Botë

Presidenti iranian paralajmëron Arabinë Saudite: Mos bëni paqe me Izraelin

Në një konferencë për shtyp në New York pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti iranian Ebrahim Raisi ka thënë se marrëveshja izraelito-saudite do të “godiste me thikë popullin palestinez dhe rezistencën e tij”.

“Në asnjë rrethanë vendet e rajonit nuk janë të gatshme që vendet islame të braktisin parimin e shenjtë të luftës për popullin palestinez, sepse çlirimi i qytetit të shenjtë të Jerusalemit qëndron në qendër të besimit të të gjithë myslimanëve”, ka thënë Raisi për Sky News.

Duke folur për marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite, Raisi ka thënë se shpreson që këto marrëdhënie të zgjerohen më tej. Por ai la të kuptohet se kjo mund të jetë në rrezik nëse sauditët përmirësojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka thënë se marrëveshja mes mbretërisë dhe Izraelit po afrohet çdo ditë e më shumë. Në një takim me presidentin amerikan Joe Biden në New York, kryeministri izraelit ka thënë se një marrëveshje paqeje mund të arrihet me mbështetjen e SHBA-së.

Marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe vendeve të Gjirit, përkatësisht Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, janë normalizuar sipas të ashtuquajturës “besëlidhjes së Abrahamit”. Megjithatë, Arabia Saudite nuk është ndër vendet që kanë nënshkruar marrëveshjen.