Botë

Bolsonaro mohon akuzat kundër tij

Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka pohuar se ka qenë viktimë e persekutimit politik që nga largimi nga detyra pak më shumë se një vit më parë.

Ai u tha dhjetëra-mijëra mbështetësve në Sao Paulo se akuzat për grusht shtet kundër tij ishin një “gënjeshtër”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për amnisti për qindra mbështetës të tij të dënuar për sulme në ndërtesa publike.

Policia po heton nëse Bolsonaro nxiti një grusht shteti të dështuar pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022.

Duke iu drejtuar tubimit të së dielës në qytetin më të madh të Brazilit, ish-presidenti 68-vjeçar hodhi poshtë akuzat kundër tij si të motivuara politikisht.

Ai tha se ishte koha për të harruar të kaluarën dhe për ta lënë Brazilin të ecë përpara.

Ai gjithashtu përdori fjalimin e tij për të folur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2026.

Bolsonaro e ka të ndaluar të kandidojë për postin e presidentit për tetë vjet për minimin e sistemit zgjedhor në Brazil dhe pretendimin se zgjedhjet e fundit ishin të falsifikuara, pavarësisht se nuk ka prova për mashtrime elektorale.