Botë

Qeveria e Holandës premton 2.5 miliardë euro ndihma për Ukrainën në vitin 2024

Holanda ka njoftuar të martën mbrëma se do ta përkrahë Ukrainën në vitin 2024 me 2.5 miliardë euro, ndërsa lufta po futet edhe në një dimër tjetër, raporton agjencia “AP”.

Po rriten shqetësimet se rezistenca e Ukrainës ndaj pushtimit rus do të dështojë pa përkrahjen perëndimore.

Ministrja e Jashtme e Holandës, Hanke Bruins Slot, ka njoftuar për ndarjen e këtyre fondeve gjatë vizitës në Ukrainë.

“Jeni të sigurtë për përkrahjen tonë”, ka thënë ajo në konferencë për media. “Siguria e juaj është edhe siguri për ne”.

Bruins Slot ka thënë se shteti i saj ka hapur në Rumani një qendër stërvitore për pilotë për aeroplanët F-16 më 13 nëntor dhe po punon me SHBA-në, Danimarkën dhe shtetet tjera, për të parë që Ukraina t’i ketë këta aeroplanë ushtarakë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Ajo po ashtu ka përkrahur anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e juaj është me ne”, tha Bruins Slot.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se derisa vëmendja e mediave është zhvendosur te konflikti në Lindjen e Mesme mes Izraelit e Hamasit, “vëmendja politike” nuk është zhvendosur nga Ukraina. Ai ka thënë se takimi i NATO-s në nivel ministror javën e kaluar ishte pozitiv dhe në përgjithësi “atmosfera në dhomë ishte të vazhdohet përkrahja dhe madje edhe të rritet”.