Kreu i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një hetim të pavarur për vdekjen e më shumë se 100 palestinezëve gjatë pritjes për ndihma, të enjten në Gaza.
Të paktën 117 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 760 të plagosur, derisa po prisnin në turma të mëdha për të marrë ushqim, rreth disa kamionëve që kishin sjellë ndihma, raportoi BBC.
Sekretari i OKB-së, Guterres e ka dënuar incidentin dhe ka deklaruar se “civilët e dëshpëruar” kanë nevojë për ndihmë urgjente.
“E dënoj incidentin e së enjtes në Gaza, në të cilin më shumë se 100 njerëzit janë raportuar të vrarë ose të plagosur, derisa po kërkonin ndihma për mbijetesë. Civilët e dëshpëruar në Gaza kanë nevojë për ndihmë urgjente, përfshirë ata në veri ku OKB-ja nuk ka qenë në gjendje të dërgojë ndihma në më shumë se një javë”, ka thënë Guterres.
Hamasi ka akuzuar Izraelin se ka gjuajtur në drejtim të civilëve, mirëpo Izraeli ka thënë se shumica e të vdekurve janë pasojë e përplasjes pasi ushtria kishte gjuajtur.
Të enjten kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit u rritën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se civilët ishin "shënjestruar nga ushtarët izraelitë".
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell, e ka përshkruar incidentin si “një kërdi totalisht të papranueshme”.
Ndërkaq, ministria e Shëndetësisë e Hamasit e ka quajtur incidentin “një masakër”.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një takim urgjent me dyer të mbyllura për të diskutuar incidentin, gjatë të cilit Algjeria, përfaqësuesi arab i organit - paraqiti një projekt-deklaratë duke fajësuar forcat izraelite për "hapjen e zjarrit".
Ndërsa 14 nga 15 anëtarët e Këshillit e mbështetën mocionin, SHBA-ja e bllokoi atë, sipas agjencisë së lajmeve AP, duke cituar ambasadorin palestinez të OKB-së Riyad Mansour i cili foli më pas me gazetarët. I dërguari i SHBA-së, Robert Ëood, ka thënë se faktet e incidentit mbeten të paqarta.
Një kolonë prej 30 kamionësh që transportonin ndihma egjiptiane po shkonte drejt veriut, përgjatë asaj që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) e përshkruan si një "korridor humanitar", të cilin ajo tha se forcat e saj po e siguronin.
Zëdhënësi kryesor i IDF-së, Daniel Hagari, ka thënë se civilët rrethuan kolonën dhe filluan të ngjiten në kamionë.
"Disa filluan të shtyjnë me dhunë dhe madje të shkelin për vdekje palestinezë të tjerë, duke plaçkitur furnizimet humanitare. Incidenti fatkeq rezultoi në dhjetëra banorë të Gazës të vrarë dhe të plagosur”, ka thënë ai.