Ish-kryeministri konservator i Finlandës, Alexander Stubb, ka fituar zgjedhjet presidenciale të së dielës, tregojnë rezultatet përfundimtare, raportoi të hënën BBC-ja.
Ai ka arritur t’i sigurojë 51.6 për qind të votave, ndërsa rivali i tij i Partisë së Gjelbër, Pekka Haavisto, ish-ministri i Jashtëm, ka mbledhur 48.4 për qind, i cili po ashtu e ka pranuar humbjen.
Këto janë zgjedhjet e para që kur Finlanda i është bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s.
Stubb, 55 vjeç, ka një qasje të ashpër ndaj Rusisë, me të cilën kombi nordik ndan kufi të gjatë tokësor.
Ai më parë ka thënë se bashkimi me NATO-n është "marrëveshje e përfunduar" për vendin e tij sapo presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Në një konferencë për shtyp të dielën në mbrëmje, Stubbi e përshkroi fitoren e tij në zgjedhje si "nderin më të madh të jetës".
"Pra, unë nuk shoh asnjë lloj komunikimi me Putinin ose me lidershipin politik rus në të ardhmen e afërt. Të gjithë duam të gjejmë një rrugë drejt paqes, por më duket se kjo rrugë ndodh vetëm përmes fushëbetejës”, ka thënë ai.
Stubb do të marrë zyrtarisht detyrën më 1 mars, duke zëvendësuar Sauli Niiniston.