Botë

Hamasi paralajmëron dështimin e bisedimeve të armëpushimit

Zyrtari i lartë i Hamasit, Izzat Al-Risheq, ka paralajmëruar se vrasja e njerëzve që ishin mbledhur të enjten në Gaza rreth disa kamionëve për të marrë ndihma, mund të çojë në dështimin e bisedimeve që kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.

“Negociatat nuk janë një proces i hapur. Ne nuk do të lejojmë që rruga e negociatave të bëhet një mbulesë për krimet e vazhdueshme të armikut kundër popullit tonë në Rripin e Gazës”, ka thënë Al-Risheq, në një deklaratë të publikuar në Telegram, raportoi CNN.

Të paktën 104 njerëz kanë mbetur të vdekur dhe 760 të plagosur në incidentin kaotik, kur trupat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve palestinezë që po prisnin të merrnin ndihma afër kamionëve, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza.