Gënjeshtra i ka cilësuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të gjitha raportimet se shteti i Rusisë ka gisht në rrëzimin e aeroplanit në të cilin ndodhej kryemercenari Yevgeny Prigozhin. Ndërsa Putini nuk ka konfirmuar se kryemercenari zyrtarisht është identifikuar në mesin e të vdekurve.
Shumë rusë dyshojnë se Kremlini fshihet pas rrëzimit të aeroplanit gjatë të cilit dyshohet se ka vdekur Yevgeny Prigozhin para dy ditësh. Një numër i madh i zyrtarëve perëndimorë gjithashtu kanë drejtuar gishtin kah autoritetet ruse.
Mirëpo zëdhënësi i Vladimir Putinit të premten ka thënë se akuzat e tilla janë “komplet gënjeshtra” dhe se faktet duhet të qartësohen nga hetimi zyrtar, i cili është duke vazhduar në Rusi.
Të enjten presidenti rus ka shprehur ngushëllime për familjet e atyre që kanë humbur jetën në incident dhe ka përkujtuar edhe Prigozhinin. Megjithatë, Putini nuk ka konfirmuar se kryemercenari zyrtarisht është identifikuar në mesin e të vdekurve.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, ka refuzuar të flasë nëse Moska ka konfirmimin se Yevgeny Prigozhin ishte në aeroplanin e rrëzuar. Ai ka insistuar se rezultatet e hetimit do të publikohen së shpejti.
Peskovi gjithashtu nuk ka konfirmuar nëse Putini do të merrte pjesë në funeralin e Prigozhinit për shkak të orarit të ngjeshur të presidentit. Ndërsa lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë se nuk beson që Putini fshihet prapa rrëzimit të aeroplanit të Prigozhinit.
“Ai është person i qetë dhe llogaritës, merr vendime për çështje më pak të komplikuara. Prandaj, nuk e imagjinoj se këtë e ka bërë Putini. Është shumë punë joprofesionale”, ka thënë Lukashenko. Presidenti bjellorus – aleat i afërt i Putinit – kishte ndihmuar në arritjen e marrëveshjes që i dha fund kryengritjes së mercenarëve gjatë muajit qershor.
Ndërkaq Putini të premten u ka bërë thirrje të gjithë vullnetarëve që kryejnë detyra ushtarake që të betohen para flamurit të Rusisë. Ai ka nënshkruar një dekret me të cilin është kërkuar betimi, i cili kryhet për të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet ushtarake në Ukrainë, përfshirë edhe ata që janë të përfshirë në njësitë e mbrojtjes territoriale, ka raportuar të premten media shtetërore e Rusisë, “Tass”.
Nuk është e qartë se çfarë kuptimi ka betimi, mirëpo do të bëhet në kohën kur mercenarët e “Wagnerit” kanë mbetur pa ndonjë lider.
Pak javë para se Prigozhinit t’i dështonte kryengritja, Ministria ruse e Mbrojtjes u kishte dhënë ultimatum grupeve mercenare që të nënshkruajnë kontratat deri më 1 korrik. Prigozhini kishte refuzuar të nënshkruante, sepse nuk donte që grupi i tij të operonte nën ministrinë të cilën ai e kritikonte.
Nënshkrimin e kontratave e kishte përkrahur Putini dhe ky vendim kishte përkeqësuar marrëdhënien me aleatin e tij të kamotshëm Prigozhinin.
Ndërkaq zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Ryabkov, ka kritikuar presidentin amerikan Joe Biden për komentet rreth rrëzimit të aeroplanit të Prigozhinit. Zëvendësministri rus ka thënë se komentet e Bidenit janë të papranueshme.
Presidenti amerikan të mërkurën ka thënë se nuk ishte i befasuar me lajmet për rrëzimin e aeroplanit dhe se nuk ka asgjë që ndodh në Rusi pas së cilës mund të mos jetë Putini.
Përktheu: Gent Mehmeti