Botë

Ukraina pretendon se dronët rusë goditën tokën rumune, Bukureshti e mohon

Ukraina ka pretenduar që dronët rusë ranë dhe shpërthyen në territorin e Rumanisë, e cila është anëtare e NATO-s.

Sipas zyrtarëve ukrainas kjo ka ndodhur gjatë natës, në sulmin gjatë natës në infrastrukturën e portit ukrainas në lumin Danub.

Por Bukureshti e ka mohuar kategorikisht raportin.

Reuters shkruan se nuk ka mundur të verifikonte në mënyrë të pavarur asnjërën nga pretendimet e asaj që thuhet se mund të përfaqësonte një kthesë dramatike në luftën 18-mujore të Rusisë në Ukrainë.

Moska ka kryer rregullisht sulme ajrore me rreze të gjatë mbi objektivat në Ukrainën që kufizohet me Rumaninë.

“Sipas shërbimit shtetëror të rojës kufitare të Ukrainës, mbrëmë, gjatë një sulmi masiv rus pranë portit të Izmailit, ‘Shakhed’ (dronët) rusë ranë dhe shpërthyen në territorin e Rumanisë”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

“Ky është një tjetër konfirmim se terrori raketor i Rusisë përbën një kërcënim të madh jo vetëm për sigurinë e Ukrainës, por edhe për sigurinë e vendeve fqinje, përfshirë vendet anëtare të NATO-s”, ka theksuar ai.