Botë

Ukraina sulmohet nga dronët rusë, shkatërron 26 prej tyre

Forcat ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur se ushtria ka shkatërruar 26 nga 33 dronë të lëshuar së fundmi nga Rusia, të cilët synonin Kievin dhe rajonin përreth tij, raportoi të dielën Reuters.

Sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia ka gjuajtur dhjetëra dronë në Kiev gjatë mëngjesit të së dielës, teksa shpërthimet janë dëgjuar në të gjithë kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përrreth për rreth dy orë.

Banorja e Kievit, Liudmyla, ka thënë se dëgjoi zhurmën e dronëve të prodhuar nga Irani përpara se një valë shpërthimi të thyente dritaret në ndërtesën e saj.

"Ishte një përvojë shumë e frikshme - nuk mund ta përshkruaj as me fjalë”, ka thënë ajo.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko ka bërë të ditur se nga ky sulm rus me dronë, një person ka mbetur i lënduar.

Shërbimi i emergjencës shtetërore njoftoi se nuk ka dëme serioze.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Ruslan Kravchenko, shkroi në Facebook se një objekt i paspecifikuar infrastrukture dhe tetë shtëpi ishin dëmtuar si rezultat i sulmeve gjatë natës.

Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga Rusia në lidhje me sulmet. Moska ka kryer sulme të rregullta ajrore në qendrat e popullsisë ukrainase larg vijës së frontit lindor dhe jugor të pushtimit të saj 18-mujor.

Një sulm rus vrau 17 persona të mërkurën në qytetin lindor të Kostiantynivka.