjen e presidentit Moïse – kishin vendosur të qëndrojnë brenda burgjeve të tyre nga frika se mos vriteshin gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Port-au-Prince të dielën ka lajmëruar qytetarët e saj të largohen nga Haiti “sa më shpejt që ishte e mundur”. Ambasada franceze ka thënë se do të mbyllë shërbimet e vizave si “masë paraprake”.

Teksa Haiti është terrorizuar nga bandat për vite të tëra, dhuna është përshkallëzuar që nga vrasja e presidentit Moïse në shtëpinë e tij në vitin 2021. Ai nuk është zëvendësuar dhe nuk janë mbajtur zgjedhje që nga viti 2016.

Sipas një marrëveshjeje politike, Henry duhej të tërhiqej deri më 7 shkurt. Por zgjedhjet e planifikuara nuk u mbajtën kështu që ai mbetet akoma në detyrë.

Të hënën, autoritetet keniane kanë thënë se kryeministri është rikthyer në Haiti.

Claude Joseph – i cili ka vepruar si kryeministër kur u vra presidenti Moïse dhe tani është kreu i partisë opozitare “Those Committed to Development” - ka thënë se Haiti po kalon një makth.

Joseph ka thënë se kryeministri Henry dëshironte “të rrinte sa më shumë që ishte e mundshme në krye”.

“Ai ka pranuar të largohej më 7 shkurt. Tani ai vendos të qëndrojë, pa marrë parasysh faktin se ka protesta të mëdha përgjatë vendit, që kërkojnë dorëheqjen e tij – por është fatkeqësi që tash këta kriminelë janë duke përdorur dhunën për ta forcuar atë të japë dorëheqje”.

Në janar, OKB-ja ka thënë se më shumë se 8,400 njerëz ishin viktima të dhunës së bandave të Haitit vitin e kaluar, duke përfshirë vrasje, lëndime dhe kidnapime – më shumë se dyfishi i numrave të vitit 2022.

Shumë objekte të shëndetësisë kanë ndaluar operacionet për shkak të gjakderdhjeve.

Zemërimi për nivelet tronditëse të dhunës, mbi vakumin politik, ka çuar në disa demonstrata kundër qeverisë, me protestues që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.