Botë

Ukraina thotë se Rusia përdori raketa të Koresë së Veriut në shumë sulme

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) pretendon se ka prova që Rusia ka përdorur raketa me rreze të gjatë nga Koreja e Veriut, në disa nga sulmet e saj vdekjeprurëse në Ukrainë.

Shërbimi ka thënë se hetimet e tij zbuluan se municionet ishin "raketa balistike të tipit Hwasong-11 (KN-23/24), të cilat janë prodhuar në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, raportoi CNN.

Në një postim në Telegram, shërbimi ka thënë se trupat ruse qëlluan mbi 20 prej municioneve në Ukrainë dhe besohej se rrugët logjistike për të lehtësuar furnizimin e tyre po krijoheshin midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Sipas shërbimit, raketat e Koresë së Veriut vranë të paktën 24 civilë dhe plagosën më shumë se 100 njerëz.

“Një nga rastet e para të përdorimit të raketave balistike të Koresë së Veriut nga agresori u regjistrua më 30 dhjetor 2023, gjatë sulmit në Zaporizhzhia”, ka thënë SBU-ja.

Raketat balistike të Koresë së Veriut u përdorën gjithashtu në sulmet në Kharkiv si dhe në pesë fshatra të vijës së frontit në rajonin e Donetsk, sipas SBU-së.