Botë

Pas largimit nga vendlindja, ukrainasit përballen me një të ardhme të pasigurt

Descriptive Text

Ukrainasit janë të rrezikuar katërfish më shumë që të mbesin të pastrehë sesa familjet e tjera në Britani, tregon një studim nga Kryqi i Kuq. Dhe më shumë se 200 mijë ukrainas, që janë duke jetuar atje, shqetësohen se a do të lejohen të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë. Është problem në të gjithë Evropën, SHBA-në dhe Kanadanë, ku janë strehuar më shumë se 6 milionë refugjatë ukrainas

(Reuters) – Kur kishte arritur në Angli para gati dy vjetësh, Mila Panchenko mendoi se udhëtimit të saj të gjatë nga qyteti ukrainas i shkatërruar Mariupol i erdhi fundi dhe se tash mund të qetësohej.

Por pasi ndërroi shtëpinë katër herë që nga atëherë, 55-vjeçarja ukrainase është deklaruar e pastrehë, dhe e ardhmja e saj nuk dihet. Ajo nuk ka ku të kthehet. Blloku i apartamentit në qytetin tash të okupuar nga rusët është bombarduar dhe pastaj është shembur.

Në dhomën e saj, në një akomodim të përkohshëm për të pastrehët e drejtuar nga shoqata bamirëse YMCA në Hatfield, qytet afër Londrës, Panchenko ka thënë se ajo është nën mëshirën e Qeverisë britanike.

“Në çdo moment ata mund të më thonë që lufta është kryer, mirupafshim! Ku të shkoj pastaj?”, ka thënë ajo.

Panchenko nuk është e vetmja. Ukrainasit janë të rrezikuar katërfish më shumë që të mbesin të pastrehë sesa familjet e tjera në Britani, tregon një studim nga Kryqi i Kuq. Dhe më shumë se 200 mijë ukrainas, që janë duke jetuar në Mbretërinë e Bashkuar, shqetësohen se a do të lejohen të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë.

Është problem në të gjithë Evropën, SHBA-në dhe Kanadanë, ku janë strehuar më shumë se 6 milionë refugjatë, dy vjet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Ka simpati të thellë për ukrainasit, tregojnë sondazhet e opinionit, por meqë nuk ka shenja të përfundimit të luftës, qeveritë që kanë ofruar ndihmë afatshkurtër tash po përballen me probleme më të mëdha sesa që kanë pritur dhe po përpiqen të kontrollojnë shpenzimet.

Ditëve të fundit Britania ka përgjysmuar kohën e qëndrimit për të ardhurit në 18 muaj dhe ka mbyllur planin që lejon ukrainasit të bashkohen me anëtarët e familjes në Britani, duke thënë se po thjeshtonte dispozitën.

Gjithashtu ka pakësuar disa fonde për mbështetjen e refugjatëve për këshillat lokalë, të ngjashme me shkurtimet e konsideruara nga Irlanda dhe të bëra tashmë nga disa vende të Evropës Lindore.

Më herët këtë muaj, Polonia, e cila strehon gati 1 milion refugjatë ukrainas, ka zgjeruar ndihmat sociale për ta, por vetëm deri në qershor, largim nga udhëzimet e BE-së që anëtarët duhet të vazhdojnë mbështetjen deri në mars 2025. Polonia ka thënë se ka mundësi të ulë pagesat në të ardhmen.

Disa administrata janë gjithashtu të prekura nga dëshirat e qeverisë në Kiev, e cila do që refugjatët ukrainas në fund të kthehen në vendlindje për të ndihmuar ndërtimin e saj.

Ndërsa ka ofruar zgjerim 18-mujor të vizës javën e kaluar për refugjatët ukrainas në vend, Ministria e Brendshme britanike ka thënë se mbështet “shpresën e Qeverisë së Ukrainës që qytetarët e saj në fund do të rikthehen”.

Image

Mungesa e strehimit

Por Panchenko nuk ka një shtëpi për t’u kthyer në Mariupol. Ajo dëshiron të krijojë një jetë në Hatfield.

“Së pari, dua ta falënderoj këtë vend”, ka thënë Panchenko nga dhoma e saj, ku ka të varur një pikturë të Kievit.

Ne “duam të jemi të dobishëm këtu”, ka thënë ajo për ukrainasit si vetja, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan ose janë nën pushtimin rus.

Pasi u mor nga Rusia gjatë rrethimit të Mariupolit, ajo u arratis dhe arriti në Angli, pasi pati një qëndrim të shkurtër në Itali. U vendos në një familje të vendit që kishte dalë vullnetare për të strehuar një refugjat ukrainas, nën programin e quajtur “Homes for Ukraine”.

Duke ndjekur një kurs kolegji në Angli dhe punë vullnetare në zonë, ajo u ndie më e pavarur. Në pamundësi të gjetjes së një shtëpie dhe pasi qëndroi me shoqërinë për një periudhë, Panchenko u regjistrua si e pastrehë.

Ajo u dërgua në një bujtinë para se të shpërngulej në shtëpinë e YMCA në Hatfield.

Në distriktin e Welwynit në Hatfield, 19 familje ukrainase dhe nëntë individë ukrainas u regjistruan për mbështetje për të pastrehët, sipas të dhënave të qeverisë më 31 janar.

Qeveria bën pagesa për çdo ardhje të ukrainasve, e projektuar për të ndihmuar këshillat për të integruar refugjatët për tre vjet. Që nga 1 janari 2023, pagesat u zbritën nga 10.500 funte në 5900 funte. Një skemë e njëjtë për afganët ofron më shumë se 20.000 funte.

Me këshillat lokale që po duhet të ofrojnë mbështetje më afatgjatë se që e kanë menduar, presioni nga skemat e shumta të azilantëve dhe mungesat e banesave po shtyjnë më shumë ukrainas të regjistrohen si të pastrehë, ka thënë Roger Gough, këshilltar i refugjatëve dhe migrimit në Asociacionin e Qeverisjes Lokale.

“Marrëveshjet e financimit për këshillat për të përkrahur të ardhurit duhet të rishikohen urgjentisht”, ka thënë Goughi.

Në një përgjigje, një zyrtar qeveritar ka thënë se ka ndarë 109 milionë funte këtë vit për të ndihmuar të pastrehët ukrainas, duke shtuar se “shumica e ukrainasve” nuk kishin nevojë për mbështetje të tillë.

Qeveria do të ofrojë edhe 1,2 miliardë funte deri në 2026 për të ndihmuar këshillat, për të ndërtuar ose blerë shtëpi për refugjatët ukrainas dhe afganë, ka thënë Departamenti britanik i Strehimit.

Britania gjithashtu ka rritur pagesat për nikoqirët nën “Homes for Ukraine” në 500 funte në muaj nga 350 funte sa ishin, për të ndihmuar me shpenzimet e jetesës, ka thënë departamenti.

Ish-ministri i Refugjatëve, Richard Harrington, ka thënë se ka krijuar programin “Homes for Ukraine” pasi ish-kryeministri Boris Johnson i ka premtuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyyt, se mund të pranonte “një numër të madh të refugjatëve”.

“Ne quam thirrje” për vullnetarët të strehojnë refugjatë, ka thënë Harrington. “Dhe 210.000 njerëz u përgjigjën”.

Pas entuziazmit fillestar, një zyrtar qeveritar ka thënë se “numri i njerëzve që aplikojnë si vullnetarë është ulur ndjeshëm”.

Në një studim të publikuar në tetor nga Zyra për Statistika Kombëtare Britanike, dy e treta e strehuesve ka thënë se rritja e kostove të jetesës është duke ndikuar në mundësitë e tyre për të ofruar mbështetje. Më shumë se gjysma ka synuar të ofrojë strehim për 18 muaj ose më shumë.

Perspektiva nuk është e sigurt as në vendet e tjera evropiane.

Në Gjermani, kreu i shoqatës qeveritare rajonale ka bërë thirrje për ardhjet e ardhshme nga Ukraina që të marrin përfitimet e njëjta si azilkërkuesit e tjerë në vend, e jo t’u jepen përfitime bujare të papunësisë - kërkesë e rezistuar deri më tash nga qeveria.

Pas aplikimeve të shumta, Skocia ka pauzuar të ashtuquajturën super-skemë të mbështetjes në vitin 2022 për ukrainasit, e cila i kishte lejuar ata të zgjedhin qeverinë si sponsor për viza, duke anashkaluar nevojën e gjetjes së një strehuesi të një shtëpi private.

Një zëdhënës i Qeverisë skoceze ka thënë se Skocia do të shpenzonte 40 milionë funte në 2024/25 në programin e rivendosjes së ukrainasve, e ulur nga 100 milionë funte në 2023/24 dhe se Skocia dëshiron të “arrijë rrugë të reja për vendosjen”.

Image

Të harruar

Më 17 shkurt, Britania ka thënë se do t’u japë zgjatje 18-mujore personave që do t’u skadonte viza 3-vjeçare vitin tjetër.

Aplikimi për ta zgjatur vizën mund të bëhet vetëm tre muaj para se të skadojë viza aktuale, e cila akoma nuk ofron vendqëndrim në Britani, ka thënë Volodymyr Holovachovi, i cili është larguar nga Ukraina para mobilizimit ushtarak.

Ai ka thënë se mungesa e sigurisë së vendqëndrimit ka sjellë probleme me punëdhënësit dhe qiradhënësit që kërkojnë siguri të statusit legal të refugjatëve.

“Është e paqartë se si do të vërtetojmë ‘të drejtën për të punuar’, ‘të drejtën për të marrë me qira banesa’ në të ardhmen”, ka thënë Holovachovi, 31-vjeçar, që punon në marketing. “Pa këto jemi nën mëshirën e qiradhënësve dhe punëdhënësve”.

Për Panchenkon, masat e përkohshme nuk e largojnë frikën e dëbimit.

Ish-menaxhere e një fabrike dhe politikane lokale ka thënë se jeta e saj do të ishte ndryshe nëse asaj do t’i ofrohej një rrugë për statusin e vendqëndrimit, të jetë në gjendje për të kontribuar drejt një pensioni dhe e drejta për të jetuar, punuar ose studiuar.

“Jam në ankth tërë kohën”, ka thënë ajo. “Nuk kam ku të kthehem. Do ta merrja valixhen, të largohesha nga Anglia, ku mund të jem e dobishme dhe ku do të shkoja?”, ka shtuar ajo.

Përgatiti: Latra Gashi