Ukraina ka lansuar të shtunën në mëngjes një sulm tjetër me raketa në qytetin Sevastopol në gadishullin e Krimesë të okupuar nga Rusia, është thënë nga autoritetet ruse, raporton agjencia AP.
Ky sulm vjen vetëm një ditë pasi që Ukraina goditi selinë e Flotës detare ruse në Detin e Zi gjatë ofensivës në Krime.
Mikhail Razvozhayev, guvernator i Sevastopolit i vendosur nga Rusia, ka treguar se në këtë qytet janë ndezur alarmet për sulm në mëngjesin e të shtunës. Ai ka treguar se është bllokuar edhe trafiku ujor për një kohë.
Ka treguar se mbetje të raketave të shkatërruara ruse kanë rënë në një mol.
Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar edhe në afërsi të Vilnes në veri të Krimesë.
Krimea, që është aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, ka qenë shënjestër e vazhdueshme e forcave ukrainase që kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e shkallës së plotë të Ukrainës më 14 shkurt të vitit 2022.
Shefi i inteligjencës së Ukrainës, Kyrylo Budanov, ka thënë për “Zërin e Amerikës” se së paku nëntë persona kanë vdekur e 16 tjerë janë lënduar gjatë sulmit të Ukrainës në flotën ruse në Detin e Zi të premten.
Ai ka thënë se Alexander Romanchuk, një gjeneral rus dhe komandues i forcave, është në gjendje të rëndë pas sulmit.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë fillimisht tha se në sulmin e të premtes vdiq një ushtarak, por më pas ndryshoi deklaratën duke thënë se ushtaraku rezulton i zhdukur.
Ukraina ka thënë se të premten forcat e saja ajrore kanë kryer 12 sulme në selinë e flotës detare ruse në Detin e Zi. Ka thënë se ka shënjestruar personelin, pajisjet ushtarake dhe armët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.