Botë

Katër të vdekur e dhjetëra të lënduar në një aksident hekurudhor në Indi

Katër persona kanë mbetur të vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Indinë lindore.

Të 21 vagonët e trenit North-East Express, i cili ishte nisur nga Nju Delhi për në Assam, dolën nga shinat pranë stacionit hekurudhor Raghunathpur.

Dy prej vagonëve u përmbysën. Shkaku i aksidentit është duke u hetuar.

Sipas raporteve të para, 70 pasagjerë janë lënduar, 31 prej të cilëve janë shtruar në spital.

Në qershor, India u përball me një nga aksidentet hekurudhore më vdekjeprurëse të vendit, ku dy trena pasagjerësh u përplasën mes vete, duke lënë të vdekur më shumë se 280 persona dhe rreth 900 të lënduar.

Shumica e aksidenteve hekurudhore në Indi ndodhin si shkak i pajisjeve të vjetërsuara të sinjalizimit.

14 mijë trena bartin çdo ditë mbi 12 milionë njerëz në të gjithë Indinë, në gjithsej 64 mijë kilometra rrugë. / AP