Botë

Gjermania e Franca me propozime jozyrtare për reformën e BE-së

 

Gjermania dhe Franca paraqitën këtë javë propozime për reformimin e BE, për ta përgatitur atë për anëtarë të rinj. Ekspertë të mbikëqyrur nga të dyja vendet vunë në tryezë disa ide që ndezin debat.

Raporti i ekspertëve nuk përfaqëson qëndrime zyrtare të miratuara për reformimin e BE-së. Por fakti që ekspertët kanë punuar nën mbikëqyrjen e ministrive të Jashtme gjermane dhe franceze e bën atë një raport të rëndësishëm. Për dokumentin 60-faqesh punuan që nga fillimi i vitit 12 ekspertë ndërkombëtarë institucionesh kërkimore.

Ide për mënyrën dhe ritmet e zgjerimit të BE-së në situatën e re gjeopolitike botërore nuk kanë munguar as më parë. Këtë herë kemi të bëjmë me një iniciativë të përbashkët të fuqive kryesore të BE-së, Gjermanisë dhe Francës për të orientuar debatin për reformimin e Bashkimit Evropian. Ideja se Ballkani Perëndimor dhe ndoshta Ukraina mund të anëtarësohen në BE i bëri bashkë dy shtetet, të cilat kanë pasur pikëpamje të ndryshme në shumë fusha kohët e fundit.