Mbështetja e Bashkimit Evropian për Ukrainën nuk varet nga përparimet njëditore në fushën e betejës, tha të hënën shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Mbështetja jonë nuk varet nga përparimet e një dite. Është mbështetje e përhershme, e strukturuar sepse ne po përballemi me një kërcënim ekzistencial për Evropën”, tha Borrelli gjatë një konference për shtyp pas një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Kiev.
Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Ukrainën “nuk varet nga mënyra se si do të zhvillohet lufta në ditët apo javët e ardhshme”, duke shtuar se “ushtarët ukrainas po luftojnë me shumë guxim përballë fortifikimeve të mbrojtjes ruse”, shkruan CNN.
Sipas Borrellit, imazhet satelitore tregojnë se në disa raste, fortifikimet ruse janë “25 kilometra (15.5 milje) të thella”, raportoi Ukrinform.
Kryediplomati i BE-së tha gjithashtu se nëse partnerët duan që Ukraina të jetë më e suksesshme, ata duhet t'i sigurojnë asaj “armë më të mira dhe më të shpejta”, shtoi Ukrinform.
Borrell ka shkuar në Ukrainë të shtunën dhe që atëherë ai ka vizituar qytetin e Odesas, ka nderuar ushtarët e rënë në Kiev dhe ka mbajtur takimin e tij të parë personal me ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.