Botë

Rusia u bën thirrje për bashkim palestinezëve në bisedimet në Moskë

Ministri i Jashtem i Rusise, Sergej Lavrov

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov të enjten u ka bërë thirrje grupeve palestineze që mbanin bisedime në Moskë për formimin e një qeverie të përbashkët, të lënë pas ndryshimet dhe të bashkohen për hir të palestinezëve, ka raportuar Reuters.

Bisedimet mes përfaqësuesve të Hamasit dhe fraksionit politik Fatah kanë ardhur pas dorëheqjes së kryeministrit palestinez Mohammad Shtayyeh.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, ka thënë të mërkurën se riorganizimi ishte projektuar për të siguruar mbështetje për rol më të madh të Autoritetit Palestinez të mbështetur nga Perëndimi, pas luftës së Izraelit në Gazë kundër grupit udhëheqës islamik, Hamasit.

Ai gjithashtu ka thënë se shpresonte që bisedimet në Moskë të rezultonin në “mirëkuptim midis të gjitha fraksioneve” rreth nevojës për të mbështetur një qeveri teknokrate.

Duke iu drejtuar delegacioneve palestineze, Lavrovi ka thënë se Moska ka kërkuar prej kohësh bisedime të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, por se, për arsye jashtë kontrollit të tyre, ato nuk janë zhvilluar.

“Një nga arsyet për shtyrjen dhe riplanifikimin e negociatave ka qenë mungesa e unitetit mes radhëve palestineze. Skeptikët kanë argumentuar se është e pamundur të negociohet kur nuk e dimë se kush flet për palestinezët”, ka thënë Lavrovi.

“Jezu Krishti u lind në Palestinë. Njëra nga thëniet e tij është: ‘Një shtëpi e ndarë kundër vetvetes nuk do të qëndrojë’. Krishti nderohet edhe nga myslimanët edhe nga të krishterët. Mendoj se thënia reflekton sfidat për rindërtimin e unitetit palestinez”, ka thënë Lavrovi. “Nuk varet nga askush tjetër përveç nga vetë palestinezët”.

Lavrovi ka thënë se Ministria e Jashtme e Rusisë dhe specialistët rusë të Lindjes së Mesme janë të gatshëm gati për të ndihmuar.