Botë

Rusia i kërkon GJND-së ta hedhë poshtë një rast të gjenocidit

Rusia ka kërkuar të hënën nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që ta hedhë poshtë një rast ukrainas ku pretendohet se Moska ka abuzuar me Konventën e Gjenocidit, raportoi të hënën “Euronews”.

Beteja ligjore e Ukrainës kundër Rusisë mbi shkeljet e Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 ka rifilluar të hënën, me avokatët kundërshtarë të cilët kanë kërkuar që çështja të hidhej jashtë GJND-së.

Udhëheqësi i ekipit ligjor të Moskës në GJND, Genadi Kuzmin, i ka thënë trupit gjykues prej 15 gjyqtarësh se çështja e Kievit, e cila synon të ndalojë pushtimin, "është në kundërshtim me jurisprudencën e kësaj gjykate".

Ai shtoi se depozitimi i paditësit përbën një abuzim të procesit.

Ukraina e çoi çështjen në gjykatën e Hagës bazuar në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, të cilën Moska dhe Kievi e kanë ratifikuar.

Në një shfaqje të paprecedentë të mbështetjes ndërkombëtare për Kievin, 32 nga aleatët e Ukrainës duke përfshirë Kanadanë, Australinë dhe çdo vend anëtar të Bashkimit Evropian përveç Hungarisë do të bëjnë gjithashtu deklarata të mërkurën në mbështetje të argumenteve ligjore të Kievit.

Paneli i gjykatës i gjyqtarëve ndërkombëtarë mund të marrë javë ose muaj për të përcaktuar nëse çështja mund të vazhdojë. Nëse ndodh, një vendim përfundimtar mund të merret tek pas disa viteve.