Botë

Ukraina: Rusia nisi sulmin më të madh me dronë në Kiev që nga fillimi i luftës

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se Rusia të shtunën ka nisur sulmin e saj më të madh me dronë kundër kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

“Gjithsej 75 drone Shahed u lëshuan nga dy drejtime – Primorsko-Akhtarsk dhe rajoni Kursk, Rusi. Objektivi kryesor ishte qyteti i Kievit”, deklaruan Forcat Ajrore të Ukrainës në një postim në Telegram, duke e përshkruar sulmin si një “numër rekord” të dronëve, shkruan CNN.

Po ashtu në deklarimin e tyre thuhet se mbrojtja ajrore ka kapur 71 dronë të prodhuar nga Irani në gjashtë rajone të Ukrainës – por shumica dërrmuese e dronëve u kapën në rajonin e Kievit.

“Trupat e raketave kundërajrore, aviacioni taktik, grupet e lëvizshme të zjarrit dhe njësitë e luftës elektronike u përfshinë në zmbrapsjen e sulmit ajror” thuhet në deklarimin e Forcave Ajrore të Ukrainës.

Mykhailo Shamanov, një zëdhënës i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, përshkroi disa valë dronësh që vinin nga drejtime të ndryshme drejt kryeqytetit. Administrata ushtarake e qytetit paralajmëroi banorët që të strehohen.

“Një numër i madh UAV-sh armik po hyjnë në Kiev nga drejtime të ndryshme! Ju bëjmë thirrje që të qëndroni në strehimore derisa të bjerë alarmi!”

Të paktën dy persona u plagosën në lagjen Solomianskyi të Kievit, sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitalii Klitschko. Disa lokacione në distriktin Solomianskyi morën zjarr, duke përfshirë një ndërtesë banimi dhe ambiente të tjera jo-rezidenciale, tha Klitschko.

Ai shtoi se kati i dytë i një ndërtese banimi pesëkatëshe në lagjen Solomianskyi u dëmtua dhe se rrënojat e dronëve të rrëzuar ranë në dy ndërtesa banimi - njëra në lagjen Dniprovskyi, tjetra në lagjen Holosiivskyi. Ministria e Energjisë e vendit tha se sulmi ndërpreu energjinë në një linjë ajrore, duke lënë 77 ndërtesa banimi dhe 120 objekte pa energji në qendër të qytetit.