Përpjekjet për të shuar zjarret në provincën e Çanakalasë në Turqi kanë vazhduar edhe të mërkurën, ka njoftuar Ministria turke e Punëve të Brendshme.
Nëntë fshatra janë evakuuar në rajonin në kufi me Greqinë.
Zjarret në Turqi kanë djegur më shumë se 1 mijë e 500 hektarë tokë, ka njoftuar ministria turke.
Së paku 54 persona kanë pasur vështirësi në frymëmarrje shkaku i tymit, ndërkaq 48 persona janë duke u trajtuar nëpër spitalet rajonale.
Edhe Greqia po vazhdon të përballet me qindra vatra zjarri për ditën e pestë me radhë.
Aleksandroupolisi është qyteti më i goditur nga zjarret.
Qindra zjarrfikës janë angazhuar në lokalizimin e këtyre zjarreve që janë përhapur nga erërat e fuqishme.
Ndërkaq, të martën zjarrfikësit kanë gjetur trupat e pajetë të 18 personave. Ata janë gjetur në rajonin Avanta.
Të hënën, dy persona kanë vdekur dhe dy zjarrfikës janë lënduar në dy zona që janë përfshirë nga flakët në pjesën veriore dhe qendrore të Greqisë.