Zelensky në fjalimin e tij në OKB: Të keqes nuk mund t’i besohet, pyesni Prigozhinin

Zelensky në fjalimin e tij në OKB: Të keqes nuk mund t’i besohet, pyesni Prigozhinin
“Të keqes nuk mund t’i besohet”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa i ka bërë thirrje botës që të bashkohet për t’i dhënë fund agresionit rus në shtetin e tij.
Në fjalimin e tij në New York, Zelensky ka thënë se Moska e armatosur me armë bërthamore duhet të ndalet që të mos e shtyjë “botën drejt një lufte përfundimtare”.
Ai po ashtu ka akuzuar Rusinë se po i kthen ushqimin e rrymën në armë.
Në fjalimin e tij Zelensky është përqendruar kryesisht te rreziqet që mund t’i vijnë botës nga Rusia. Ai tha se sfidat e përbashkëta si ndryshimet klimatike mund të adresohen si duhet vetëm pasi Moska të ndalet.
“Derisa Rusia po e shtyn botën drejt një lufte përfundimtare, Ukraina po bën çdo gjë të mundur që të sigurohet se pas agresionit rus asnjëri në botë të mos guxojë ta sulmojë ndonjë shtet tjetër”, u ka thënë Zelensky liderëve botëror në Asamblenë e Përgjithshme vjetore.
Ai ka shtuar se Rusia “nuk ka të drejtë të mbajë armë bërthamore”.
“Armët duhet të ndalohen, krimet e luftës duhet të ndëshkohen, njerëzit e dëbuar duhet të kthehen në shtëpi, pushtuesi duhet të kthehet në tokën e vet. Ne duhet të jemi të bashkuar për t’ia dalë, dhe do t’ia dalim”, ka thënë Zelensky.
Ai gjithashtu ka akuzuar Moskën se ka kryer gjenocid duke rrëmbyer fëmijët ukrainas.
Zelensky ka paralajmëruar edhe për rreziqet se mund të shfrytëzohet Inteligjenca artificiale si armë, ndërsa në fund ka thënë se “të keqes s’i besohet, pyesni Prigozhinin për këtë”.
Ai i është referuar ish-liderit të grupit mercenar rus “Wagner” që vdiq më 23 gusht pas rrëzimit të aeroplanit me të cilin po udhëtonte. Vdekja e tij erdhi dy muaj, pasi që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte vendosur “ta falte” atë dhe pjesëtarët e Wagnerit për rebelimin që bënë.
Zelensky mori rreth 30 sekonda duartrokitje nga të pranishmit, pasi mbaroi fjalimin.
Moska vazhdimisht i ka mohuar akuzat e Ukrainës – por, një numër i ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare kanë thënë se ka shumë dëshmi se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë.
Më herët të martën, Zelensky është parë duke e duartrokitur fjalimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, që paralajmëroi me pasoja të rënda nëse agresioni rus nuk ndalet.
“Rusia beson se bota do të lodhet dhe do ta lejojë atë që ta brutalizojë Ukrainën pa pasur pasoja. Nëse lejojmë që Ukraina të ndahet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë shteti?” – ka thënë Biden.
SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës gjatë pushtimit rus – që është lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Megjithatë, një numër i shteteve të quajtura “Jugu Botëror” – përfshirë Brazilin dhe Indinë – kanë marrë një qëndrim më të kujdesshëm, duke mos dënuar haptazi veprimet e Moskës.
Një numër i shteteve i kanë forcuar lidhjet ekonomike me Kremlinin.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Zelensky pritet që të kërkojë më shumë ndihmë dhe armë për ta mbështetur kundërofenzivën e Ukrainës kur të takohet me presidentin Joe Biden.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti.
Zelensky: Të keqes s’i besohet, pyesni Prigozhinin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka thënë se presidentit të Rusisë, Vladimir Putin nuk mund t’i besohet.
Ai madje ka marrë shembull edhe kreun e dikurshëm të grupit mercenar rus “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, që vdiq pasi u rrëzua aeroplani me të cilin udhëtonte.
“Të keqes nuk mund t’i besohet, vetëm pyesni Prigozhinin”, ka thënë Zelensky, raporton BBC.
Prigozhin vdiq në aksident me aeroplanë dy muaj pasi ishte “falur” nga Putini, pasi grupi Wagner kishte filluar një rebelim ndaj presidentit rus.
Zelensky ka thënë se shpreson që lufta e Rusisë në Ukrainë të jetë e fundit në botë.
Zelensky po ashtu në fjalimin e tij ka përmendur rreziqet tjera, përtej armëve nukleare. Ai ka paralajmëruar kundër përdorimit të Inteligjencës artificiale si armë.
Zelensky thotë se ushqimi po përdoret si armë nga Rusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia po i përdor furnizimet me ushqim për t’u bërë presion shteteve të tjera që t’i njohin territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia si ruse, raporton BBC.
Zelensky ka falënderuar ato shtete që kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
“Që nga fillimi i luftës së shkallës së plotë, portet ukrainase janë bllokuar nga Rusia. Portet tona në lumin Danub mbesin shënjestër e sulmeve me raketa e drone”, ka thënë Zelensky në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ai ka thënë se Rusia nuk duhet të ketë të drejtë të “mbajë armë nukleare”.
Zelensky po ashtu ka folur edhe për kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga forcat ruse.
Ai ka thënë se kidnapimi i fëmijëve ukrainas është politikë e Qeverisë së Vladimir Putinit.
“Ka dhjetëra e mijëra fëmijë që e dimë se janë kidnapuar nga Rusia. Ne po tentojmë t’i kthejmë fëmijët në shtëpi, por kalon koha. Çfarë do të ndodh me këtë? Këta fëmijë në Rusi po mësohen ta urrejnë Ukrainën dhe gjitha lidhjet e tyre me familjet janë shkëputur. Është qartë gjenocid”, ka thënë Zelensky.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Polonia ndal furnizimin me armatim për Ukrainën

Bideni dhe Zelensky takohen në Shtëpinë e Bardhë

11 mijë ushtarë marrin kontrollin e burgut në Venezuelë

Azerbajxhani me plan për shtrirjen e sovranitetit në Nagorno-Karabakh

Murdoch jep dorëheqje nga Fox News

Pamje nga qyteti i çliruar, si u fshehën rusët nën gërmadha

Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës së energjisë në Ukrainë

Skandali i tunelit në Mal të Zi, kryetari i Gjykatës tregon çka u vodh

Aktivistët e klimës bllokojnë rrugët në Berlin

Presidenti iranian paralajmëron Arabinë Saudite: Mos bëni paqe me Izraelin

Rriten tensionet, India pezullon vizat për kanadezët
