Cigaret elektronike njëpërdorimëshe do të ndalohen në Francë, si pjesë e një plani kombëtar për të luftuar duhanin, ka thënë të dielën kryeministrja Elisabeth Borne.
Ajo ka thënë për transmetuesin “RTL” se qeveria do të paraqesë së shpejti një plan të ri kombëtar për të luftuar duhanin, në veçanti me ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimëshe, raportoi “The Guardian”.
Qeveria franceze është në fund të planifikimit të buxhetit të saj për vitin 2024 me një plan më të gjerë për të reduktuar duhanin, për të cilin Borne tha se ishte shkaku i 75,000 vdekjeve në vit në vend.
Ajo tha se plani nuk përfshin një rritje tjetër të taksave për cigaret, duke shtuar "por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi vigjilentë për konsumin e duhanit".
Disa vende evropiane po kërkojnë gjithashtu ndalimin e tyre. Shitjet online janë të ndaluara në Belgjikë dhe një konsultim kombëtar mbi ndalimin është duke u zhvilluar në Irlandë.
Në Gjermani, qeveria ka ndaluar cigaret elektronike me shije. Australia ka marrë përgjigjen më të ashpër, duke reduktuar përmbajtjen e tyre të nikotinës dhe duke kufizuar shijet.