Botë

Japonia synon shkarkimin e ujërave radioaktivë nga Fukushima që prej 24 gushtit

Qeveria japoneze njoftoi se do ta nisë shkarkimin në oqean të ujërave radioaktive, të trajtuara nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi, nisur nga 24 gushti.

Këtë veprim, në Qeveri e kualifikuan si hap thelbësor drejt mbylljes së termocentralit, reaktori bërthamor i të cilit u shkri 12 vjet më parë.

Një tërmet i madh dhe cunami patën shkatërruan sistemet e ftohjes së termocentralit, duke shkaktuar shkrirjen e tre reaktorëve dhe duke e ndotur ujin e tyre ftohës.

Uji, që tani arrin në nivelin prej 1.34 milionë tonë, grumbullohet, filtrohet dhe ruhet në rreth 1 mijë rezervuarë, kapaciteti i të cilëve do të mbushet në fillim të vitit të ardhshëm.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, e udhëzoi operatorin Tokyo Electric Power Company Holdings të përgatitet për nisjen e shkarkimit të ujërave të zeza, po qe se këtë e lejojnë kushtet atmosferike.

Kishida bëri të ditur se Qeveria ka ndërmarrë krejt çfarë duhet për ta garantuar sigurinë e planit, për të mbrojtur reputacionin e industrisë së peshkimit dhe për të shpjeguar qartë bazën shkencore ashtu që të arrihet mirëkuptim brenda dhe jashtë vendit.

Por jashtë Japonisë, grupe nga Koreja Jugore dhe nga Kina kanë ngritur dyshime për planin, duke e shndërruar atë në një çështje politike e diplomatike.

E në Hong-Kong, autoritetet njoftuan se synojnë ta pezullojnë importimin e produkteve të detit nga 10 prefektura japoneze, pas njoftimit të qeverisë.