Botë

78-vjeçarja, peng i Hamasit, flet pas lirimit të saj

(AP) - Ruti Munder, 78-vjeçare, ishte në mesin e pengjeve izraelite që janë liruar si pasojë e marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit. Në një intervistë për televizionin izraelit “Channel 13”, 78-vjeçarja ka thënë se ajo ishte ushqyer mirë në kohën sa mbahej peng, por kushtet ishin përkeqësuar më vonë si shkak i mungesës së ushqimit dhe ujit në Gazë.

Ajo ka thënë se ishte mbajtur në një dhomë “të izoluar” dhe flinte në karrige plastike e mbuluar me një çarçaf për gati 50 ditë.

“Ne të tre ishim bashkë, ka qenë koha më e gjatë që kam qenë bashkë me vajzën dhe nipin në një vend të mbyllur dhe të mbushur me njerëz”, ka rrëfyer ajo.

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre për dy ditë, duke rritur mundësinë e shkëmbimeve të mëtejshme të pengjeve të mbajtura nga militantët në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Njëmbëdhjetë gra dhe fëmijë izraelitë të liruar nga Hamasi hynë në Izrael të hënën mbrëma pas më shumë se shtatë javësh të mbajtur peng. Tridhjetë e tre të burgosur palestinezë të liruar nga Izraeli mbërritën të martën herët në Jerusalemin lindor dhe në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor.