Autoritetet në Indi kanë njoftuar se shpëtimtarët janë 5 metra larg nga 41 punëtorët e ndërtimit që kanë mbetur të bllokuar në një tunel malor që u shemb para më shumë se dy javësh, duke shtuar kështu shpresat se ata mund të shpëtohen së shpejti.
Kirti Panwar, zëdhënës i qeverisë së shtetit, ka thënë se dhjetëra burra kanë punuar gjatë natës duke gërmuar me dorë, duke përdorur mjete shpimi dhe duke pastruar mbetjet teksa i afroheshin asaj që shpresohet të jetë faza përfundimtare e operacionit të shpëtimit.
Ekipet e shpëtimit kanë futur tubacione në zonat e gërmuara dhe i kanë bashkuar ato në mënyrë që punëtorët të mund të nxirren jashtë me barela me rrota. Shumica e punëtorëve të ngujuar janë punëtorë migrantë nga i gjithë vendi. Shumë nga familjet e tyre kanë udhëtuar drejt vendndodhjes, ku kanë qëndruar për ditë të tëra për të marrë informacione mbi përpjekjet e shpëtimit dhe me shpresën për të parë të afërmit e tyre së shpejti.
Autoritetet i kanë furnizuar punëtorët e bllokuar me vakte të nxehta përmes një tubi 15 centimetrash pas ditësh mbijetese vetëm me ushqim të thatë të dërguar përmes një tubi më të ngushtë.
Ata po furnizohen me oksigjen përmes një tubi të veçantë dhe më shumë se dhjetëra mjekë, përfshirë psikiatër, janë në vend duke monitoruar shëndetin e tyre. Punëtorët kanë mbetur të ngujuar që nga 12 nëntori, kur një rrëshqitje dheu në shtetin Uttarakhand bëri që një pjesë e tunelit 4.5 kilometërsh, të shembet.