1 perditesime
17:40

Sulmi në afërsi të Kullës së Ajfellit lë një të vdekur e dy të lënduar

Një person është vrarë e dy tjerë janë lënduar në sulm me thikë dhe çekiç në qendër të Parisit, shkruan “BBC”.

Sulmi ndodhi afër Kullës së Ajfellit rreth orës 21:00 të shtunën.

Një francez 26-vjeçar, i njohur nga autoritetet franceze, është arrestuar dhe prokurorët anti-terrorizëm kanë nisur hetimet.

Është vrarë një turist gjerman që ka punuar si infermier.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, ka thënë se viktima ishte me bashkëshorten kur u sulmua dhe u ther për vdekje, ndërsa po kalonin në zonën “Quai de Grenelle”.

Ai tha se jeta e bashkëshortes së tij u shpëtua falë intervenimit të një taksisti dhe se i dyshuari iku në afërsi të urës që shtrihet përgjatë lumit Sena.

Pasi kaloi në anën veriore të lumit Sena ai sulmoi edhe dy persona tjerë, përfshirë një britanik 66-vjeçar të cilin e goditi me çekiç në sy.

I dyshuari më pas u qëllua me elektroshok nga policia dhe u arrestua për vrasje.

Në video të publikuar në rrjete sociale shihet momenti kur kapet i dyshuari nga policia.

Mediumet franceze e kanë identifikuar të arrestuarin si Armand R., një shtetas francez i cili i ka prindërit nga Irani.

Të lënduarit janë një francez rreth të 60-ave dhe një britanik, por ata janë jashtë rrezikut për jetë.

Ministri francez Darmanin ka thënë se sulmuesi ka thirr “Allahu Akbar” dhe i ka thënë policëve se është i zemëruar që “aq shumë myslimanë po vdesin në Afganistan e Palestinë”.

I dyshuari thuhet të ketë akuzuar Francën si bashkëpunëtore në vrasjet e palestinezëve në Gaza.

Policia ka thënë se sulmuesi ishte liruar nga burgu në vitin 2020, pasi kishte vuajtur katër vjet burgim për planifikim të sulmit dhe është dashur të ndjekë trajtim për probleme mendore.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka quajtur sulmin e të shtunës si sulm terrorist.

08:52

Një turist vritet dhe një tjetër plagoset në një sulm në Paris

Një turist dyshohet se është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një sulmues me çekiç pranë Kullës Eifel në Paris, raportoi të dielën “The Sun”.

Siç mësohet, ata janë sulmuar teksa po ecnin nëpër qytet në lagjen e 15-të të kryeqytetit francez, të shtunën rreth orës 22:00.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin konfirmoi se "kalimtarët" u sulmuan në zonën e Quai de Grenelle. Ai tha se i dyshuari për këtë sulm është arrestuar dhe personi i plagosur po trajtohet nga shërbimet emergjente.

"Policia sapo ka arrestuar një sulmues që sulmonte kalimtarët në Paris, rreth Quai de Grenelle. Një person ka mbetur i vdekur dhe një i plagosur. Ju lutemi shmangni zonën”, ka njoftuar Darmanin në platformën X.

Sipas mediave lokale, sulmuesi është një shtetas francez dhe aktualisht ndodhet në paraburgim dhe përballet me një akuzë të mundshme për vrasje.

Personi që vdiq ishte gjithashtu një turist me shtetësi të dyfishtë gjermane dhe filipinase dhe vdiq nga plagët me thikë të marra në shpinë dhe shpatull.

Turisti britanik thuhet se pësoi një dëmtim në kokë në Avenue du President Kennedy pasi u sulmua me një çekiç. Ai besohet se ka qenë duke ecur me gruan dhe fëmijën e tij kur sulmuesi doli nga pas dhe e goditi.

Një kordon sigurie është vendosur aktualisht nga incidentet ndërsa policia po kryen hetimet. Autoritetet kanë njoftuar se nuk ka ende të dhëna për motivin e goditjes me thikë.